Ndërlidhjet

LSDM-ja e papërcaktuar rreth zgjedhjeve të parakohshme


Ilustrim

Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë e cila kryesohet nga kryeministri Zoran Zaev, akoma nuk ka marrë vendim për të shkuar ose jo në zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato presidenciale.

Tanimë kanë kaluar tre javë nga kërkesa e VMRO DPMNE-së që të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato presidencialet, ndërkohë që para një jave partia maqedonase në opozitë ka dorëzuar kërkesën për shpërbërjen e Parlamentit.

Marrja e vendimit për çështjen në fjalë disa herë është shtyrë nga ana e kryesisë së LSDM-së nën arsyetimin se mungojnë disa anëtare të kryesisë së partisë të cilët ushtrojnë dhe postin e ministrave të cilët janë me detyrë zyrtare jashtë vendit.

Njohësit e çështjeve politike thonë se dallimet brenda për brenda LSDM-së për të shkuar në zgjedhje dhe së fundmi tensionet mes partnerëve të koalicionit qeverisës kanë bërë që kryeministri Zoran Zaev të zvarris vendimin për këtë çështje.

Alajdin Demiri, njohës i çështjeve politike, për Radion Evropa e Lirë thotë se zvarritja e deklarimit nëse Socialdemokratët e kryeministrit Zoran Zaev do të pranojnë kërkesën e VMRO DPMNE-së për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, ka të bëjë me harmonizimin e qëndrimeve me partnerin shqiptarë të koalicionit qeverisës, Bashkimin Demokratik për Integrim, që është shprehur që në fillim kundër mbajtjes së tyre.

“Vet Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë nuk është e qartë sepse edhe brenda partisë ka dy rryma. Rryma A e cila dëshiron të shkohet në zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe rryma B e cila është kundër organizimit të tyre. Gjithsesi, ky status kuo nuk mund të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë sepse duhet të prononcohet për këtë gjë, ndërkohë që kanë filluar të marrin një trajtë të brishtë raportet mes partnerëve të koalicionit qeveritar pas publikimit të skandalit me mosalokimin e mjeteve për sigurimin pensional pikërisht nga kuadrot e partisë shqiptare”, vlerëson Demiri.

Ndryshe, lideri i opozitës maqedonase Hristtian Mickoski, në intervistën për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare pasi dyshon se do të manipulohen zgjedhjet presidenciale.

Mickoski njëherësh ka bërë të ditur se kërkesën për shpërbërjen e Parlamentit nuk e kanë nënshkruar të gjithë deputetët e VMRO DPME-së duke mos shpalosur arsyet.

Daniell Rangellova, deputete e VMRO DPMNE-së e cila nuk ka nënshkruar kërkesën për shpërbërjen e Parlamentit, thotë se “nuk e ka ndërmend të marrë të bëjë siç e quan ajo, gjimnastikë politike” pasi nga partia i kanë thënë se do të shtrojnë këtë kërkesë, por se që në fillim se e njëjta nuk do të pranohet.

“Unë nuk jam dyfytyrëshe para qytetarëve, nuk mund të marrë pjesë në një gjimnastikë të tillë politike. Mendoj se VMRO duhet të orientohet në proceset reformuese, të ofrojë projekte për ngritjen e standardit jetësorë si dhe vende të reja për punë dhe jo të merret me lojëra të lira politikë të cilat lexohen brenda disa orëve. Për mua interesat shtetërore janë mbi ato partiake”, ka thëne Rangellova.

Alajdin Demiri thotë se mosdeklarimi i Socialdemokratëve rreth kërkesës së VMRO DOMNE-së për zgjedhje të parakohshme parlamentare mund të lexohet edhe si sinjal se ato nuk do të mbahen vetëm se kërkohet modaliteti se si ato të refuzohen, sepse siç thotë, “topi është në duart e Socialdemokratëve dhe ka mundësi që ata të japin autogol”

“Unë nuk kam përshtypje se do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare tani në pranverë, për arsye sepse është koha e ngushtë për organizimin e tyre, sepse duhet plotësuar kushtet që janë pjesë e marrëveshjes së Përzhinës për formimin e Qeverisë teknike. Mendoj se Maqedonia mund të përballet me zgjedhje të jashtëzakonshme në shtator ose në fund të këtij viti”, thotë Demiri.

Ndërkohë, në një takim me gazetarët, kryetari i Parlamentit të Maqedonisë ka bërë të ditur se zgjedhjet presidenciale do të shpallen më datën 8 shkurt, me qëllim që të njëjtat të mbahen më datën 21 prill, ndërsa rrethi i dytë eventual të mbahet më datën 5 maj.

XS
SM
MD
LG