Ndërlidhjet

Zgjedhjet e parakohshme, humbje kohe për Maqedoninë


Foto nga arkivi

Kërkesa e opozitës maqedonase për zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me zgjedhjet e rregullta presidenciale në pranverë, nga njohësit e çështjeve politike vlerësohet si e papërshtatshme në rastin e Maqedonisë, edhe pse sipas tyre, në momente të rëndësishme apo kur shtetet marrin vendime që mund të jenë edhe historike, do të ishte normale të ketë zgjedhje, për të verifikuar apo hedhur poshtë vendimet që mund të kenë marrë.

Analisti Petar Arsovski thotë se institucionet e Maqedonisë kanë marrë një vendim madhor për çështjen e emrit, por vendi nuk mund të shkojë në zgjedhje për shkak të obligimeve të shumta që e presin në rrugën e integrimit euroatlantik.

“Kur shteti bën një hap të këtillë radikal dhe ndryshon strategjinë nacionale rreth disa çështjeve politike, vlerësoj se nuk është jo logjike që të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare që të konfirmohet një strategji e tillë dhe të bëhet një konfigurim i ri i forcave politike në vend".

"Por, kjo kërkesë në rastin e Maqedonisë vjen në një moment aspak të volitshëm pasi ndodhemi në një moment shumë të rëndësishëm, të para-nisjes së bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe kur ekonomia pret një stabilitet që të mund të lëvizë nga gjendja e rëndë, në të cilën ndodhet”, thotë Arsovski.

Ai arsyeton se kërkesa e VMRO DPMNE-së ka të bëjë me tendencën për, siç thotë, konsolidimin eventual të saj pas dështimin të strategjisë për parandalimin e zbatimit të marrëveshjes për emrin.

“VMRO DPMNE-ja nuk ka më se çfarë të bëjë. Pas një situate të këtillë opozita duhet të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi strategjia e saj e deritashme nuk pati sukses. Tani ajo tenton të shfrytëzojë momentin apo çmimin që ende është i freskët, por jo edhe përfitimet, që të shkohet në zgjedhje me besimin se mund të përmirësojë imazhin apo të rikthejë qeverisjen e vendit”, thotë analisti Petar Arsovski.

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike, Xhelal Neziri,thotë se kërkesa e VMRO-së për zgjedhje më shumë ka të bëjë me interesin e kreut të saj për konsolidimin e partisë sesa si kërkesë për të kundërshtuar marrëveshjen për emrin.

“Mendoj se të gjitha partitë kanë ndonjë lloj të interesit që kërkojnë zgjedhje të parakohshme. VMRO-ja jo që do t’i fitojë ato zgjedhje, por ka një kryesi të re me një kryetar të ri që disi nuk ka kontroll, as mbi deputetët e as mbi strukturën e partisë dhe zgjedhjet e parakohshme në fakt do ta legjitimonin dhe do t’i jepnin më shumë fuqi brenda subjektit politik që e drejton”, vlerëson Neziri.

Ai shton se edhe partitë tjera, qoftë LSDM-ja, BDI-ja apo partitë opozitare shqiptare nuk janë të kënaqura me fuqinë që kanë, andaj edhe mund të jenë të interesuara për zgjedhje, por se a do të mbahen ato, më shumë varet nga obligimet që ka Maqedonia në procesin e integrimit euroatlantik.

“Mendoj se vendimi përfundimtar do të merret në konsultimet me faktorin ndërkombëtar, pikërisht për shkak të agjendës së reformave që duhet të plotësohen. Nëse BDI, LSDM dhe faktori ndërkombëtar gjendjen në një vijë të vlerësimit se zgjedhjet i ndihmojnë këtij procesi dhe që të kemi një skenë politike më të qëndrueshme, ato me siguri se do të mbahen, por nëse ndodh e kundërta, do të vazhdohet me këtë përbërje, me atë që do të kemi një opozitë të përçarë dhe një qeveri të luhatshme pasi është e përbërë nga më shumë faktorë politikë”, thotë Neziri.

Kërkesën për zgjedhje VMRO DPMNE-ja e arsyeton me vendimet, sipas saj, katastrofale të Qeverisë për të ardhmen e vendit. Ajo ndryshimet kushtetuese dhe fuqizimin e tyre pa firmën e presidentit Gjorge Ivanov, sikur edhe zyrtarizimin e Ligjit për gjuhët, i vlerëson si kapitullues për identitetin, gjuhë, kulturën dhe në përgjithësi për shtetësinë maqedonase.

Mirëpo, nga Qeveria kanë thënë se VMRO-ja në mungesë të ofrimit të zgjidhjeve për këto çështje që kishin bllokuar vendin, tani nxit tensione jo vetëm mes fqinjëve, por edhe tensione ndëretnike që mund të kenë pasoja edhe më të rënda për vendin.

XS
SM
MD
LG