Ndërlidhjet

DERI NË ORËN 10:00, PJESËMARRJA NË VOTIME 10%


Arbana Vidishiqi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në orën 10:00, 147 mijë qytetarë kanë dalë në votime, nga 1 milion e gjysmë sa kanë të drejtë vote, që do të thotë përafërsisht 10 %. Votat e tyre do të zgjedhin përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës, atë të kuvendeve komunale dhe kryetarët e komunave. Shefi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Tim Guildman, ka thënë se në përgjithësi, procesi është duke u zhvilluar mirë, posaçërisht kur kihet parasysh koha e shkurtër që është vënë në dispozicion për organizimin e mbajtjes së zgjedhjeve. Probleme serioze deri më tash nuk janë shënuar, përveç një zjarri që ka përfshirë katin e dytë të një qendre votimi në Han të Elezit, me ç'rast janë djegur 15 kuti votimi, por pa fleta votimi brenda tyre. Zjarri është lokalizuar dhe autoritetet e rendit thonë se ende nuk dihet se si është shkaktuar. OSBE-ja dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve aktualisht janë vënë në kërkim të një vendi alternativ për të filluar votimet edhe në Han të Elezit. Në mbarë Kosovën, qendrat e votimit pritet të mbyllen në orën 19:00, megjithëse në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë njoftuar se pasi të jetë vlerësuar situata e interesimit të qytetarëve për të votuar, afati për mbylljen e vendvotimeve edhe mund të zgjatet. Ndryshe, rezultatet e para preliminare pritet të publikohen sonte, në orët e vona, nga rrjeti i organizatave joqeveritare në cilësinë e vëzhguesve vendorë. Rezultatet zyrtare preliminare, ndërkaq, pritet të shpallen pas dy ditësh.


PROCESI ZGJEDHOR NË VERI TË KOSOVËS

Në bazë të të dhënave të deritashme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 10:00, pjesëmarrja e serbëve në veri të Kosovës është 0 %. Votimet atje i ka komentuar ambasadori Guildman nga OSBE-ja, duke thënë se ky proces po përballet me disa probleme, për shkak të mungesës së mbështetjes nga përfaqësuesit e komunitetit serb për të hapur vendvotimet. Një gjë e tillë, sipas tij, do të ndikojë mbase edhe në pjesëmarrjen e këtij komuniteti në votimet e sotme. Nëpër rrugët e pjesës veriore të Mitrovicës, pjesëtarë të Këshillit Kombëtar Serb, të cilët janë kundër zgjedhjeve, kanë shpeshtuar praninë e tyre, për të, siç kanë thënë ata, vëzhguar pjesëmarrjen e qytetarëve në votime. Ndërkaq, disa nga partitë politike serbe që garojnë në zgjedhjet e sotme, kanë organizuar transport nga Mitrovica deri në Fushë Kosovë, për qytetarët që duan të votojnë, mbase në përpjekje për të shmangur ndonjë tensionim të mundshëm midis atyre që votojnë dhe atyre që janë kundër zgjedhjeve. Sidoqoftë, OSBE-ja dhe Komisioni Qendror Zgjedhor kanë organizuar disa qendra lëvizëse të votimit, të cilat do të vizitojnë një numër të caktuar lokalitetesh, të banuara me shumicë serbe, për të krijuar kushte për ata që janë të interesuar të hedhin votën e tyre. Një atmosferë më e relaksuar raportohet të jetë në Rahovec, ku qytetarët serbë tashmë kanë filluar të zgjedhin udhëheqësit e tyre.
XS
SM
MD
LG