Ndërlidhjet

Dy boshnjake dhe një serbe - miqësia nxit suksesin për sportistet e Srebrenicës


Klubi i Karatesë "Zelja ipon" nga Srebrenica, Bosnje e Hercegovinë. 10 nëntor 2022.

Për një treshe karatistesh adoleshente nga Bosnje e Hercegovina – dy boshnjake dhe një serbe - uniteti në këtë sport fillon me injorimin e armiqësive etnike dhe fetare që nxitën gjenocid në qytetin e tyre – Srebrenicë - vetëm një dekadë para se ato të lindnin.

"Jam vërtet e lumtur se sa të bashkuara jemi", thotë trajnerja e tyre, Kristina Marinkoviq, një ish-kampione bote që garoi për ekipin kombëtar serb, por ka një dekadë në klubin e karatesë “Zelja Ipon” në Srebrenicë.

“Ne jemi vërtet një familje e madhe dhe kur e them këtë, nuk e ekzagjeroj”.

Nën udhëheqjen e saj, Merjema Pestaliq, Kristina Stanojeviq dhe Aldijana Salihoviq, janë bërë tri nga konkurrentet më të vështira dhe më të suksesshme të karatesë të Bosnje e Hercegovinës.

Muajin e kaluar, ato fituan medaljen e bronztë në Kampionatin Ballkanik të karatesë që u mbajt në Mali të Zi.

Ato e shohin veten më shumë si "motra", sesa si shoqe apo partnere në klubin e karatesë – aty ku u njohën – e që në këtë art marcial janë shumë të mira.

"Unë e di se gjithmonë mund t'u besoj atyre", thotë Stanojeviq për Shërbimin Ballkanik të Radios Evropa e Lirë.

"Ne kurrë nuk kemi pasur problem me fenë, sepse jemi të njëjta në çdo drejtim. As që e kemi përmendur ndonjëherë, sepse kjo nuk do të thotë asgjë për ne".

“Kurrë nuk e kam menduar”

Popullsia e Srebrenicës prej rreth 2.400 banorësh është e ndarë në mënyrë të barabartë ndërmjet serbëve etnikë, të cilët janë kryesisht të krishterë ortodoksë, dhe boshnjakëve, të cilët janë kryesisht myslimanë.

Qyteti dhe zona përreth ishin skena e një prej masakrave më shkatërruese të Evropës në vitin 1995, kur forcat serbe të Bosnjës mblodhën dhe ekzekutuan më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë pak para se të përfundonte Lufta e Bosnjës.

Gjykatat ndërkombëtare e konsiderojnë atë si gjenocid, megjithëse shumë serbë etnikë ende këmbëngulin se ndërsa ajo ishte një tragjedi, nuk kishte asnjë përpjekje të koordinuar për spastrim etnik apo fetar në Srebrenicë.

Ekspertët e mjekësisë ligjore dhe të tjerët ende kërkojnë mbetje nga varret masive dhe vende të tjera përreth, si dhe trupat e qindra viktimave të tjera ende nuk janë gjetur.

Pestaliq 17-vjeçare, Salihoviq, 16-vjeçare dhe Stanojeviq, 17-vjeçare, kanë lindur të gjitha një dekadë të plotë pas kësaj tragjedie dhe shkojnë në të njëjtën shkollë të mesme. Pestaliq dhe Salihoviq janë boshnjake, ndërsa Stanojeviq është serbe.

Ata u takuan në klubin e karatesë në vitin 2013 dhe thonë se kanë qenë shoqet më të mira që atëherë.

"Nuk ka rëndësi se çfarë feje është ajo, unë thjesht e dua shumë atë", thotë Salihoviq kur u pyet për shoqen e saj serbe.

"Sigurisht, jo", përgjigjet Pestaliq me kur pyetet nëse ka hasur në probleme pasi shoqërohet me Stanojeviqin.

"Unë as që kam menduar për ato gjëra. Kështu më kanë rritur prindërit e mi dhe ne përgjithësisht nuk shikojmë se kush është çfarë feje - nuk ka rëndësi për ne, ne jemi të gjithë njësoj", thotë ajo.

Pavarësisht pyetjeve rreth përkatësisë etnike ose fetare, miqësia e tyre lë të kuptohet për shërim dhe falje edhe midis brezave të vjetër të Srebrenicës.

Babai i Pestaliqit, Damir Pestaliq, është kryeimami i Srebrenicës, kreu i komunitetit islamik lokal. Ai e quan klubin e karatesë “Zelja Ipon” një vend "që ngjall shpresë, forcë dhe optimizëm te të gjithë njerëzit normalë dhe më vjen mirë që shumë njerëz e kanë vënë re këtë".

Babai i Salihoviqit, Esnaf Salihoviq, e quan klubin e karatesë një shembull të shkëlqyer të bashkëjetesës.

“Ne të gjithë e ëndërrojmë këtë, veçanërisht fëmijët tanë që kanë lindur pas gjenocidit, të cilët nuk janë të rënduar nga të gjitha këto gjëra, ata janë ndryshe”, thotë ai.

"Ata kanë pikëpamje më të gjera. Dinë të njohin atë që është e keqe dhe krim, dinë si ta dënojnë atë dhe të vendosin një vijë midis asaj që ndodhi dhe atyre që kanë lindur më vonë".

“Ambasadoret më të mira të Srebrenicës"

Vajzat e forta kanë qenë kampionet kombëtare të Bosnjes që nga viti 2018, dhe në vitin 2019 fituan gjithashtu kampionatet rajonale.

Ato kanë udhëtuar në gara në Finlandë, Republikën Çeke, Turqi – e vende tjera - duke kundërshtuar realitetin fatkeq, ku shumica e të huajve e shohin Srebrenicën si pak më shumë se një eponim të brutalitetit dhe tragjedisë.

"Shumica e njerëzve janë të befasuar që tri vajza vijnë nga një shtet kaq i vogël si Bosnja dhe bëjnë mirë", thotë Stanojeviq. “Ne jemi këtu për të dëshmuar se mundemi”.

Zelja Ipon financohet pjesërisht nga buxheti i qytetit.

Pjesa tjetër vjen nga donacionet private, sipas trajneres Marinkoviq.

"Aktualisht, ato janë ambasadoret më të mira të Srebrenicës", tha ajo.

Përgatiti: Erjonë Popova
XS
SM
MD
LG