Ndërlidhjet

Tri javë për themelimin e Asociacionit


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës
Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur i gatshëm që të ulet dhe të bashkëbisedojë me përfaqësuesit e Listës Serbe për të gjitha shqetësimet e tyre, përfshi edhe çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndonëse e ka pranuar se nuk e ka trajtuar si problematikë çështjen e Asociacionit gjatë mandatit të tij si kryeministër, Haradinaj tha se deri te formimi nuk ka rrugë tjetër pos asaj ligjore.

Shpallja e njëanshme e Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe është vënë si “ultimatum” nga ana e përfaqësuesve të komunitetit serb nëse Qeveria e Kosovës nuk e themelon këtë organ deri më 20 prill.

Lidhur me këtë paralajmërim, kryeministri Haradinaj, thotë se një veprim i tillë nuk do të ishte zgjidhje.

Një ditë më herët, ai bashkë me presidentin Hashim Thaçi u zotuan se shumë shpejt do të formohet ekipi menaxhues i cili do të merrem me hartimin e statutit të Asociacionit, por sot, Haradinaj e pranoi se nuk ka arritur ende ta trajtoj këtë çështje.

Ramush Haradinaj
Ramush Haradinaj

“Ende nuk kam mbërri me hy në këtë temë. Nuk po them se nuk jam kah dua që të hyjë në këtë temë, sepse pastaj po keqkuptohet çdo herë, thua se vetëm për inat nuk po hyjmë në këtë temë, por shumë probleme, shumë tema tjera dhe nuk kam arrit të merrem me të, besoni”, ka deklaruar Haradinaj.

Në anën tjetër, Beogradi zyrtar u ka dërguar sërish mbështetje serbëve të Kosovës, të cilët përfaqësohen në institucione përmes subjektit politik, Lista Serbe.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar për mediat në Beograd se pas tri javëve, aq sa i është dhënë afat Qeverisë së Kosovës, mbushen pesë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes për normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi, ku Asociacioni është një prej pikave të saj, por që nuk është zbatuar ende.

Të hënën, Gjuriq qëndroi pa lejen e institucioneve të Kosovës në veri të Mitrovicës për të diskutuar me liderët e serbëve pikërisht çështjen e njënanshme të themelimit të Asociacionit. Por, ai më pas ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, e cila e depërtoi atë në drejtim të Serbisë.

Marko Gjuriq
Marko Gjuriq

​“Presim që në vend të kërcënimeve, përfaqësuesit e Prishtinës të fillojnë, ashtu siç kanë paralajmëruar, me krijimin e mundësive për serbët që të fillojnë të punojnë rreth hartimit të statutit të Asociacionit të komunave serbe dhe shpresoj që këtë ata nuk e kanë thënë vetëm për të mbuluar terrorin që bënë, por që të vërtetë gjatë tri javëve të ardhshme t’u mundësojnë serbëve të fillojnë me procesin e themelimit”, ka thënë Gjuriq.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, parashihet të ketë në përbërje kryetarët apopërfaqësuesit e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Sipas interpretimit të Prishtinës zyrtare, ky Asociacion do të jetë një lidhje e komunave me kompetencat e një organizate joqeveritare dhe pa kompetenca ekzekutive.

Por, një interpretim tjetër ka Beogradi zyrtar i cili kërkon një fushë të gjerë të kompetencave për Asociacionin apo Bashkësinë e komunave serbe, siç njihet në Beograd.

Mbetet të shihet nëse deri më 20 prill, Qeveria e Kosovës do t’i iniciojë hapat drejt formimit. Kryetarët e komunave serbe kanë paralajmëruar se pas 20 prillit, nëse mungon nisma e Qeverisë, do ta formojnë njëanshëm këtë Asociacion apo Bashkësi.

XS
SM
MD
LG