Ndërlidhjet

Studentët e edukimit të zëvendësojnë asistentët nëpër shkolla


Foto: Ilustrim

Prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta vazhdojnë të paguajnë asistentë për fëmijët e tyre në shkolla.

Në Kuvendin e Kosovës, kohë më parë, shumica e deputetëve nuk e ka përkrahur një amendament për fëmijët me nevoja të veçanta, ku kërkohej që ata të kenë në shkolla asistentë shtesë, psikologë e pedagogë në çerdhe.

Ndonëse me ligj, shteti i njeh ata si të barabartë me fëmijët tjerë, vetë shteti, sipas organizatave për të drejtat e fëmijëve, nuk ka ndarë ndonjë buxhet për nevojat e asistencës.

Leonora Bajraktari, asambliste në Kuvendin Komunal të Prishtinës, njëherësh bashkëthemeluese e organizatës Down Sindrom Kosova, tha për Radion Evropa e Lirë se në klasat ku ka fëmijë me nevoja të veçanta, dhe janë mbi 25 nxënës, duhet të ketë një asistent shtesë.

Por, për faktin se me buxhetin aktual nuk janë parashikuar shpenzimet për asistentë, Bajraktari ka propozuar që studentët e Fakultetit të Edukimit, para diplomimit të asistojnë mësuesit në klasat ku ka fëmijë me nevoja të veçanta.

“Unë jam konsultuar me zyrtarë të lartë institucionalë, që asistentët të jenë studentët e Fakultetit të Edukimit, ata të logopedisë e të psikologjisë. Aty ku janë mbi 25 fëmijë në klasë, dhe ka fëmijë me nevoja të veçanta, të aprovohet prania e një asistenti. Nga kjo përvojë do të përfitonin studentët, ata që janë para diplomimit, duke bërë stazh pune për një gjysmë vjetor shkollor”, thekson Bajraktari.

Sipas saj, një zgjidhje e tillë është e mundur pas mosaprovimit të amendamentit në Kuvendin e Kosovës.

Një ide e tillë, mirëpritet edhe nga studentët.

Gresë Ramadani, studente e Fakultetit të Edukimit thotë se shumë herë ka punuar vullnetarisht me fëmijët me nevoja të veçanta, dhe një ide e tillë do të ishte e mirëseardhur për studentët që të fitojnë përvojë dhe njëherësh të asistojnë mësuesen në klasë.

“Unë do të isha shumë e lumtur nëse do t’u ofroja ndihmë fëmijëve me nevoja të veçanta. Unë kam punuar si vullnetare dhe e di çka do të thotë për një prind kur ai e di se ka një asistent për fëmijën e tij. Tash e sa vjet ata i paguajnë vetë asistentët, derisa këtë mundësi nuk mund t’ua sigurojnë fëmijëve të tyre familjet që nuk i kanë kushtet materiale”, tha Ramadani.

Nëna e fëmijës me Sindromën Down, Mejreme Gosalci thotë se tash e tre vjet e paguan asistenten nga 150 euro në muaj, në mënyrë që ajo të punojë me fëmijën e saj në klasë të rregullt, ku vajza e saj 10 vjeçare vijon mësimin.

“Ne paguajmë 150 euro në muaj për asistenten. Duke i marrë parasysh kushtet dhe pagat, është shumë e vështirë për neve. Por, nuk kemi zgjidhje tjetër. I kam edhe dy fëmijë, të cilëve ua kam ndërprerë gjitha aktivitetet për shkak të pamundësisë për t’i paguar edhe ato për ta. Megjithatë, mendoj se më e rëndësishme është asistentja për vajzën me sindromën Down”, tha Gosalci.

Në Kuvendin e Kosovës ishte propozuar që të punësohen 50 asistentë. Por, ky numër konsiderohet i vogël dhe nuk i plotëson të gjitha nevojat.

Bazuar në deklaratat e dhëna nga zyrtarët në Ministrinë e Arsimit në Kosovë, saktësisht në shkolla fillore dhe të mesme janë 6,049 nxënës me nevoja të veçanta, derisa parashkollor janë 99 prej tyre.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG