Ndërlidhjet

Pezullohet emisioni i Jimmy Kimmelit për shkak të deklaratave të tij rreth vrasjes së Charlie Kirkut


Jimmy Kimmel. Fotografi nga arkivi.
Jimmy Kimmel. Fotografi nga arkivi.

Rrjeti televiziv amerikan, ABC, ka pezulluar emisionin e komedianit Jimmy Kimmel për një afat të pacaktuar, pas deklaratave që ai bëri lidhur me vrasjen e aktivistit konservator, Charlie Kirk.

Deklaratat e tij nxitën një grup stacionesh të lidhura me ABC-në të deklaronin se nuk do ta transmetonin emisionin e tij.

Kimmel bëri disa deklarata lidhur me reagimet ndaj vrasjes së aktivistit konservator, javën e kaluar, gjatë emisionit “Jimmy Kimmel Live”, të hënën dhe të martën, përfshirë edhe deklaratën se “shumë njerëz në botën MAGA [Bëje Amerikën Sërish Madhështore] po punojnë shumë për të përfituar nga vrasja e Charlie Kirkut”.

ABC, që ka transmetuar emisionin e Kimmelit që nga viti 2003, mori vendimin pasi grupi Nextar Communications, që ka në pronësi një numër stacionesh, tha se do të ndalte transmetimin e emisionit nga e mërkura.

Deklaratat e Kimmelit për vdekjen e Kirkut “janë fyese, të pandjeshme dhe janë bërë në një moment kritik të diskutimit tonë politik kombëtar”, tha Andrew Alford, president i divizionit të transmetimeve në Nextar.

Nextar operon me 23 stacione të lidhura me ABC-në.

Kimmel, kontrata e të cilit me ABC-në përfundon në maj të vitit 2026, ende nuk ka reaguar. Ndërkaq, në njoftimin e ABC-së nuk u përmendën arsye se pse u ndalua emisioni.

Presidenti amerikan, Donald Trump, mirëpriti vendimin dhe shkroi në Truth Social: “Urime ABC-së, që më në fund pati kurajë të bëjë atë që duhej bërë”.

Ndërkaq, kreu i Komisionit Federal të Komunikimit të Shteteve të Bashkuara, Brendan Carr, kishte thënë, para këtij vendimi, se deklaratat e Kimmelit ishin “të neveritshme” dhe shtoi se agjencia ka një rast të fortë për të mbajtur Kimmelin, ABC-në dhe rrjetin partner, Walt Disney Co., përgjegjës për përhapje të dezinformatave.

Ai tha se Kimmel dukej se po bënte përpjekje të qëllimshme për të mashtruar publikun lidhur me vrasjen e aktivistit Kirk, mbështetës i Trumpit.

Gjatë monologut të hënën mbrëma, Kimmel kishte sugjeruar se dorasi i dyshuar i Kirkut, Tyler Robinson, mund të ketë qenë pro Trumpit. “Banda MAGA me dëshpërim po tenton ta paraqesë këtë person, që e vrau Charlie Kirkun, si diçka tjetër e jo si njërin prej tyre, dhe po bën gjithçka për të fituar pikë politikë nga kjo ngjarje”, kishte deklaruar Kimmel.

“Kjo është çështje shumë serioze për Disney-n”, kishte pohuar Carr. “Këto kompani mund të gjejnë mënyra për të ndërmarrë veprime ndaj Kimmelit, ose agjencia do të ndërmarrë masa”, kishte thënë ai.

Autoritetet thonë se sulmuesi i dyshuar i Kirkut u rrit në një familje konservatore në Juta, por ishte përfshirë “në ideologji të majtë”.

Prindërit e tij u kanë thënë hetuesve se ai ndryshoi ideologjinë politike vitin e kaluar, dhe mbështeti të drejtat e komunitetit LGBTQ. Ai i kishte thënë partnerit të tij transgjinor se e kishte vrarë Kirkun sepse “nuk mund ta duronte më urrejtjen e tij”.

Pak kohë më parë, emisioni i një tjetër komediani, Stephen Colbert, u ndërpre nga rrjeti CBS, i cili përmendi arsye financiare që gjoja qëndrojnë prapa vendimit të tij.

Por, disa kritikë kanë thënë se Trump mund të ketë pasur rol në këtë vendim. Colbert dhe Kimmel kanë pasur në shënjestër Trumpin gjatë emisioneve të tyre.

Trump i ishte gëzuar ngjashëm ndërprerjes së emisionit të Colbertit.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG