Ndërlidhjet

Serbët e zhvendosur bllokuan kalimin për në Kosovë në Merdare për një orë

Bllokada pranë pikës kufitare në Merdare, më 5 shkurt 2024.
Bllokada pranë pikës kufitare në Merdare, më 5 shkurt 2024.

Serbët e zhvendosur nga Kosova të hënën vendosën një bllokadë në qytetin e Rudares, në jug të Serbisë, pranë pikës kufitare me Kosovën, Merdare.

Trafiku u pengua nga një kamion që bllokoi rrugën për rreth një orë, nga mesdita.

Sipas mediave, organizator i bllokadës ishte Shoqata e serbëve të shpërngulur nga Kosova.

Komunikacioni u bllokua për të gjitha veturat, ndonëse fillimisht ishte paralajmëruar se nga ora 12:00 deri në orën 15:00 do të pengohej kalimi i veturave që drejtohen nga shqiptarë të Kosovës.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar e Kosovës, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, u ka bërë thirrje udhëtarëve që, për shkak të bllokimit të rrugës, të përdorin pikëkalimet kufitare tjera për qarkullim.

Në Kosovë sërish janë ngritur tensionet pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës që nga 1 shkurti valutë e vetme për transaksionet e pagesave do të jetë euro, që nënkupton heqjen e dinarit serb.

Po ashtu, më 2 shkurt, në një aksion policor, autoritetet kosovare mbyllën tri komuna në Pejë, Istog dhe Klinë, të cilat funksiononin paralelisht në sistemin serb.

Para kësaj, autoritetet kosovare mbyllën edhe katër komuna paralele serbe që vepronin ilegalisht në rrethin e Dragashit, në jug të Kosovës.

XS
SM
MD
LG