Ndërlidhjet

Gjendje emergjente në Australi për shkak të zjarreve 


Zjarret në Australi
Zjarret në Australi

Kryeministrja e shtetit australian të Uellsit të Ri Jugor ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme njëjavore për shkak të kërcënimit të përshkallëzuar nga zjarret.

Për këtë fundjavë janë parashikuar temperaturat të larta dhe erëra të forta, gjë që ka alarmuar autoritetet për një "rrezik nga zjarri ekstrem" në shtetin lindor australian.

Që nga shtatori, zjarret kanë vrarë 18 njerëz dhe kanë shkatërruar më shumë se 1.200 shtëpi nëpër Uellsin e Ri Jugor dhe Viktoria.

Vetëm gjatë kësaj jave, të paktën 17 persona ende konsiderohen të zhdukur.

Mijëra njerëz tashmë janë duke ikur nga një "zonë e gjerë e pushimeve turistike" në Uellsin e Ri Jugor.

Cilat janë parashikimet?

Gjendja e jashtëzakonshme do të fillojë në 08:00 të premten në mëngjes dhe do të zgjasë për shtatë ditë, njoftoi të enjten kryeministrja e Uellsit të Ri Jugor, Gladys Berejiklian.

“Kjo do t'ua lejojë autoriteteve lokale të kryejnë evakuime të detyruara, të bëjnë mbylljen e rrugëve dhe gjithçka tjetër që duhet të bëjmë si shtet për të mbajtur t’i sigurt banorët dhe pronat", tha ajo.

"Ne nuk i marrim lehtë këto vendime, por duam gjithashtu të sigurohemi që po marrim çdo masë paraprake për t'u përgatitur për atë që mund të jetë një ditë e tmerrshme të shtunën", shtoi ajo.

Qeveria e shtetit ka paralajmëruar se kushtet ka të ngjarë të jenë "po aq të këqija" sa natën e Vitit të Ri, kur qindra shtëpi u shkatërruan.

Më parë, ekipet e zjarrfikësve u thanë pushuesve që urgjentisht të largohet nga të bregdeti para së shtunës.

Kolonat e gjata të makinave kanë bllokuar rrugët magjistrale që çojnë drejt Sidnejit dhe Kanberas.

Shumë rrugë mbetën të mbyllura për shkak të vazhdimit të përhapjes së zjarreve dhe rreziqeve të tjera.

Ministri i Transportit në Uellsin e Ri Jugor , Andrew Constance, u bëri thirrje njerëzve të ngasin ngadalë pasi tymi nga zjarret ka përfshirë gjithë rajonin.

Çfarë thonë shkencëtarët?

Meteorologët thonë se një sistem klimatik në Oqeanin Indian, është shtytësi kryesor që qëndron pas nxehtësisë ekstreme në Australi.

Sidoqoftë, shumë pjesë të Australisë kanë qenë në kushte thatësire, prej disa prej vitesh, gjë që e ka bërë më të lehtë përhapjen dhe rritjen e zjarreve, raporton BBC.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG