Ndërlidhjet

Borrell: BE-ja nuk do ta njohë Qeverinë e re afgane


Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Bashkimi Evropian tha se nuk ka plane që ta njohë Qeverinë e re të Afganistanit, kurdo që ajo të formohet, por do të angazhohet me administratën e udhëhequr nga talibanët në baza “operacionale”.

“Në mënyrë që të mbështesim popullin afgan, ne do të angazhohemi me Qeverinë e re në Afganistan, por kjo nuk do të thotë njohje. Është një angazhim operacional”, tha shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell gjatë një konference për media të mbajtur më 3 shtator.

Borrell tha se 27 vendet e bllokut evropian do të koordinojnë kontaktet e tyre me talibanët përmes një prezence të përbashkët të BE-së në Kabul për të mbikëqyrur evakuimet dhe për t’u siguruar që qeveria e re në Kabul do të përmbushë zotimet mbi çështjet e sigurisë dhe të drejtave të njeriut.

Ai shtoi se talibanët duhet të formojnë një qeveri përfshirëse dhe përfaqësuese, të lejojë qasje të ndihmës humanitare dhe të lejojë shtetasit e huaj dhe afganët në rrezik që të largohen nga vendi.

“Ne kemi vendosur që të punojmë në mënyrë të koordinuar, të koordinojmë kontaktet tona me talibanët, përfshirë edhe përmes një prezence të përbashkët të Bashkimit Evropian në Kabul... nëse kushtet e sigurisë plotësohen”, tha Borrell gjatë një takimi me ministrat e Jashtëm të bllokut në Slloveni.

BE-ja gjithashtu do të kërkojë që të koordinojë angazhimin me partnerët në rajon për çështje të migrantëve dhe krimit të organizuar, tha Borrell.

XS
SM
MD
LG