Ndërlidhjet

Maqedonia shpall zgjedhjet presidenciale


Ilustrim

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka shpallur zgjedhjet presidenciale, të cilat do të mbahen në dy rrethe zgjedhore, më 21 prill dhe 5 maj.

Partitë politike nga ana tjetër ende nuk kanë zyrtarizuar kandidatët e mundshëm për pasardhësin e Gjorge Ivanovit, kreut aktual të shtetit.

Kryeministri Zoran Zaev, njëherësh kryetar i Lidhjes Social Demokrate (LSDM) në pushtet, deklaroi se në ditët në vijim do të bisedojë me partnerët e koalicionit, partitë jashtëparlamentare, por edhe me drejtues të shoqërisë civile, për gjetjen e një kandidati sa më të pranueshëm për të parin e shtetit.

"Ju bëj thirrje të gjitha palëve që të bëjmë një analizë të përgjegjshme dhe të gjejmë personalitet që mund të qëndrojmë ne si politikanë dhe parti politike. Të gjejmë një personalitet që do të ketë mbështetjen e qytetarëve, që do të ishte një kandidat konsensual, i cili do t’i zbatojë politikat e shekullit 21... Deri më 21 mars parashtrohen kandidaturat dhe ka kohë të mjaftueshme që të analizojmë situatën. Duhet të gjithë së bashku të gjejmë personalitetin e vërtetë”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

Si kandidat të mundshëm për president nga LSDM-ja më parë janë përmendur, Stevo Pendarovski, ish-kandidat për president në zgjedhjet e kaluara, Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm, Nikolla Dimitrov, ministër i Jashtëm dhe Radmilla Sheqerinska, ministre e Mbrojtjes.

Nga ana tjetër, për Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) – që është pjesë e koalicionit qeverisës – emrat e tillë bazuar në qëndrimet e fundit, janë të papranueshëm, pasi kjo parti kërkon një kandidat konsensual, që të jetë i pranueshëm nga të gjithë, e jo i propozuar nga organet e LSDM-së.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti në një intervistë për televizionin publik ka thënë se “BDI nuk dëshiron të jetë vasal apo bisht i LSDM-së dhe të mbështesë ndonjë kandidat të propozuar nga LSDM-ja”.

Kjo parti ka dalë me disa emra për kandidat konsensual, por që janë hedhur poshtë nga LSDM-ja.

Megjithatë, dy partitë ende nuk e konsiderojnë të mbyllur çështjen e kandidatit të përbashkët.

“Kam edhe informacion, kam edhe bindje, kam edhe shpresë se shumica parlamentare, në emër të filozofisë së re që po ndërtohet në Maqedoni, në zgjedhjet presidenciale do të bëjë çmos që të dalë me një kandidat të përbashkët”, ka deklaruar deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi.

Ndërkohë, VMRO-DPMNE-ja e opozitës në zgjedhje me gjasë do të garojë e vetme dhe kandidatin e saj për president do të zgjedhë në kongresin partiak të caktuar për javën e ardhshme në Strugë. Në lojë janë nëntë emra, por si më seriozë shihen kandidaturat e Gordana Siljanovskës, profesoreshë universitare dhe e Vllatko Gjorçevit, deputet i kësaj partie.

Partitë opozitare shqiptare ende nuk kanë një qëndrim të prerë, por zyrtarë të Aleancës për Shqiptarët dhe të Lëvizjes Besa nuk e kanë përjashtuar mundësinë e caktimit të një kandidati të përbashkët. Paraprakisht, thirrje për një kandidat të përbashkët shqiptare kishte edhe nga BDI-ja, por kjo është hedhur poshtë nga Zijadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët duke theksuar se “shqiptarët duhet të përbuzin çdo fjalë që del nga goja e BDI-së”.

Zgjedhjet presidenciale shihen si test për partitë e pushtetit dhe të opozitës, pas arritjes së Marrëveshjes për emrin, pasi dy blloqet politike maqedonase kanë pasur dallime e akuza të rënda mes tyre, lidhur me marrëveshjen që i ndërron emrin shtetit në Maqedonia e Veriut.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG