Ndërlidhjet

Ndërpriten protestat antiqeveritare në Armeni


Protestat e 2 majit në Jerevan
Protestat e 2 majit në Jerevan

Udhëheqësi i opozitës në Armeni, Nikol Pashinian, bëri thirrje për një pauzë në protestat antiqeveritare, pasi Partia Republikane në pushtet dha indikacione se mund ta mbështesë zgjedhjen e tij kryeministër, në votimin parlamentar më 8 maj.

Pashinian e mirëpriti ndryshimin e qëndrimit të Partisë Republikane dhe tha se protestat, tash për tash, do të ndalojnë.

“Çështja është zgjidhur pjesërisht”, u tha ai mijëra mbështetësve.

Pashinian i bëri komentet pasi Vahram Baghdasarian, nga Partia Republikane, tha se subjekti i tij nuk do të ketë kandidat të tijin për kryeministër dhe se do të mbështesë secilin që emërohet nga së paku një e treta e parlamentit.

Me Kushtetutën e Armenisë, nëse Parlamenti nuk arrin as më 8 maj të konfirmojë kryeministrin, legjislatura do të shpërbëhet automatikisht dhe do të caktohen zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme, ndërsa një qeveri teknike, e udhëhequr nga Partia Republikane, do të jetë përgjegjëse për procesin zgjedhor.

Të mërkurën, në gjithë Armeninë ka pasur protesta masive, në përgjigje të thirrjes së Pashinianit për grevë të përgjithshme dhe mosbindje civile.

Thirrja është bërë pasi Parlamenti armen ka votuar kundër zgjedhjes së tij kryeministër, më 1 maj.

Protestat që ka udhëhequr Pashinian qysh më 13 prill, kanë detyruar kryeministrin Serzh Sarkisian të japë dorëheqje.

Sarkisian ka qenë president për një dekadë, por kufizimet në mandat e kanë detyruar të tërhiqet muajin e kaluar. Megjithatë, Parlamenti, i dominuar nga Partia Republikane, e ka emëruar shpejt për kryeministër. Një gjë e tillë është bërë e mundur me disa ndryshime kushtetuese që kanë dobësuar presidencën, duke rritur fuqitë e kryeministrit.

Bllokimi i rrugëve në Armeni nga protestuesit

Armeni: Protestuesit bllokojnë rrugët
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:51 0:00

Por, ky hap ka çuar në protesta masive, nga frika se sistemi i ri do ta lejonte Sarkisianin të mbetet udhëheqës i Armenisë për kohë të pacaktuar.

Opozita dhe protestuesit po ashtu akuzojnë Sarkisianin dhe Partinë e tij Republikane për korrupsion dhe dështim në rritjen e standardeve të jetesës.

Presidenti i Armenisë, Armen Sarkisian, i cili nuk ka lidhje me Serzh Sarkisianin, ka bërë thirrje për bisedime, me qëllim zgjidhjen e krizës përpara rrethit të dytë të votimit për kryeministër.

"Më vjen keq që kriza politike vazhdon pavarësisht faktit që të gjithë po flasin se sa e rrezikshme është ajo për të ardhmen e vendit", tha përmes një deklarate presidenti Sarkisian.

Të martën, edhe shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, u ka bërë thirrje të gjitha forcave politike në Armeni që “të angazhohen në dialog gjithëpërfshirës”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG