Ndërlidhjet

THAÇI NIS BISEDIMET PËR QEVERINË E RE ME LDK-NË DHE AKR-NË


Zijadin Gashi

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka mandatar kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçin, për fillimin e bisedimeve për formimin e qeverisë së re. Menjëherë pas, pikërisht mandatari Thaçi ka ftuar Sejdiun në cilësinë e kryetarit të LDK-së, që të bisedojnë për koalicionin e ardhshëm. Thaçi tha se dita e sotme ishte vetëm hyrje në procesin e negociatave për formulën e ardhshme qeverisëse. Me Sejdiun dhe delegacionin e LDK-së, Thaçi tha se ka biseduar vetëm për vizionin e tij që qeveria të formohet në një afat optimal, por nuk pranoi të komentojë asgjë nëse i ka ofruar edhe ndonjë ofertë konkrete LDK-së për qeverinë e ardhshme. “Unë dhe Sejdiu u dakorduam që mes PDK-së dhe LDK-së të ndodhin edhe takime tjera, ditët e ardhshme, apo të enjten, në mënyrë që të bisedojmë për hapat e mëtutjeshëm dhe mundësitë e arritjes së marrëveshjes për ndërtimin e institucioneve të Kosovës. Jemi dy partitë më të mëdha, mund të kemi edhe dallime, por do të punojmë me përgjegjësinë më të lartë politike, demokratike e kombëtare, që t’i shqyrtojmë të gjitha mundësitë për ta gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme”, theksoi Thaçi. Ndërkohë, presidenti Fatmir Sejdiu, i cili në këtë takim ishte në postin e kryetarit të LDK-së, tha se partia e tij do ta diskutojë çështjen e koalicionit të mundshëm me PDK-në dhe do të kthehet me mesazhe më konkrete në takimin e radhës, të planifikuar për të enjten. “Kjo është bisedë në nivel parimor. Do të kemi raste tjera të bisedojmë dhe nuk ka diçka më tepër nga kjo. Është shumë me rëndësi që këto biseda të bëhen në një proces kushtetues normal, në mirëkuptim dhe respekt reciprok”, tha Sejdiu. Mandatari Thaçi ka pritur sot edhe delegacionin nga Aleanca Kosova e Re. Nënkryetari i kësaj partie, Ibrahim Gashi, tha se kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ndodhet jashtë Kosovës dhe se takimi Thaçi – Pacolli do të realizohet të enjten, kur, sipas tij, mund të ketë lëvizje më konkrete rreth marrëveshjeve eventuale. “Ka shumë pika programore mes dy partive që mund të korrespondojnë në një qeveri të përbashkët. AKR-ja është e hapur për të negociuar dhe do ta ofrojë edhe pjesën e vet të konditave për të hyrë në qeveri”, tha Gashi. Pozicioni i mandatarit për qeverinë e ardhshme të Kosovës nuk është bërë i qartë sa i përket formulës të cilën ai dhe PDK-ja do ta preferonin. Mirëpo, nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, ka bërë të qartë qëllimin e PDK-së që formula e ardhshme qeverisëse nuk do t’i përfshijë të gjitha partitë politike në qeverinë e re. “PDK-ja, përkatësisht mandatari Hashim Thaçi, është i interesuar që të ketë një qeverisje efikase mbi bazën e projekteve dhe njëkohësisht duhet ta ketë edhe një qeverisje të plotë në kuptimin e autoriteteve. Ajo që është e re dhe e qartë është se Kosova do ta ketë pozitën dhe opozitën. Do të bisedojmë e konsultohemi me të gjithë, por në fund do të ketë pozitë dhe opozitë në Kosovë”, theksoi Kuçi. Për nesër, Hashim Thaçi ka ftuar në bisedime LDD-në dhe AAK-në. Ndërkaq, si u tha sot, nga e enjtja, kur fillon raundi i dytë i bisedimeve me partitë politike, Thaçi do ta bëjë edhe seleksionimin dhe përcaktimin e tij për partnerët e ardhshëm qeverisës të PDK-së.


XS
SM
MD
LG