Ndërlidhjet

Abuzimi me të prekurit nga autizmi: Si të parandalohet ndërhyrja joprofesionale?


Një fëmijë me autizëm në një qendër për trajtim.
Një fëmijë me autizëm në një qendër për trajtim.

Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.

Raportimet në mediat lokale në Kosovë se një individ i caktuar ka abuzuar me fëmijë të prekur nga autizmi përmes eksperimenteve të kundërligjshme me ilaçe të sanksionuara, i ka rritur dilemat nëse shteti po bën mjaftueshëm për këtë kategori të shoqërisë dhe çfarë mund të përmirësohet që prindërit, apo personat që asistojnë individët e prekur, të mos tundohen nga metodat që promovojnë joprofesionistët. Ku duhet të jetë pikënisja?

Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për temën më të përfolur të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.

Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!

🎧 Dëgjojeni këtë newsletter:

Abuzimi me të prekurit nga autizmi: Si të parandalohet ndërhyrja joprofesionale?
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:04:40 0:00

“Prindërit, për të gjetur metoda që u ndihmojnë fëmijëve të tyre [me autizëm] lëvizin çdo gur të mundshëm vetëm që të provojnë alternativa për të bërë ndryshim tek ata”.

Kështu e përshkruan Jeta Deva, udhëheqëse e organizatës joqeveritare Asociacioni Nacional i Autizmit, merakun dhe përpjekjet e prindërve për t’ua lehtësuar sa më shumë jetën fëmijëve të tyre të prekur me autizëm.

Rrëfimet që i ka dëgjuar ditëve të fundit në Kosovë për abuzimin e disa prej këtyre personave, për të janë ndër më të rëndat ndër vite.

Pas raportimeve në media lokale të Kosovës, Policia bëri të ditur se e ka arrestuar Arianit Sllamnikun nën dyshimet për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe eksperimenteve të kundërligjshme me ilaçe.

Ky 48-vjeçar, që nuk ka asnjë thirrje profesionale për t’u marrë me persona me autizëm, raportohet të ketë kërkuar mijëra euro për gjoja shërimin e këtyre personave.

Por, shkenca thotë se deri më sot autizmi nuk shërohet.

Çrregullimi i spektrit të autizmit lidhet me zhvillimin e trurit. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, një në 127 persona në botë preket nga autizmi.

Kjo gjendje mund të shkaktojë probleme në komunikim dhe në marrëdhëniet shoqërore me të tjerët. Termi "spektër" i referohet gamës së gjerë të simptomave.

Prandaj askund nuk ekziston një manual i saktë për trajtimin e kësaj gjendjeje.

Secili rast i ka nevojat e veta.

Terapia e sjelljes konsiderohet ndër më efektivet për këta persona.
Terapia e sjelljes konsiderohet ndër më efektivet për këta persona.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka thënë përmes një postimi në Facebook se i ka ndjekur me shqetësim raportimet për rastin. Koalicioni i organizatave joqeveritare për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë – KOMF u ka bërë thirrje autoriteteve shtetërore që të marrin masa për të ndaluar veprime të tilla.

Por, çfarë realisht mund të bëhet?

Bind Skeja, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS) e konsideron thelbësor ndryshimin e qasjes së shtetit ndaj pacientëve.

“Tani për tani, shteti, konkretisht Ministria e Shëndetësisë, kur punon për të formuar mekanizma të rinj dhe politika të reja, pacientët nuk janë fare të përfshirë në proces. E kjo duhet të ndryshojë. Kur shteti e kupton që roli i vet është t’i dëgjojë qytetarët, t’i marrë afër qytetarët dhe t’i bëjë pjesë të procesit, atëherë edhe këto probleme do të nisin të largohen, sepse kjo qasje natyrshëm i sjell zgjidhjet më relevante për këta persona”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë (REL).

Ministria e Shëndetësisë konfirmoi për REL-in se në Kosovë nuk ekziston asnjë institucion shëndetësor i licencuar ekskluzivisht për trajtimin e autizmit, por funksionojnë ambulanca të logopedisë dhe psikologjisë klinike, të cilat ofrojnë shërbime mjekësore për këtë kategori.

REL-i iu drejtua edhe Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për të kuptuar se çfarë trajtimesh ofron për këta persona dhe sa është numri i personelit të angazhuar, por nuk mori përgjigje.

Pamje nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
Pamje nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

Kur mbështetja e shtetit nuk mjafton

Për Jeta Devën, problemi kryesor qëndron te mungesa e mbikëqyrjes dhe komisioneve etike, çka, sipas saj, u mundëson shumë personave të vetëshpallen profesionistë dhe të ndërmarrin veprime të jashtëligjshme.

Kosova nuk duket se ka as regjistër se sa persona janë të prekur nga autizmi – pasi futen në kategori me personat tjerë me aftësi të kufizuara.

Deva ka treguar për REL-in se ka pasur raste kur Ministria e Drejtësisë – që tani është përgjegjëse edhe për shërbimet sociale – ka mbështetur disa organizata në ofrimin e trajtimeve për personat e prekur me autizëm, por kjo nuk mjafton.

Aktualisht shteti ndan nga 150 euro në muaj për këtë kategori, ndërsa ka raste kur vetëm një seancë në klinika private kushton 50 euro.

Ligjet parashohin edhe ofrimin e asistencës në shkolla, mirëpo tradicionalisht ka pasur ankesa se numri i asistentëve është i pamjaftueshëm dhe ka prindër që detyrohen të paguajnë vetë kur e angazhojnë dikë.

Jeta Deva tregon se mbi 90 për qind e nënave me fëmijë me skeptër të autizmit detyrohen të ndërpresin shkollimin apo punësimin për t’u kujdesur për fëmijët e tyre, pasi jo të gjithë mund të angazhojnë asistent.
Jeta Deva tregon se mbi 90 për qind e nënave me fëmijë me skeptër të autizmit detyrohen të ndërpresin shkollimin apo punësimin për t’u kujdesur për fëmijët e tyre, pasi jo të gjithë mund të angazhojnë asistent.

Sipas një hulumtimi të kryer nga profesorë të Departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës në Komunën e Prishtinës, vërtetohet se prindërit e personave të prekur nga autizmi ballafaqohen me boshllëqe në shërbimet institucionale dhe me vështirësi financiare.

Edhe Jeta Deva beson se mbështetja financiare do të duhej të ishte stabile dhe shteti t'iu garantonte të prekurve shërbime pa pagesë.

“Është një lloj diskriminimi, kush i ka mundësitë mund të përfitojë nga seancat, mirëpo familjet që nuk i kanë kushtet janë shumë më të diskriminuara”, thotë Deva, duke treguar se aktualisht në organizatën që udhëheq ajo marrin trajtime rreth 60 fëmijë të prekur nga autizmi.

Ani pse nuk ka shërim, ekspertët pajtohen se diagnostikimi i hershëm është shumë i rëndësishëm për përmirësimin e aftësive kognitive, sociale dhe të komunikimit të këtyre personave.

Akademia Amerikane e Pediatërve rekomandon që të gjithë fëmijët të kontrollohen për autizëm në periudhën mes 18-24 muajsh, pasi atëherë shfaqen simptomat e para.

Shkaqet që çojnë në autizëm nuk dihen ende, por besohet se karakteristikat neurologjike mund të zhvillohen qysh në shtatzëni.

Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).

Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:

Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG