Ndërlidhjet

BE miraton vendimin për misionin në Kosovë


Bashkimi Evropian
Bashkimi Evropian

Misioni do të quhet EULEX, do të ketë dy mijë pjesëtarë dhe do të kryesohet nga Pieter Feith. Burimet diplomatike në Bruksel kanë thënë se misioni është miratuar sipas të ashtuquajturës "procedurë e heshtur".




Bashkimi Evropian ka miratuar vendimin për dërgimin e misionit në Kosovë. Vendimi është miratuar në mesnatë, pasi që asnjë nga 27 vendet anëtare të BE-së nuk kundërshtuan planin operacional, kanë bërë të ditur burimet diplomatike në Bruksel.
Misioni do të ketë rreth dy mijë pjesëtarë, do të quhet EULEX dhe do të zëvendësojë UNMIK-un. Misioni ka për synim të ndihmojë autoritetet kosovare në ndërtimin e një sistemi ligjor, që do të mbështetej në parimet e multietnicitetit. Burimet diplomatike në Bruksel kanë thënë se misioni është miratuar sipas të ashtuquajturës "procedurë e heshtur".
Shefi për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Javier Solana, tha se misioni EULEX do të drejtohet nga ish-gjenerali francez, Yves De Kermabon, i cili ishte komandant i KFOR-it në vitet 2004-2005, ndërsa përfaqësues i posaçëm i BE-së do të jetë diplomati holandez, Pieter Feith.
Pritet që misioni të marrë kompetencat e UNMIK-ut në qershor të këtij viti.
Duke e cilësuar karakterin e këtij misioni në Kosovë, ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Dimitrij Rupel, i ka thënë gazetës polake "Dziennik" se në fakt kemi të bëjmë me protektorat të Bashkimit Evropian.
Agjencia Reuters, duke u thirrur në burimet diplomatike, thotë se pas këtij vendimi dhe deklarimit të nesërm të pavarësisë së Kosovës, pritet që të hënën, njohjen e shtetësisë së Kosovës ta bëjnë Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia, bashkë me Shtetet e Bashkuara.
Bashkimi Evropian do të takohet të hënën për të debatuar rreth Kosovës dhe me këtë rast do të bëjë të ditur se Komisioni Evropian dhe Banka Botërore janë duke përgatitur një konferencë të donatorëve, për të ndihmuar ekonominë e Kosovës dhe ajo me gjasë do të mbahet në qershor.
Në takimin e të hënës, Bashkimi Evropian do të konstatojë se statsu-quo-ja në Kosovë ka qenë e paqëndrueshme, do të bëjë ftesë për një Kosovë multietnike, në të cilën do të respektohet ligji, pakicat dhe trashëgimia kulturore dhe religjioze.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG