Ndërlidhjet

LEGJITIMIMI I MISIONIT TË ARDHSHËM NË KOSOVË – ÇËSHTJE POLITIKE


Arton Konushevci

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe ekspertë të së drejtës ndërkombëtare thonë se çështja e legjitimimit të misionit të ardhshëm të Bashkimit Evropian në Kosovë është çështje politike. Ata thonë se zgjidhja më e mirë do të ishte nxjerrja e një rezolute të re nga Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Por, pasi që për shkak të qëndrimit rus, një rezolutë e tillë vështirë se mund të aprovohet, si zgjidhje alternative mund të jetë një kërkesë e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së drejtuar Bashkimit Evropian. Arben Qirezi, përfaqësues i Qeverisë së Kosovës, thotë se Këshilli i Sigurimit i OKB-së e ka pranuar pakon e presidentit Ahtisaari dhe me atë është kuptuar edhe prania e një misioni të ri nga Bashkimi Evropian. “Kjo, natyrisht, mund të bëhet në bashkëpunim të faktorëve ndërkombëtarë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së e ka pranuar planin e zotit Ahtisaari dhe me këtë ai e ka pranuar edhe praninë e ardhshme ndërkombëtare në Kosovë, e cila do të jetë e mbizotëruar nga Unioni Evropian. Megjithatë, kjo nuk është çështje strikt juridike; nuk kemi të bëjmë me ndonjë zgjidhje gjyqësore. Natyrisht, kjo është edhe një zgjidhje politike, para së gjithash politike, dhe është e varur edhe me statusin e Kosovës. Pra, Unioni Evropian duhet t’i marrë vendimet si për statusin final të Kosovës, ashtu edhe për prezencën e ardhshme në Kosovë”, tha Qirezi. Profesori i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Qerim Qerimi, thotë se ka mënyra të ndryshme se si të bëhet legjitimimi i një misioni të ri të BE-së në Kosovë. Ai mendon se mënyra më e pranueshme, tash për tash, do të ishte një thirrje nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së. “Sigurisht, ka një sërë mënyrash se si do të mund të bëhej kjo. Mënyra më e natyrshme, më e rregullt, do të ishte një autorizim përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Mirëpo, sigurisht që nuk është mënyra e vetme për autorizimin e një misioni të BE-së. Një formë tjetër alternative se si një mision i BE-së do të mund të instalohej në Kosovë, është edhe përmes një thirrjeje që do të mund të bëhej nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Dhe, një lexim pak më i gjerë i tekstit të Rezolutës 1244 e ndalon këtë, për faktin se rezoluta e autorizon Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së që të themelojë një prani civile ndërkombëtare në Kosovë, e cila prani nuk do të thotë kushtimisht se duhet të udhëhiqet vetëm nga Kombet e Bashkuara. Do të thotë, janë këto dy mënyrat kryesore, përmes të cilave do të mund të instalohej një mision i BE-së”, tha Qerimi. Iliriana Islami, profesoreshë e së drejtës ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, thotë se me anë të një konferencë ndërkombëtare do të duhej të zgjidhej çështja e legjitimimit të një misioni të ri të Bashkimit Evropian në Kosovë. “Misioni do të legjitimohet në atë mënyrë që Bashkësia Evropiane, së bashku me SHBA-të dhe disa vende tjera perëndimore, do të duhej të trajtojnë një çështje apo të ndërmarrin ndonjë iniciativë të përbashkët, që ua jep atyre mandatin. Prandaj, duhet të organizohet ose një konferencë e shteteve evropiane, ose të krijohet ndonjë mundësi e kooperimit. Faktikisht, duhet të ndërmerret diçka që ka të bëjë me legjitimimin e Unionit Evropian në Kosovë”, pohoi Islami. Ajo tha se organizimi i një konference të tillë nuk është çështje e re. Sipas Islamit, një konferencë e tillë është organizuar me rastin e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe atëherë komisioni i Badinterit e ka marrë legjitimitetin e veprimit. “Ndoshta do të duhej ndonjë formë tjetër. Mirëpo, deri më tani është treguar që konferencat janë ato që ia japin mandatin. Ekziston mundësia pra që konferenca t’ia japë mandatin. Mirëpo, nuk përjashtohet mundësia, sepse bashkësia ndërkombëtare gjithmonë vendos për çështje konkrete në mënyrë konkrete; ka raste kur vendoset ‘ad hock’. Mund të merret ndonjë mbështetje tjetër. Mirëpo, deri më tash është treguar se ka ekzistuar kjo metodë, kjo formë. Kjo metodë njihet si metodë e mëhershme. Prandaj, nuk përjashtohet mundësia që edhe tash të krijohet një mundësi e tillë”, theksoi Islami. Çështjen e organizimit të një konference, zoti Qerimi e sheh si një mundësi, por jo shume realiste. “Është e mundshme. Mirëpo, nuk duket si një mundësi shumë realiste. Puna e një konference është diskutuar edhe më herët si metodë, jo aq për instalimin e një misioni të ri, por si metodë për gjetjen e një zgjidhjeje të statusit politik të Kosovës”, tha Qerimi. Sido që të jetë, misioni i ri i Bashkimit Evropian, i cili pritet ta udhëheqë praninë e ardhshme ndërkombëtare në Kosovë, do të këtë pushtetin ekzekutiv në disa fusha, që kryesisht kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.
XS
SM
MD
LG