- Ekipit të Uniteti i është konfirmuar se do të ndodhë takimi me datën 30 të këtij muaji, por ftesë zyrtare ende nuk ka. Qëllimi i takimit është të prezantojmë edhe një herë opinionin tonë për aspektin procedural të nxjerrjes se vendimit për statusin politik të Kosovës. Qëndrimi i Kosovës është shumë i qartë, pavarësia është e pa negociueshme, integriteti territorial është i pa prekshëm dhe i pa cenueshëm dhe ne preferojmë që propozimi i presidentit Ahtisaari për pavarësi të mbikëqyrur dhe me prezencë të NATO-s, do të ishte zgjidhja, kompromis për kohën, ka thënë zoti Thaçi. Sipas tij, në ditët në vijim, ekipi politik dhe strategjik do të diskutoj për agjendën e këtyre bisedimeve dhe më pas do të jetë Ekipi i Uniteti që do të vendos se në çfarë niveli do te prezantohet Kosova.
- Do të angazhohet në diskutim e sipër ekipi politik dhe strategjik për të diskutuar këtë agjendë dhe prioritet, ndërsa besoj që Ekipi i Unitetit, në një të ardhme të afërt, do të vendosë se në çfarë niveli do te jetë e përfaqësuar Kosova në takimin me treshen ndërkombëtare. Me rëndësi janë prioritete por besoj se do të kemi një përfaqësim çfarë e meritojnë qytetaret e Kosovës. Kosova duhet te përfaqësohet ne nivel shtetëror, te përfaqësohet ne mënyrë unike dhe e përgatitur mirë, i tha Hashim Thaçi, radios Evropa e Lirë.
Mëtutje,zoti Thaçi theksoi se në negociatat ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, qëndrimet e përfaqësuesve kosovarë janë të qarta dhe të përkrahura nga faktorët ndërkombëtar.
- Qëndrimet tona tashmë janë veçse të qarta dhe të njohura, por edhe të vlerësuara dhe të mirëpritura nga komuniteti ndërkombëtar. Do të kemi përfaqësim unik dhe shumë reprezentativ. Mbi të gjitha, do ti kemi prioritetet shumë të qarta: Kosova e pavarur kompromis për Kosovën, tha Hashim Thaçi, lider i PDK-së dhe anëtar i Ekipit të Unitetit.
Megjithatë, treshja ndërkombëtare për negociata ka bërë të ditur se takimi i 30 gushtit në Vjenë, nuk do të jetë tripalësh, por secila nga palët negociatore do të zhvillojë takime të ndara me treshen ndërkombëtare. Këtë e ka konfirmuar edhe përfaqësuesi rus në negociatat shtesë, Aleksander Botsan Kharchenko. Sipas tij, treshja nuk do të propozojë asnjë variant për statusin, as që do të imponojë ndonjë zgjidhje, sepse mandati i saj është stimulimi për kompromis.