Ndërlidhjet

STAVILECI: QËNDRIMET E KUNDËRTA MBI DECENTRALIZIMIN KËRCËNOJNË BISEDIMET NË VJENË


Esat Stavileci, akademik dhe ekspert juridik

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Stavileci si i shihni bisedimet për decentralizimin?

ESAT STAVILECI
Përgjithësisht mendoj se bisedimet për decentralizimin kanë një mangësi, sepse kanë filluar pas disa veprimeve të vendosjes së decentralizimit mbi parimin etnik dhe territorial dhe jo mbi parimin joetnik dhe joterritorial. Ky fakt natyrisht do të vështirësojë bisedimet rreth decentralizimit në veçanti dhe rreth statusit në përgjithësi, duke pasur parasysh se edhe në raundin e tretë të bisedimeve në Vjenë palët ofruan dy koncepte të kundërta. Po përpiqem t’i përmbledh me një fjali të zgjeruar – Beogradi pretendon decentralizimin në vija etnike që lidh vendbanimet serbe drejtpërdrejt me qendrën në Serbi, apo ndarjen e Kosovës në dy entitete, ndërsa në planin e Prishtinës përjashtohet në mënyrë eksplicite çdo kërkesë me karakter territorial, siç mund të jetë krijimi i korridoreve etnike, enklavave apo kërkesat territoriale, që synojnë ndarje territoriale përgjatë vijave etnike, qoftë “de iure” apo “de facto”. Pra, bisedimet janë vështirësuar në masë dhe unë pres që edhe raundi i katërt nuk do të mund t’i ofrojë palët, e ndoshta do t’i largojë edhe me tepër, kështu që do t’i mbetet ndërmjetësuesit ndërkombëtar që të përcaktohet, siç tha zoti Rohan me një rast, për mesin e zgjidhjeve.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka rrezik që palët përmes kësaj forme, kësaj procedure që ndiqet të vihen përpara aktit të kryer përmes një propozimi eventual të bashkësisë ndërkombëtare?

ESAT STAVILECI
Përgjithësisht duke shprehur rezervat e mia për gjithë procesin negociator edhe më parë kam shprehur një mendim se negociatat me vetë faktin që ke hyrë në to, kanë një çmim që do të thotë të pajtohesh me pjesë të mirë të kompromisit që do të shpërfaqë bashkësia ndërkombëtare. Unë kujtoj se qoftë pala shqiptare, qoftë pala serbe ndoshta do të detyrohen të pranojnë trysninë ndërkombëtare dhe duke u ballafaquar me faktin se këto palë sikur nga një raund në tjetrin, atëherë ka gjasa reale të përballen me trysni dhe me ofrimin e një dokumenti, që ndoshta nuk do të jetë i kënaqshëm për asnjërën nga të dyja palët.

RADIO EVROPA E LIRË
Në takimin e radhës që mund të jetë edhe i fundit për decentralizimin pritet të diskutohet për kufijtë e komunave të reja. Cili duhet të jetë kompozicioni i ri komunave në Kosovë?

ESAT STAVILECI
Përgjithësisht kujtoj se është mangësia e këtij procesi të decentralizimit që po pretendon të vendosë harta të reja etnike, sepse krijimi i komunave të reja shpërfaqë atë oreksin e Serbisë, e cili sa unë di, më tepër është e interesuar për territore serbe në Kosovë, sesa për serbët në Kosovë. Krijimi i komunave të reja, qofshin ato të quajtura serbe apo me shumicë serbe dhe po qe se kësaj i shtohet edhe mundësia e lidhjeve zinxhirore, kërkon që të kihet parasysh mundësia për ndarje dhe nënndarje të mëvonshme. Unë, natyrisht e këtë proces të decentralizimit e kam kuptuar si përpjekje të bashkësisë ndërkombëtare për të vendosur një proces të integrimit të pakicës serbe në institucionet e Kosovës, por droja që kam shfaqur dhe vazhdoj ta shfaq është se po qe se të gjitha veprimet që bëhen, dalin jashtë kornizave ligjore të Kosovës, atëherë kërcënohen me rrezikun për nënndarje të mëvonshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Mirëpo, bashkësia ndërkombëtare ka thënë disa herë se nuk do të ketë kurrfarë ndarjeje, as të jashtme dhe as të brendshme. Si reflektohen këto deklarata dhe a është në fakt ky qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare?

ESAT STAVILECI
Po, bashkësia ndërkombëtare, duke u deklaruar se nuk do të ketë ndarje, herë-herë ka përmendur si raporti i mëhershëm i ambasadorit Kai Edide, i cili jo vetëm që u ndal te mandati i tij për të nxjerrë përfundimin se mund të hapen bisedimet, por bëri edhe disa sugjerime të drejtpërdrejta, të cilave me sa unë po shoh ndërmjetësit po u përmbahen – kërkesës për zgjerimin e kompetencave të komunave serbe dhe ndoshta deri në shkallën e krijimit të ndonjë autonomie. Në fakt, ato ndarje në këtë shkallë nuk mund të kualifikohen, por me dhënien e kompetencave që dalin jashtë kufijve të standardeve evropiane, në mënyrë rë veçantë mundësia e lidhjeve zuinxhirore ndërmjet tyre, apo siç thuhet me qendrën, hë për hë nuk paraqet ndonjë rrezik, por rrezik permanent për të ardhmen.

RADIO EVROPA E LIRË
Mitrovica po ashtu do të jetë temë diskutimi, për ç’ gjë, sipas zyrës së Ahtisarit do të diskutohet jo ndarë, por si për secilën komunë tjetër. Si do të trajtohet sipas jush çështja e Mitrovicës dhe cila duhet të jetë zgjidhja?

ESAT STAVILECI
Përpara se t’i përgjigjem direkt pyetjes suaj më lejoni të përmend një shqetësim të madh që kam dhe e kam thënë edhe herë të tjera, edhe në radion tuaj- është fakti se pala shqiptare ka hyrë në bisedime para se të vendoset uniformiteti i territorit dhe me vetë këtë fakt, pala kosovare ka bërë një koncesion, do të thotë është ndeshur e hendikepuar para situatës, pasi edhe me rezolutën 1244 sigurohet uniformiteti i territorit, qoftë edhe ai dokument që nuk është kushedi se sa i favorshëm për Kosovën. Unë kujtoj se zgjidhja nuk është me rendiment të lartë, në qoftë se edhe krijimi i komunave, edhe të kësaj që po quhet e veriut të Mitrovicës, do të bëhej mbi baza etnike, mbi përpjekjet për të siguruar, siç tha Rohan, 70 deri 80 përqind, sepse atëherë kërcënohet rreziku me zhvendosje të popullatës apo me përqendrim të popullatës serbe në veri. Unë kujtoj se kufiri ndërmjet dy komunave që në fakt dalin nga një komunë ekzistuese nuk janë në lumin Ibër, por kufijtë e Kosovës me Serbinë dihet se ku janë, te kufiri Serbi-Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Stavileci përfaqësuesit e Kosovës janë shprehur kundër lidhjeve direkte të komunave kosovare me shumicë serbe me Beogradin. Si e vlerësoni ju këtë çështje dhe çfarë duhet të jenë lidhjet e tilla eventuale?

ESAT STAVILECI
Nëse niseni nga një klauzolë e Aktit Ndërkombëtar mbi Vetëqeverisjen Lokale, ai në fakt lejon mundësinë e një bashkëpunimi, por nuk lejon edhe mundësinë e lidhjeve, që kulmojnë me forma të institucionalizuara të lidhjeve të tyre. Pala shqiptare ka të drejtë dhe duhet të këmbëngulë që këto forma të bashkëpunimit dhe të lidhjeve të mos trajtohen, qoftë me ndonjë shtresë të veçantë të krijimit të pushtetit, qoftë me lidhje të cilat më vonë, në emër të decentralizimit do të shpërfaqeshin me krijesa të reja institucionale.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG