Ndërlidhjet

Blinken në Kongres mbron tërheqjen nga Afganistani


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pritet të përballet me një raund tjetër pyetjesh në lidhje me tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani.

Më 14 shtator ai do të paraqitet para Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit, ndërsa një ditë më herët ai u përballë me Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

Të hënën, gjatë pesë orëve të dëshmisë ai u tha ligjëvënsve se SHBA-ja "mori vendimin e duhur për t'i dhënë fund luftës më të gjatë të Amerikës".

Ai vazhdimisht gjatë paraqitjes së tij tha se tërheqja nga Afganistani bazohej në bazë të marrëveshjes së vitit 2020 të cilën e kishte arritur presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump me talibanët.

“Ne trashëguam një afat dhe jo një plan”, tha Blinken.

Ai shtoi se administrata e presidentit, Joe Biden ishte shumë e fokusuar në ruajtjen e sigurisë së amerikanëve, por edhe duke bërë vlerësime sesa gjatë do të mund të mbijetonte Qeveria afgane e mbështetur nga Perëndimi.

Ai u tha ligjëvënësve se administrata është e përkushtuar të evakuojë amerikanët që duan të largohen nga Afganistani sikurse afganët që janë në rrezik nën sundimin taliban.

Në Afganistan, sipas tij, mbeten rreth 100 shtetas amerikanë se bashku me “disa mijëra” që posedojnë leje qëndrimi të përhershëm amerikan.

Një katastrofë dhe turp e quajtën procesin e tërheqjes nga Afganistani, disa anëtarë republikanë të Komitetit.

Të paktën dy republikanë i bënë thirrje Blinkenit që të japë dorëheqjen dhe disa thanë se Departamenti i Shtetit duhet të kishte bërë më shumë për të siguruar që amerikanët dhe afganët në rrezik të evakuoheshin pasi talibanët morën kontrollin e Kabulit më 15 gusht.

Tërheqja e papritur nga Afganistani, sipas ligjvënësit republikan, Michael McCaul, kishte "trimëruar talibanët" dhe kundërshtarët e tjerë.

"Unë mund ta përmbledh këtë me një fjalë: tradhti", tha ai.

Përfaqësuesi tjetër republikan, Lee Zeldin tha se Blinken duhet të japë dorëheqjen. Ai e quajti procesin e tërheqjes "me dobësi fatale dhe të ekzekutuar dobët".

Kreu i Komitetit, përfaqësuesi demokrat, Gregory Meeks, pranoi se kishte pasur probleme dhe shprehu shqetësim për njerëzit që janë lënë në Afganistan.

"Unë do të dëshiroja të dëgjoja se si do të mund të dukej një tërheqje e qetë nga një luftë e çrregullt kaotike 20-vjeçare", tha ai.

Duke iu përgjigjur pyetjeve dhe komenteve të ligjvënësve, Blinken tha se evakuimi u bë në kushte të vështira pas një "përpjekjeje të jashtëzakonshme" nga diplomatët, ushtarakët dhe profesionistët e inteligjencës.

Rreth 124,000 njerëz u evakuuan në mënyrë të sigurt përmes njërit nga proceset më të mëdha të evakuimit ajror në histori, tha ai.

Blinken u zotua se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ndihmën për popullin afgan përmes organizatave joqeveritare dhe agjencive të Kombeve të Bashkuara.

Ai gjithashtu tha se Shtetet e Bashkuara do të rivlerësojnë marrëdhëniet e tyre me Pakistanin në javët e ardhshme për të përcaktuar rolin që Uashingtoni do të donte të luante në të ardhmen e Afganistanit.

Pakistani është akuzuar për mbështetjen e talibanëve derisa luftonte me Qeverinë e mbështetur nga SHBA në Kabul. Akuzat janë mohuar nga Islamabadi.

Në muajin maj të vitit 2021 filloi tërheqja e forcave të huaja pas 20 vjetësh të prezencës në këtë vend. Talibanët e morën shpejt kontrollin e vendit. Ata tashmë kanë prezantuar një kabinet qeveritar të udhëhequr nga grupi militant.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet terroriste të 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara.

Luftimet prej vitit 2001 kanë rezultuar me kosto të madhe njerëzore: 2,455 ushtarë amerikanë, rreth 66,000 trupa afgane, më shumë se 47,000 civilë të vrarë.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se Afganistani është në mesin e vendeve “më të përgjakshme në botë për civilët”.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG