Ndërlidhjet

POLICIA DHE KFOR-I SHTOJNË MASAT E SIGURISË NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Forcat paqëruajtëse ndërkombëtare KFOR dhe policia e UNMIK-ut dhe Shërbimi Policor i Kosovës kanë shtuar ditët e fundit masat e sigurisë, posaçërisht duke shtuar praninë e tyre nëpër rrugët e Kosovës, për të demonstruar forcën, kanë bërë të ditur zyrtarë të KFOR-it dhe të policisë në Prishtinë.

Zyrtarë të forcave paqeruajtëse kanë bërë të ditur se kanë shtuar praninë në rrugë për të demonstruar forcën dhe për të mos lejuar përsëritjen e sulmeve me bomba që kanë ndodhur ditët e kaluara, ndërkohë që për masa të shtuara të sigurisë kanë bërë të ditur edhe zyrtarë të policisë së Kosovës. Zëdhënësja e Shërbimit Policor të Kosovës, Sabrie Kamberi ka konfirmuar sot për radion Evropa e Lirë, shtimin e masave të sigurisë përgjatë gjithë Kosovës:

"Masat e shtuara të sigurisë kanë filluar kohë më parë me fillimin e fazës së tretë të sigurisë së rreptë, ku janë shtuar patrullimet në të gjitha rajonet e Kosovës, e gjithashtu edhe patrullimet me vetura dhe me këmbë, në mënyrë që ata të jenë prezentë sa ma shumë në të gjitha rrugët e Kosovës", tha zonja Kamberi.

Shtimin e masave të sigurisë e ka kërkuar dje përmes një deklarate edhe Kuvendi i Kosovës, pas disa sulmeve me bomba që kanë ndodhur në disa ditët e shkuara, me ç’rast ka pasur të plagosur dhe dëme materiale. Zëdhënësja Kamberi tha se këto sulme kanë qenë ndër arsyet për shtimin e masave të sigurisë:

"Janë më të kujdesshëm dhe më të vëmendshëm, por tash është shtuar edhe një vigjilencë më e madhe për shkak të sulmeve me bomba të ditëve të fundit", tha zonja Kamberi.

Sidoqoftë, zëdhënësja Kamberi tha se masat e shtuara kanë të bëjnë edhe me fazën në të cilën kanë hyrë bisedimet për statusin e Kosovës:
"Tashmë është publikuar dhe është duke u biseduar rreth statusit, prandaj kjo është një ndër arsyet që ne i kemi shtuar edhe masat e sigurisë".

Ndryshe nga shtimi i masave të sigurisë në rajone të tjera të Kosovës, në Mitrovicë situata duket më e relaksuar, pas sulmit që pati ndodhur në një kafene në pjesën veriore të banuar nga shumica serbe. Zëdhënësi i policisë së UNMIK-ut në Mitrovicë, Larry Miller ka bërë të ditur sot se janë krijuar kushtet për hapjen e urës mbi lumin Ibër, pas më se tre javësh:

"Të hënën më datën 25 në orën shtatë të mëngjesit ura kryesore në Mitrovicë do të jetë e hapur për të gjithë, si për automjete, ashtu edhe për këmbësorë," tha Larry Miller, sipas të cilit ura do të mund të mbetet e hapur për të gjithë, por do të ketë një prani të shtuar të KFOR-it dhe të policisë, për të ofruar sigurinë e mjaftueshme për të gjithë qytetarët që kalojnë nga jugu në veri dhe anasjelltas.


XS
SM
MD
LG