Ndërlidhjet

Beteja për kandidatin konsensual për president


Ilustrim.

Derisa opozita në Maqedoninë e Veriut vazhdon fushatën me kandidaten e saj për presidenti shteti, partitë në pushtet ende nuk kanë arritur një marrëveshje për kandidatin e tyre që do të garonte në zgjedhjet presidenciale më 21 prill.

Lidhja Social-Demokrate (LSDM) ka vazhduar kontaktet me partitë politike që janë pjesë e Qeverisë, por edhe me ato opozitare shqiptare, megjithatë deri më tani pa ndonjë epilog konkret.

Njohësit e çështjeve politike thonë se shumica parlamentare duhet të gjejë një kuadër të profilizuar, mbipartiak, i aftë që të përballet me kandidaten për presidente të VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska, një profesoreshë universitare, që konsiderohet si konkurrente serioze në garën presidenciale.

“Nga fakti që VMRO-DPMNE-ja ka kandiduar një profesoreshë universiteti, e cila megjithatë ka një integritet akademik intelektual, do ta detyrojë edhe shumicën parlamentare që të ketë një kandidat serioz, i cili mund të jetë rival i denjë i zonjës Siljanovska. Kjo nga ana tjetër do të thotë që partitë politike nuk do ta kenë luksin që për president të kenë njerëz të cilët do të jenë dëgjues të direktivave partiake, por më tepër do të jenë përfaqësues të denjë të interesave të qytetarëve”, thotë Naser Zyberi, njohës i çështjeve politike.

Nga LSDM-ja kanë bërë të ditur se kanë në opsion më shumë kandidatë që i janë nënshtruar edhe anketave për të gjetur më të mirin të mundshëm, e që do të kishte edhe mbështetjen e partive tjerë në pushtet si nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe partitë tjera të opozitës shqiptare.

Si emra të mundshëm përmenden ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, koordinatori nacional për NATO-n, Stevo Pendarovski, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, duke thënë se ka edhe shqiptarë, por pa saktësuar emra konkret. Nga BDI-ja kanë thënë se janë për një kandidat konensual, i pranueshëm për të gjitha partitë politike.

Analisti Zyberi thotë se për shkak të kritikave të shumta me të cilat është përballur LSDM-ja nga opozita, nuk beson se do të merrte guximin të dalë në zgjedhje me një kandidat shqiptar.

“Mendoj se LSDM-ja nuk do ta ketë guximin për të nominuar kandidat të mundshëm për presidenti ndonjë shqiptar, aq më tepër kur ky subjekt akuzohet nga opozita se ka shkelur me interesin kombëtar me Marrëveshjen e Prespës, Marrëveshjen me Bullgarinë, Ligjin për dygjuhësinë, por edhe me zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit”, thotë Zyberi.

Petar Arsovski, njohës i çështjeve politike, thotë se partitë po bëjnë përpjekje për të hequr dorë nga praktika e deritanishme e kandidimit të njerëzve të dëshmuar partiakisht, ndërsa sa i përket përkatësisë etnike të kandidatëve thekson se perceptimi i qytetarëve ka ndryshuar për dallim nga e kaluara.

“Sa i përket përkatësisë etnike të kandidatëve, mendoj se për dallim nga e kaluara, tani kemi një situatë më të relaksuar dhe bashkësitë etnike pranojnë që kandidati që të jetë i një bashkësie tjetër etnike, por besoj se një kandidat maqedonas për president më mirë do të kalonte te shqiptarët, sesa një shqiptar te maqedonasit, kjo për shkak të përqindjes së popullatës”, thotë Arsovski.

Kandidatin për president, LSDM-ja ka paralajmëruar se do ta zyrtarizojë më 3 mars në kongresin e partisë. Zgjedhjet presidenciale do të mbahen në dy rrethe zgjedhore, më 21 prill dhe 5 maj. Fushata nis në fillim të prillit dhe zgjat 20 ditë.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG