Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Aleanca për Shqiptarët shqyrton pozicionin në Qeveri


Ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë, fotografi nga arkivi

Shumica parlamentare mund të prishet, nëse Aleanca për Shqiptarët që ka dy deputetë, largohet nga Qeveria e Maqedonisë edhe pse nga Lidhja Socialdemokrate (LSDM) thonë se në rast të largimit të partisë që drejtohet nga Ziadin Sela, ajo do të sigurojë mbështetje të re, duke aluduar edhe në dy votat e Partisë Demokratike Shqiptare.

Shumica parlamentare që përbëhet nga Lidhja Socialdemokrate, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët aktualisht ka 62 deputetë, nga 61 sa duhet të ketë shumica në Kuvendin prej 120 deputetësh.

Përplasjet mes partive të koalicionit, Aleancës për Shqiptarët nga njëra anë dhe LSDM-së e BDI-së nga ana tjetër, kanë nisur tani një kohë lidhur me akuzat e partisë së Selës ndaj kryeministrit Zoran Zaev, për amnistinë e BDI-së nga shpërdorimet e mundshme në kohën e qeverisjes së saj me VMRO-në, por edhe për çështje tjera. Në këtë ka ndikuar edhe koalicioni i Aleancës në zgjedhjet lokale me Lëvizjen Besa që është në opozitë, por edhe i LSDM-në me BDI-në, ndërsa përplasjet kanë vazhduar me postin e ministrit të Shëndetësisë që drejtohej nga partia e Selës, por që tani i synohet nga LSDM-ja, pasi ministri i deritanishëm i Aleancës, Arben Taravari është zgjedhur kryetar i komunës së Gostivarit.

Aleancës për Shqiptarët i është ofruar një post i zëvendëskryeministrit për reforma, por kjo është refuzuar duke thënë se Aleanca “nuk pranon që të jetë pjesë e Qeverisë, e nënçmuar dhe e ofenduar”.

Duke komentuar përplasjet e tilla, njohësit e çështjeve politike thonë se kriza duhet të kapërcehet sa më parë për shkak të ngecjes së reformave, por ata gjithashtu theksojnë nevojën që Aleanca të mbetet pjesë e Qeverisë.

“Vlerësoj se shumë kohë kemi humbur, pasi Maqedonia nuk është në situatë që negociata të këtilla të jenë të patundshme. Pavarësisht se cila do të jetë zgjidhja, reformat duhet të vazhdojnë në të gjitha sferat, përfshirë edhe shëndetësinë, pasi qytetarët qofshin ata maqedon apo shqiptar, i kishin dhënë besimin partive për të realizuar reforma dhe për të zhvilluar vendin. Nëse këtë nuk e bëjnë, humbësit më të mëdhenj do të jenë pikërisht këto parti”, thotë Nikoll Dujoski, njohës i çështjeve politike.

Arsim Sinani nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike, thotë se nuk është vetëm problemi me Aleancën, por edhe elementët e VMRO-së që ende janë të pranishëm në Qeveri, ata që e vështirësojnë punën e Qeverisë dhe me këtë procesin e reformave.

“Qeveria e Zaevit përballet me disa probleme, dhe i pari është klani i BDI-së, i cili deri dje bashkëpunonte me VMRO-DPMNE-në, dhe ky klan dëshiron që Zaevit t’ia minojë sukseset. E dyta, nëse kryeministri e largon Aleancën për Shqiptarët nga Qeveria, atëherë do të futet në një proces riciklimi dhe nëse eventualisht e fut në Qeveri Partinë Demokratike Shqiptare, që s’ka asnjë influencë te shqiptarët, atëherë futet në një proces edhe më të thellë të VMRO-izimit të Qeverisë me ose pa dëshirë”, thotë Siani duke shtuar se nëse ndodhë një skenar i këtillë atëherë Lidhja Social Demokrate. që drejton Qeverinë, do të tradhtojë, sipas tij, interesat e shqiptarëve, të cilët me votën e tyre ndihmuan në rënien e Qeverisë së Nikolla Gruevskit dhe kthimin e vendit në kursin e reformave me formimin e Qeverisë së re nga LSDM-ja.

Madje, ai thotë se për proceset në vend do të ishte mirë që në Qeveri të përfshihet edhe partia tjetër opozitare shqiptare, Lëvizja Besa, me çka sipas Sinanit do të dobësoheshin elementët e Qeverisë së kaluar të VMRO-së në qeverinë aktuale, dhe se me këtë do t’i jepej një shtytje procesit të reformave.

“Kjo vlerësoj se i garanton Zaevit që të ruaj kursin dhe dispononimin e shqiptarëve. Një pjesë e shqiptarëve votuan në mënyrë të mençur për LSDM-në duke mos i besuar BDI-së dhe kombinatrikave të tyre në të kaluarën. Nëse Zaevi lëvizë prej kësaj apo këtij mentaliteti të shqiptarëve, ai mund të përballet me pranverën shqiptare e cila do të jetë si lumi dhe të cilin ai nuk do të mund ta kontrollojë”, thotë Sinani.

Qeveria e re është formuar në qershor dhe prioritet kryesor i saj në këto muaj ka qenë reformimi i sistemin gjyqësor, zgjidhja e problemeve ndëretnike, si miratimi i Ligjit për gjuhët, e para se gjithash kthimi i vendit në kursin e integrimit euroatlantik.

XS
SM
MD
LG