Ndërlidhjet

ORBAN:"PAVARËSI PO, POR GRADUALE..."


Frank ORBAN, ish diplomat i SHBA-ve në Institutin e Uashingtonit

RADIO EVROPA E LIRË
Si i vlerësoni reagimet e Beogradit zyrtar ndaj një deklarate të Marti Ahtisarit se politika e Sllobodan Millosheviqit duhet të kihet parasysh në procesin e përcaktimit të statusit të Kosovës dhe a mund të ketë ky prononcim ndonjë efekt në definimin e statusit të Kosovës?

FRANK ORBAN
Nuk mendoj se kjo deklaratë ka ndonjë peshë, sepse nuk mundet një deklaratë, madje edhe nëse kemi të bëjmë me Ahtisarin, të ndikojë gjatë vendimarrjes për statusin e Kosovës. Kemi të bëjmë me një deklaratë që do të harrohet shpejt. NATO ka intervenuar me qëllim të ndaljes së persekutimit të shqiptarëve të Kosovës. Plagët ende nuk janë shëruar dhe kemi të bëjmë pikërisht me trashëgëmi, përkatësisht me pasojat e politikës së Millosheviqit. Kjo është esenca e asaj që ka thënë Ahtisari dhe kjo e vërtetë duhet të pranohet.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se Serbia në një mënyrë do të ndëshkohet për shkak të politikës dhe trashëgëmisë së Millosheviqit?

FRANK ORBAN
Nuk besoj se do të mbaheshin fare bisedimet për statusin e Kosovës sikur mos të ishin zhvillimet e njohura, përkatësisht lufta. Bashkësia ndërkombëtare do të kishte mbështetur mbetjen e Kosovës në përbërje të Serbisë po të mos ishin ngjarjet që janë zhvilluar ndërkohë. Nuk ka qenë në interesin e botës që kufinjët në Ballkan të ribëhen. Botës nuk i ka konvenuar krijimi i mini shteteve dhe veçanërisht jo në Ballkan. Mjerisht, në ndërkohë është zhvilluar luftë dhe bashkësia ndërkombëtare është gjendur para aktit të kryer. Tash në botë ekziston koncenzusi që Kosova të mos jetë pjesë e Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë epilogu të bisedimeve për statusin e Kosovës pritni?

FRANK ORBAN
Nuk mendoj se ka ndryshim në qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që pavarësia e Kosovës është e pashmangshme, por se duhet të jetë graduale. Pra, është e mundur pavarësia e kufizuar në 3 ose 5 vjet dhe pastaj Kosova do të ketë pavarësi të plotë. Ky vendim ende nuk është marrë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ndërkohë synojnë të animojnë shqiptarët dhe serbët që të fokusohen në çështjet praktike, siç janë ato ekonomike.

RADIO EVROPA E LIRË
A pritni që Rusia dhe Kina t'i kundërvihen pavarësisë së Kosovës?

FRANK ORBAN
Mendoj se pozicioni i Rusisë është enigmatikë. Roli i saj tash është më i rëndësishëm se vitin e kaluar. Në fakt Uashingtonit dhe Brukselit i duhet mbështetja e Rusisë rreth çështjeve tjera ndërkombëtare, para së gjithash të atyre që kanë të bëjnë me programet bërthamore të Iranit. Rrjedhimisht SHBA-të dhe BE-ja duhet të fokusohen më shumë në qëndrimin e Moskës rreth zgjidhjes së çështjes së Kosovës, sepse si do të mund të llogarisin në mirëkuptimin e Kremlinit rreth çështjeve tjera, nëse Moska nuk rrespekton qëndrimin e tyre rreth Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
A pritni që Moska dhe Pekini të bllokojnë rezolutën e Kombeve të Bashkuara për pavarësinë e Kosovës?

FRANK ORBAN
Nuk besoj se Rusia do të shkojë aq largë sa të përdor veton në Këshillin e Sigurimit. Supozoj se Moska do të insistoi në disa detale konkrete në kuadër të zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës dhe se Perendimi do t'i miratoj për shkaqet që i përmenda më lartë. Mbase mund të miratohet kërkesa e Rusisë që Kosovës t'i jepet pavarësi e plotë më vonë se ç'është pritur, për shembull pas 5 vitesh ose edhe më vonë. Këtu kemi të bëjmë edhe më çështjen e funksionimit të decentralizimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa politikanë dhe analistë serbë, por edhe një numër i ekspertëve ndërkombëtar përmendin korigjimin e kufinjëve, përkatësisht mundësinë që pjesa veriore e Kosovës t'i bashkohet Serbisë. Si e shihni ju këtë çështje?

FRANK ORBAN
Teoretikisht kjo është e mundur, me kusht që të mos çojë drejt coptimit të Kosovës. Shqiptarët e Kosovës kësaj i kundërvihen sepse konsiderojnë se "korigjimi i kufinjëve" në fakt është përpjekje e fshehtë për ndarjen e Kosovës. Nuk besoj se bashkësia ndërkombëtare do të pajtohet me një gjë të tillë, pos nëse nuk kemi të bëjmë me korigjim të parandësishëm të kufinjëve për çka do të pajtoheshin të dy palët.

Intervistoi: D. SHTAVLJANIN
XS
SM
MD
LG