Ndërlidhjet

KANA / LIBAN


Së paku 60 civilë, përfshirë rreth 20 fëmijë kanë vdekur nga sulmet ajrore izraelite në fshatin Kana të Libanit jugor. Ushtria izraelite ka thënë se nga ai fshat militantët e Hezbollahut gjuanin raketa në territorin izraelit dhe se civilët ishin lajmëruar më herët të largohen prej aty. Kryeministri i Libanit, Fuad Siniora ka thënë pas sulmit të sotëm, se qeveria nuk mund të bisedojë me Izraelin për zgjidhjen e krizën përderisa nuk arrihet armëpushimi.
"Nuk ka vend për bisedime pa një armëpushim të menjëhershëm dhe përderisa nuk zhvillohen hetime për masakrën e sotme të Izraelit në Liban" ka thënë Siniora.
Ndërkohë kryeministri i Izraelit, Ehud Olmert ka shprehur keqardhjen e thellë për vdekjen e civilëve, mirëpo ka thënë se kjo nuk e ndalon ofensivën e Izraelit për të dëbuar militantët e Hezbollahut nga jugu i Libanit:
"Duhet të jetë e qartë se Izraeli nuk do të nxitojë për të arritur armëpushimin para se të vijmë në situatën ku ne mund të themi se ia kemi arritur qëllimet tona. Kjo kërkon zhvillimin e një procesi politik dhe arritjen e një marrëveshje të detajuar rreth vendosjes së forcave që do të siguronin zonat nga të cilat Izraeli është në rrezik" tha Olmert.
Vizita e sekretares amerikane të shtetit Kondoliza Rajs në Bejrut është anuluar me iniciativën e qeverisë libaneze.
Rajs ka vizituar Izraelin dhe nesër kthehet në Uashington. Ajo ka shprehur dhembjen për viktimat e sotme dhe tha se tash është koha të arrijmë ndaljen e luftimeve:
"Ne dëshirojmë armëpushim sa më shpejt që të jetë e mundur. Por palët duhet të bien dakord për një numër kushtesh që të arrihet armëpushimi" ka thënë Kondoliza Rajs.
XS
SM
MD
LG