Ndërlidhjet

MONTANARO:"PAVARËSIA E KOSOVËS DO TË NJIHET HAP PAS HAPI"


Lucia MONTANARO, analiste në International Alert /Bruksel/

RADIO EVROPA E LIRË
Si mendoni se do të veprojë bashkësia ndërkombëtare pas 3 shkurtit, përkatësisht zgjedhjeve në Serbi, lidhur me statusin e Kosovës?

LUCIA MONTANARO
Nuk ka asnjë dyshim se Bashkimi Evropian do të dërgojë misionin në Kosovë. Serbia këtë aktualisht e kundërshton, por është e habitshme se deri para muajve ishte e interesuar për misionin evropian. Serbia duhet të jetë e vetëdijshme se misioni evropian do të mbrojë pakicën serbe dhe të tjerat. Rrjedhimisht është në interesin e Serbisë që në Kosovë të dërgohet misioni i Bashkimit Evropian. Personalisht mendoj se Kosova do të jetë shtet plotësisht i pavarur me disa kushte që do të jenë në fuqi për disa vite. Nëpër procesin e pavarësimit Kosova do të lëvizë ngjashëm me Kroacinë dhe Slloveninë, kur ato kishin shpallur pavarësinë, ndërsa të tjerët i kishin pranuar gradualisht. Pra një zhvillim të tillë e kemi parë në këtë rajon dhe këtu nuk do të ketë asnjë risi. Disa vende të Bashkimit Evropian hezitojn të njohin pavarësinë e Kosovës dhe rrjedhimisht njohja nga disa do të bëhet më shpejtë, ndërsa nga disa të tjera më ngadalë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni çështjen e zgjedhjeve në Serbi dhe procesin e përcaktimit të statusit të Kosovës?

LUCIA MONTANARO
Populli në Serbi është i lodhur nga të jetuarit në izolim. Për faktin që zgjedhjet mbahen paralelisht me përcaktimin e statusit të Kosovës, ato janë një çështje shumë e ndjeshme. Koshtunica ende nuk ka premtuar mbështetjen për Tadiçin dhe është koha të deklarohet. Ky do të jetë çasti vendimtar për epilogun e zgjedhjeve në Serbi. Qytetarët duhet të përcaktohen ndërmjet Tadiçit pro – perendimor dhe Nikoliqit që është deklaruar ultranacionalist. Mendoj se shumica në Serbi dëshiron lëvizje drejtë Evropës dhe Perendimit, por këtu është edhe çështja e Kosovës dhe të dy kandidatët janë duke luajtur edhe në këtë letër.

RADIO EVROPA E LIRË
Si të komentohet atëherë udhëtimi i përbashkët i Koshtunicës dhe Tadiçit në Moskë dhe nënshkrimi i marrëveshjes për energjinë me Rusinë. Kemi të bëjmë me lëvizje nga Perendimi apo nga Lindja?

LUCIA MONTANARO
Serbia në këto zgjedhje duhet të vendosë nëse do të shkoj drejt Lindjes apo Perendimit apo do t'i kthehet nacionalizmit dhe vetëizolimit. Problemi qëndron edhe në faktin që Bashkimi Evropian ka premtuar shumë për Serbinë, ndërsa qytetarët nuk kanë parë rezultate konkrete. Nëse Serbia arrinë të hyjë në listën e bardhë të Shengenit, njerëzit atje do ta kenë më lehtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa thonë se nuk është e drejtë që Bashkimi Evropian i ofron Serbisë nënshkrimin e Marrëveshjes për Asocim Stabilizim pa dorëzuar Karagjiqin dhe Mladiqin në Tribunalin e Hagës. Shtypi slloven ka raportuar se Bruskeli është i gatshëm për "tregëti të pandershme politike" me Beogradin. A pajtoheni me këto vlerësime?

LUCIA MONTANARO
Kjo është largë një zgjidhjeje ideale, por a ekziston një gjë e tillë në politikë? Jam e vetëdijshme se shumica e qytetarëve të Serbisë janë kundër dorëzimit të të akuzarve nga Tribunali i Hagës, por sa më afër që Serbia do të jetë Bashkimit Evropian, këto obligime do të jetë më lehtë të përmbushen. Nënshkrimi i Marrëveshjes për Asocim Stabilizim nuk është zgjidhja më fatlume, por është një hap i rëndësishëm që duhet realizuar.

Intervistoi: M. RAKELA
XS
SM
MD
LG