Ndërlidhjet

Bjellorusia liron 123 të burgosur politikë, pasi SHB-ja i hoqi sanksione


Lideri bjellorus, Alexander Lukashenko, takon John Coale, të dërguarin e presidentit amerikan, Donald Trump, në Minsk.
Lideri bjellorus, Alexander Lukashenko, takon John Coale, të dërguarin e presidentit amerikan, Donald Trump, në Minsk.

Lideri autoritar bjellorus, Alexander Lukashenko, i ka liruar të shtunën 123 të burgosur, përfshirë fituesin e Çmimit Nobel për Paqe, Ales Bialiatski, dhe figurën kryesore të opozitës, Maria Kalesnikava, pas bisedimeve dyditore me një të dërguar të presidentit amerikan, Donald Trump, njoftoi Uashingtoni.

Në këmbim, Shtetet e Bashkuara u pajtuan t’i heqin sanksionet ndaj potasit bjellorus. Potasi është një përbërës kyç në plehra dhe ish-shteti sovjetik është një nga prodhuesit kryesorë të tij në botë.

Ky është numri më i madh i të burgosurve të liruar deri tani nga Lukashenko qëkurse administrata e Trump nisi bisedime këtë vit me udhëheqësin veteran autoritar, i cili është aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin.

Bialiatski, bashkëfitues i Çmimit Nobel për Paqe më 2022, është aktivist për të drejtat e njeriut që për vite me radhë luftoi në mbrojtje të të burgosurve politikë, para se të bëhej vetë një i tillë. Ai u mbajt në burg nga korriku i vitit 2021.

Gjithashtu u liruan Kalesnikava, një udhëheqëse e protestave masive kundër Lukashenkos në vitin 2020, dhe Viktar Babaryka, i cili u arrestua atë vit derisa po përgatitej të garonte kundër presidentit në zgjedhje.

Zyrtarë amerikanë i kanë thënë agjencisë së lajmeve Reuters se angazhimi me Lukashenkon është pjesë e një përpjekjeje për ta shkëputur atë, të paktën deri diku, nga ndikimi i Putinit.

I dërguari i Trump, John Coale, u kishte thënë më herët gazetarëve në Minsk: “Sipas udhëzimeve të presidentit Trump, ne, Shtetet e Bashkuara, do të heqim sanksionet ndaj potasit”.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vendosën sanksione të mëdha ndaj Bjellorusisë pasi Minsku nisi një shtypje të dhunshme ndaj protestuesve pas zgjedhjeve të kontestuar në vitin 2020, duke burgosur pothuajse të gjithë kundërshtarët e Lukashenkos që nuk u larguan jashtë vendit.

Sanksionet u ashpërsuan pasi Lukashenko lejoi Bjellorusinë të shërbente si terren për nisjen e pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG