Ndërlidhjet

QYTETARËT: QËNDRIMI RUS PËR KOSOVËN - DESTRUKTIV


Albana Isufi

Qytetarët vlerësojnë se qëndrimi i fundit rus, i paraqitur nga ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, është shumë destruktiv dhe nuk i ndihmon aspak procesit të zgjidhjes së statusit. Lavrov ka thënë se Kosova dhe mbrojtja kundër-raketore përbëjnë të ashtuquajturat vijat e kuqe, mbi të cilat shteti rus nuk do të shkelë. Islam Besiri thotë se qëndrimi i Rusisë nuk përkon fare me realitetin. “Mendoj se qëndrimi i Rusisë, së pari, është një qëndrim joreal. Rusia duhet ta kuptojë dhe ta ketë të qartë, njëherë e përgjithmonë, se nuk mund të vendosë për fatin e Kosovës, jo vetëm Rusia, por as Serbia. Kështu që mendoj se është një qëndrim shumë i padrejtë dhe joreal. Besoj se së shpejti kësaj do t’i vijë fundi dhe në fund të këtij viti kjo çështje do të zgjidhet dhe do të shihet se ata nuk kanë pasur të drejtë”, shprehet zoti Besiri. Rusia ka kundërshtuar vazhdimisht pavarësinë e Kosovës, duke thënë se duhet të ketë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Sali Krasniqi mendon se kundërshtimi rus nuk nënkupton se Serbia përbën interes vital për Rusinë. Por, sipas tij, rusët përmes këtij problemi po mundohen të përfitojnë në aspektin global. “Këto janë lojëra që nga fillimi, edhe nga shekulli i kaluar. Tani për tani, mendoj se Rusia është duke përfituar për vete, që ta rregullojë çështjen e vet, e jo që i dhimbset Serbia. Pra, në aspektin global, është duke mbrojtur interesat e veta. Nuk i dhimbset as Kosova e as Serbia, por për të përfituar nga bashkësia ndërkombëtare, po i bllokon punët deri sa të mundet. Në atë moment që nuk ka më forcë, do lëshojë pe edhe për Serbinë, edhe për Kosovën”, thotë zoti Krasniqi. Agim Morina mendon se nuk ka pasur ndonjëherë më parë qëndrim më destruktiv, sesa ai që paraqiti dje ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov. “Është qëndrim shumë destruktiv. Rrallëherë në histori ka pasur qëndrime më destruktive”, shpreh mendimin e tij zoti Morina. Në anën tjetër, Shaip Gashi thotë se vetë renditja që Rusia i ka bërë çështjes së Kosovës krahas mbrojtjes kundër-raketore tregon se Kosova është ngritur lart në instancat ndërkombëtare. “Padyshim që problemi i Kosovës sot është i ndërkombëtarizuar aq shumë, si kurrë më parë. Edhe kjo është një fitore, edhe pse ende nuk kemi arritur deri te pragu ku duhet”, thotë zoti Gashi. Në anën tjetër, Artan Beka e sheh zgjidhjen e problemit të Kosovës vetëm përmes shpalljes së njëanshme të pavarësisë, pasi, sipas tij, nuk ka sinjale që Rusia do të lëshojë pe nga qëndrimet e saja, që, sipas tij, janë shumë të padrejta. “Për mendimin tim është një përgjigje e pritur; po ndahen blloqe mes SHBA-ve dhe Rusisë. Është e pritshme për të gjithë ne”, shprehet zoti Beka. Megjithatë, ka edhe të atillë që mendojnë se, në fund të fundit, shteti rus do të lëshojë pe karshi presionit të bllokut perëndimor. Një nga ta është Drita Hashani. “Besoj se Rusia duhet të lëshojë pe, se Kombet e Bashkuara janë ata që vendosin. Amerika vetëm e provon vlerësimin e Rusisë dhe besoj se nuk do të ketë problem”, thotë zonja Hashani. Sidoqoftë, ka qenë qëndrimi kundërshtues rus në Këshillin e Sigurimit që bëri që të dështojnë përpjekjet euro-amerikane për miratimin e projekt-rezolutës, e cila parashihte pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën. Ndërkohë, analistët nuk presin se do të ketë rezultat konkret as nga bisedimet 120 ditëshe, që aktualisht janë duke u zhvilluar mes treshes negociatore dhe Prishtinës e Beogradit.
XS
SM
MD
LG