Ndërlidhjet

Ambientalistët në Shkup bllokojnë deponinë ‘Drislla’


Ajri i ndotur në Shkup
Ajri i ndotur në Shkup

Aktivistë që merren me mbrojtjen e mjedisit në Maqedoni, për 15 minuta mesditën e së premtes kanë bllokuar hyrjen e deponisë ‘Drislla’ në Shkup.

Kryeqyteti i Maqedonisë, Shkupi, është ranguar ndër qytetet me ajrin më të ndotur në botë.

Organizatat ekologjike kanë thënë se përmes iniciativës “Të bashkuar për ajër të pastër”, synojnë të kthejnë vëmendjen e organeve kompetente kah ndotja enorme e ajrit në Shkup, që burim ka këtë deponi, për shkak të djegies jashtë normave të lejuara të mbetjeve medicinale.

Deponia 'Drisla'
Deponia 'Drisla'

Ambientalistët u janë drejtuar organeve kompetente me kërkesën që të ndryshohet rregullorja për kryerjen e mbikëqyrjes inspektuese, duke e harmonizuar atë me normat që vlejnë në shtetet e zhvilluara evropiane. Ata, po ashtu, kanë kërkuar që të ndërpritet menjëherë marrëveshja me i investitorin, i cili ka marrë këtë deponi me koncesion, për shkak të mosrespektimit të dispozitave të marrëveshjes për menaxhimin e mbeturinave.

“Ditëve të fundit ka pasur dyshime shumë serioze për djegien e mbetjeve medicinale në deponinë ‘Drislla’ jashtë normave të lejuara dhe problemi qëndron në atë se kjo deponi nuk i plotëson standardet e nevojshme për djegien e mbetjeve medicinale”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Arianit Xhaferi, nga organizata ekologjike “Ecoguerilla”.

Sipas tij, menjëherë duhet të ndërpritet kontrata me investitorin.

“Maqedonia nuk ka kapacitet për t’u përballur as me sasinë e mbeturinave të veta, ashtu që importi i mbeturinave nga disa shtete të Bashkimit Evropian, lë dyshime për lidhje korruptive dhe implikim të mundshëm edhe të interesave mafioze. Kërkojmë që Prokuroria publike të hetojë këtë veprimtari pa ndikim të biznes-interesave dhe politikës”, ka theksuar Xhaferi.

Por, zyrtarë nga deponia ‘Drislla’ janë arsyetuar se, zvarritja e vendimit gjyqësor rreth kontestit gjatë ndarjes së koncesionit të firmës që do të menaxhojë me mbeturinat, është ajo që ndikon negativisht në zhvillimin e deponisë.

Kompania italiane “Ambiente”, e cila për tetë vjet ka menaxhuar deponinë, nuk i ka përmbushur detyrimet e dala nga marrëveshja për koncesion, nën arsyetimin se marrëveshja është kontestuar në gjykatë.

Ndërkaq, Aleksandra Bujarovska, ambientaliste, thotë se mungesa e përgjegjësisë, si dhe procesi i ngathtë i hetimeve nga ana e organeve kompetente, ka bërë që deponia e ‘Drisllës’ të mos respektojë normat ligjore, duke kontribuar në masë të madhe të rritet niveli i ndotjes së ajrit, me atë që Shkupi është radhitur në krye të qyteteve të botës si qyteti me ajrin më të ndotur.

“Si organe, të cilat duhet të bartin përgjegjësi se pse ‘Drislla’ djeg mbetje medicinale, pa i plotësuar standardet do të fokusoja ata që lejojnë vazhdimin me punë pa inkorporuar teknologjinë e re, përkatësisht pa i përmbushur standardet, më pas mungesën e inspektimeve nga ana e Inspektoratit shtetëror që është përgjegjës për ambientin jetësor, shikimi përmes gishtërinjve nga ana Ministrisë së Ambientit jetësorë”, thotë Bujarovska.

Deponia "Drislla"
Deponia "Drislla"

Ndryshe, deponia e ‘Drisllës’ është e vetmja deponi në Maqedoni, e cila ka marrëveshje koncesioni për djegien e materialit medicinal.

Gjatë vitit 2018 në këtë deponi janë djegur 989 ton mbetje medicinale pavarësisht ndalesave, përkatësisht kufizimit vetëm në tetë orë për djegie, për shkak se furra për djegien e mbeturinave medicinale është e vjetër dhe e amortizuar dhe si e tillë ndot ajrin në masa enorme duke shkelur të gjitha standardet ekologjike.

Për një kilogram të djegur mbetje medicinale, deponia fiton 56 denarë (rreth 9 centë), ndërsa vetëm gjatë vitit të kaluar ka fituar rreth 900 milionë euro.

Për mosrespektim të kufizimit të orëve të caktuara për djegie të mbetjeve medicinale deponia ka paguar dënim prej vetëm 8 mijë e 500 eurosh.

Banorët e fshatrave që gravitojnë në afërsi të deponisë ‘Drislla’ thonë se vendbanimet e tyre shpeshherë mbulohen nga tymi dhe vjen erë e keqe, veçanërisht gjatë mbrëmjes.

XS
SM
MD
LG