Ndërlidhjet

Lufta për top-pozitat e Bashkimit Evropian


Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Parisi dhe Berlini duket se janë në mosmarrëveshje për zëvendësimin e Jean-Claude Junckerit në postin e presidentit të Komisionit Evropian, pasi rezultatet e dobëta të partive të qendrës në zgjedhjet për Parlamentin Evropian e dëmtuan të zgjedhurin e kancelares gjermane, Angela Merkel.

Mbështetja e Merkelit për deputetin gjerman, Manfred Weber, i cili udhëheq Partinë Popullore Evropiane, po has në rezistencë nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Krerët e shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian do të takohen të martën mbrëma për të diskutuar rreth udhëheqjes së institucioneve të bllokut.

Partia Popullore Evropiane mbetet më e madhja në Parlamentin Evropian, por ajo u dobësua nga 221 ulëse sa ka fituar në zgjedhjet e vitit 2014 në 180 ulëse në zgjedhjet që u zhvilluan nga data 23 deri më 26 maj.

Grupi i Socialistëve dhe i Demokratëve po ashtu ra nga 191 ulëse, pesë vjet më parë, në 145 ulëse sivjet.

Kjo është hera e parë në 40 vjet që dy grupet nuk mund të formojnë një shumicë të qëndrueshme që do t’iu mundësonte atyre të vendosin për pozitat kryesore dhe agjendën legjislative.

Zgjedhja e shteteve anëtare për presidentin e Komisionit Evropian kërkon miratimin e shumicës në Parlamentin Evropian.

Fitues të mëdhenj në zgjedhjet e javës së kaluar ishin Të Gjelbrit, që u rritën nga 50 në 69 ulëse, dhe Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve me 109 ulëse, nga 67.

“Për të bërë një shumicë të qëndrueshme në këtë parlament, Të Gjelbrit tani janë të domosdoshëm", tha bashkëkryesuesi i Të Gjelbërve, Philippe Lamberts, deputet belg.

Partia Popullore Evropiane, megjithatë, mbetet grupi më i madh në Parlamentin Evropian.

Annegret Kramp-Karrenbauer, kryetare e Unionit Demokristian të Merkelit, i cili po ashtu bën pjesë në Partinë Popullore Evropiane, tha se Weber është kandidati kryesor për presidentin e Komisionit Evropian.

Sipas të ashtuquajturit Sistem Spitzenkandidat, i cili është përdorur për të emëruar Junckerin në vitin 2014, kandidati i partisë më të madhe pritet të marrë postin më të lartë të Komisionit.

Por, Macron ka thënë se nuk do t’i përmbahet këtij sistemi.

Ai zhvilloi bisedime me kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanchez, në përpjekje për, siç u tha, formimin e një “aleance përparimtare”.

Socialistët e Sanchezit dolën të parët në zgjedhjet evropiane.

Në një deklaratë të përbashkët, partia e Macronit La Rem dhe Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve thanë se “do të jenë të hapura për të shqyrtuar të gjithë kandidatët që mund të mbledhin mbështetjen e familjeve politike”.

Një zëdhënës i Qeverisë franceze tha se Franca do t’i bashkohet një grupi që do të jetë “motor i një aleance përparimtare”. “Pse jo me Të Gjelbrit”, pyeti ai.

Sekretari i përgjithshëm i Komisionit Evropian, Martin Selmayr, tha se nuk ka aryse që grupet kryesore politike të mos e ndjekin Sistemin Spitzenkandidat.

Rivalët e Weberit përfshijnë kanidatin e qendrës së majtë, Frans Timmermans, nga Holanda, dhe kandidaten liberale, Margrethe Vestager, nga Danimarka.

Për shkak të ndikimit të ri të Liberalëve dhe të të Gjelbërve, Vestager - e njohur për betejat ligjore me gjigantët e teknologjisë amerikane - mund të shihet si një kandidate kompromisi.

Zyrtarët e tjerë të lartë të BE-së që do të zëvendësohen këtë vit janë: presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme, Federica Mogherini.

Expose: Një BE më pak mikpritëse

Zyrtarët e rinj të lartë do të marrin postet e tyre më 1 nëntor, me përjashtim të shefit të ri të Këshillit Evropian, i cili fillon më 1 dhjetor.

Zgjedhjet e javës së kaluar për Parlamentin Evropian kanë tërhequr vëmendjen edhe për fitoret e disa partive të ekstremit të djathtë, përfshirë Frontin Kombëtar të Marine Le Penit në Francë dhe të Ligës në Itali, të udhëhequr nga ministri i Brendshëm i këtij vendi, Matteo Salvini.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG