Ndërlidhjet

Jep dorëheqje ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia


Arben Vitia.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, më 1 tetor njoftoi për dorëheqjen e tij nga ky post, për t’u fokusuar në garën për Prishtinën. Këtë vendim ai tha se e ka marrë në bashkërendim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje.

“Unë sot po e përmbyll angazhimin tim në këtë detyrë me të cilën më pati ngarkuar kryeministri Kurti, ndaj të cilit do të jem mirënjohës jo vetëm për besimin, por edhe për përkrahjen e parezervë”, tha Vitia, teksa shtoi se ka qenë privilegj udhëheqja e ministrisë së Shëndetësisë, në kohën kur Kosova është përballur me pandeminë COVID-19.

“Unë nga tani e tutje do të jem pjesë e një ekipi tjetër, që ka në fokus kryeqytetin tonë”, shtoi ai.

Ministria e Shëndetësisë, sipas Vitisë, tani do të udhëhiqet nga zëvendësministrja Dafina Gexha.

Gjatë konferencës për media, Vitia, që ka shërbyer si ministër i Shëndetësisë në dy qeveri të udhëhequr nga Albin Kurti, foli për situatën me pandeminë COVID-19. Ai tha se me ritmin aktual të vaksinimit, koronavirusi do të vihet nën kontroll.

“Sot jam i lumtur që para jush, mund të them se vala e katërt e pandemisë, e dominuar nga varianti Delta, edhe sipas parametrave të OBSH-së, për momentin është vënë nën kontroll", tha ai.

Vitia tha se sipas parashikimeve të Qeverisë së Kosovës, deri në fund të vitit, mbi 75 për qind e popullatës mbi 16 vjeç do të imunizohen kundër koronavirusit.

Ndryshe, zgjedhjet e rregullta lokale do të mbahen më 17 tetor.

Fushata për zgjedhjet lokale ka nisur më 16 shtator dhe do të zgjasë 30 ditë.

Në garë për kreun e Prishtinës janë edhe Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës, Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Gëzim Mehmeti nga Aleanca Kosova e Re.

XS
SM
MD
LG