Ndërlidhjet

PAS DEKLARATËS SË PAVARËSISË, KUVENDI PËRGATIT AGJENDËN SHTET-FORMUESE


Zijadin Gashi

Kuvendi i Kosovës po përgatit një agjendë shtet-formuese, që do të pasojë nxjerrjen e deklaratës inicuese të pavarësisë dhe atë të shpalljes. Me deklarimin e pavarësisë, Kuvendi, bashkë me institucionet tjera, synon që të krijojë një rend të ri kushtetues e juridik, duke miratuar Kushtetutën, simbolet, si dhe ligjet bazike shtetërore që burojnë nga pakoja e Ahtisaarit. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, përmendi sot disa nga sfidat e para, me të cilat do të ballafaqohet Kosovë, në ditët e para pas nxjerrjes së aktit të pavarësisë së saj. “Në këto momente kthese, për Kuvendin e Kosovës dalin shumë detyra e përgjegjësi, si ndërtimi i infrastrukturës ligjore, përgatitja për aktin e pavarësisë, miratimi i ligjeve që dalin nga pakoja e presidentit Ahtisaari, miratimi i Kushtetutës dhe simboleve të shtetit, të cilat duhet të kryhen së shpejti, në këtë vit”, tha Krasniqi. Në zbatimin e agjendës shtet-formuese të Kosovës është përfshirë edhe opozita. Deputeti i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, thotë se opozita është duke i deleguar përfaqësuesit e vet në grupet punuese për Kushtetutën, për simbolet, tranzicionin dhe zbatimin e pakos së Ahtisaarit. Kjo agjendë, thotë Makolli, ka filluar të hartohet e zbatohet qysh nga përbërja e kaluar e Qeverisë dhe Kuvendit, kështu që, sipas tij, ka disa vonesa, por, megjithatë, ka edhe një bazë të gatshme që garanton vazhdimin e punëve në zbatimin e kësaj agjende. “Kushtetuta dhe simbolet do të jenë diçka prioritare para deklarimit të pavarësisë. Ndërkaq, menjëherë fillon pjesa për ndërtimin e ligjeve të reja, sikurse edhe veprimet e tjera që do të materializonin pavarësinë. Kemi pasur vërejtje të drejtpërdrejta për legjislaturën e kaluar, e cila përkundër afateve, nuk ka arritur t’i përfundojë disa nga këto çështje, siç kemi të bëjmë tashmë me simbolet shtetërore, sikurse edhe me Kushtetutën, por konsideroj se ka kohë të mjaftueshme që këto të përgatiten në afatin e nevojshëm kohor”, tha Makolli. Deputetët kosovarë besojnë se në fillim të muajit shkurt, Kuvendi do ta nxjerrë deklaratën e pavarësisë, duke besuar edhe në njohjen ndërkombëtare të shtetit më të ri në botë. Ndërkaq, menjëherë pas, të fillojnë me ndërtimin e bazës juridike - kushtetuese për funksionimin e këtij shteti, mbi bazat e pakos së Ahtisaarit, me të cilën parashihet një pavarësi e mbikëqyrur me prani ndërkombëtare, si civile, ashtu edhe ushtarake.

XS
SM
MD
LG