Ndërlidhjet

EKSPERTËT AMERIKANË DISKUTUAN IMPLIKIMET NGA ÇËSHTJA BËRTHAMORE E IRANIT


Nikola Krastev

Në Këshillin për Marrëdhënie të Jashtme në Nju Jork, ekspertët diskutuan dje implikimet politike për Uashingtonin që mund të dalin nga kriza rreth Iranit. Ata thanë se për dallim nga qeveria, opinioni iranian nuk është i preokupuar me çështjen bërthamore.
Ata identifikuan 5 qëllime kryesore të politikës amerikane ndaj Iranit: Teherani të detyrohet të rishikojë politikën bërthamore, t'i japë fund mbështetjes së terrorizmit, të bashkëpunojë me Irakun dhe Afganistanin dhe të ndryshojë qasjen ndaj problemit izraelito-palestinez. Shqetësimi i pestë është demokracia dhe të drejtat e njeriut në Iran.
Richard Haas, kryetar i Këshillit për Marrëdhënie të Jashtme, thotë se janë 4 opsione për Iranin që nuk përjashtojnë njëri-tjetrin. Opsioni diplomatik do të përfshinte ofertën amerikane që Irani fare të mos e ketë apo të ketë kapacitet të kufizuar bërthamor.
"Ne do t'u ofronim atyre pakon e shkopit dhe karrotës duke u thënë: Po e bëtë këtë, do të ketë shpërblim, në të kundërtën ju presin ndëshkime, sanksione politike, ekonomike dhe të tjera", thotë Haas.
Sipas tij, opcioni i dytë është ai ushtarak.
"Ky do të ishte një opsion ushtarak parandalues, por jo goditës, sepse ende nuk ka kërcënim real nga përdorimi i armëve armëve bërthamore", thotë Haas.
Opsioni i tretë, vazhdon ai, është fokusimi në vetë regjimin.
"Nëse Suedia nesër do të kishte armë bërthamore, nuk do të duhej të shqetësohemi shumë dhe sot as që do diskutonim për atë çështje. Por është shumë e qartë se karakteri i regjimeve ndikon po aq sa edhe natyra e kapaciteteve të tyre", tha ai.
Haas përfundoi se opcioni i katërt do të ishte që armët e mundshme bërthamore Irani t'i shfrytëzojë si Koreja e Veriut për të zbrapsur kërcënimet nga jashtë.
Panelisti Reuel Gerecht, një ish operativ i CIA-s në Lindjen e Mesme, nuk beson në zgjidhje diplomatike të krizës. Të gjitha përpjekjet diplomatike me Iranin deri tash kanë dështuar, thotë ai. E vetmja që do të sillte rezultate është që liderët iranianë të binden se sulmet ushtarake janë të pashmangshme nëse ata largohen nga tavolina e bisedimeve. Në këtë drejtim, thotë Gerecht, Shtetet e Bashkuara nuk i kanë dhënë garanca të tilla Teheranit, dhe si pasojë, pozicioni amerikan është i dobët. Ai thotë se edhe CIA tash është e dobësuar kur është fjala për Iranin.
"Nuk mendoj se promovimi dhe mbështetja e demokracisë do të jetë çështje serioze, përderisa nuk e fillojmë procesin e vështirë, por të ngadalshëm për t'i mbështetur disidentët në këtë vend", tha Gerecht.
Panelisti Keneth Pollack, drejtor i kërkimeve për Lindjen e Mesme nga Instituti Brookings në Uashington, thotë se çështja bërthamore e Iranit deri tash është problemi më shqetësues që ndeshen Shtetet e Bashkuara. Ai insiston se kur Irani të sigurojë armë bërthamore, zgjidhja e çështjeve të tjera do të jetë edhe më e vështirë.
"Ne në Shtetet e Bashkuara duhet që edhe çështjen e terrorizmit ta trajtojmë si pjesë të kësaj, meqë ajo absolutisht është e ndërthurrur ngushtë me programin bërthamor", tha Pollack, duke u shprehur i bindur se përveç kërcënimit ushtarak, edhe ekonomia mund të jetë faktor që ta ulë Iranin në tavolinën e bisedimeve.


XS
SM
MD
LG