Ndërlidhjet

NË PRISHTINË PO MBËRRIJNË ZYRTARË TË LARTË, POLITIKANË E DIPLOMATË PËR TË MARRË PJESË NË VARRIMIN E PRESIDENTIT RUGOVA


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Shqipëria do ta përkrahë Kosovën për të realizuar ëndrrën e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova për liri e pavarësi, kanë thënë sot udhëheqësit më të lartë të Republikës së Shqipërisë, pasi kanë bërë homazhe para trupit të pajetë të presidentit Rugova dhe u kanë shprehur ngushëllime familjes Rugova dhe udhëheqjes më të lartë të Kosovës. Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, që ka arritur sot në krye të delegacionit të shtetit shqiptar, tha se Kosova do ta ketë Shqipërinë përkrah:
"Është një humbje jo vetëm e shqiptarëve të Kosovës, por e gjithë shqiptarëve kudo që janë, duke ju thënë njëkohësisht se ne do të jemi përkrah jush, në mënyrë që ëndrra e presidentit Rugova për një Kosovë të lirë të pavarur të realizohet deri në fund".
Presidenti Moisiu tha se tashmë kishte vendosur që presidentin Rugova ta dekoronte pas vdekjes me dekoratën më të lartë të Shqipërisë, urdhrin e Flamurit Kombëtar, në një ceremoni që do të zhvillohej më vonë. Ndërkaq kryeministri Sali Berisha tha se e ardhmja e Kosovës ishte e garantuar:
"Ne ndajmë zinë, dhimbjen për këtë humbje të pakompensueshme, se presidenti Rugova ishte produkt, pjellë e moralit dhe shpirtit të këtij populli. Prandaj, edhe e ardhmja është e sigurt, e garantuar," tha Berisha, sipas të cilit udhëheqja e Kosovës dhe qytetarët do ta çojnë përpara çështjen për të cilën presidenti Rugova luftoi me aq përkushtim.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli tha se në takimin e saj para një muaji me presidentin Rugova, e kishte admiruar atë për vullnetin me të cilin ai e luftonte sëmundjen:
"Presidenti Rugova për ne është absolutisht heroi i paqes, humanisti dhe rilindësi i këtij shekulli, ishte vizionari që diti ta çojë popullin e tij atje ku ishte shkruar".
Duke e falënderuar delegacionin e Shqipërisë, që është ndër të parët që ka arritur në Prishtinë për t’i bërë nderimet e fundit presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, që ndërroi jetë të shtunën më 21 janar, kryetari i Kuvendit të Kosovë Nexhat Daci tha:
"Kosova edhe në momentet e zisë së thellë dhe të dhembjes së madhe, sot është më e fortë, e përballon më dinjitetshëm, sepse në Prishtinë është në përbërjen më të fuqishme të faktorit shqiptar".
Ndër mysafirët nga jashtë që bëri homazhe tek trupi i pajetë i presidentit Rugova ishte edhe ish-shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Michael Steiner, i cili tha se kryetari Rugova kishte vizion, sipas të cilit e ardhmja e Kosovës do të ishte demokratike, paqësore dhe prosperuese:
"Ky vizion tani po kthehet në një pasuri të presidentit Rugova dhe këta njerëz që me dinjitet po shprehin pikëllimin e tyre, presin nga përfaqësuesit e tyre që të kenë qëndrim unik për të realizuar këtë vizion të presidentit Rugova," tha ish-kryeadministratori Michael Steiner.
XS
SM
MD
LG