Ndërlidhjet

Britania i kërkon BE-së shtyrje të Brexitit deri më 30 qershor


Kryeministrja britanike, Theresa May dhe presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk. Fotografi nga arkivi.
Kryeministrja britanike, Theresa May dhe presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk. Fotografi nga arkivi.

Kryeministrja britanike, Theresa May i ka kërkuar Bashkimit Evropian shtyrje të datës për Brexit deri më 30 qershor.

Aktualisht Britania pritet të largohet nga BE-ja më 12 prill, ndonëse ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje në Britani për këtë çështje.

Kryeministrja britanike ka propozuar që nëse deputetët britanikë pajtohen në kohë për marrëveshje, Britania duhet të jetë në gjendje të largohet nga blloku evropian para se të mbahen zgjedhjet parlamentare në BE më 23 maj.

Megjithatë, ajo ka thënë se Britania do të përgatitet për të prezantuar kandidatët në këto zgjedhje në rast se nuk arrihet asnjë marrëveshje.

Për miratimin e një propozimi të tillë duhet të ketë pajtueshmëri nga liderët e BE-së, në samitin që do të mbahet javën e ardhshme për Brexit në Bruksel.

Në letrën e saj, May ka thënë se “bllokada nuk mund të vazhdojë pasi është duke krijuar paqartësi edhe është duke dëmtuar besimin në politikë” në Britani.

Ajo ka thënë se në rast të dështimit të negociatave me partinë opozitare, atëherë deputetët britanikë do të duhet të votojnë një varg mundësish të cilave Qeveria zotohet se “do t’iu qëndrojë mbrapa”.

Ajo ka thënë se Mbretëria e Bashkuara ka propozuar këtë shtyrje të procesit të Brexitit deri më 30 qershor dhe “pranon qëndrimin e Këshillit Evropian se nëse Britania është akoma vend anëtar, atëherë duhet të jetë pjesë e zgjedhjeve të 23 majit”.

Mirëpo ajo po ashtu ka përmendur se nëse marrëveshja për largim do të ratifikohet nga Parlamenti Evropian para asaj date “Qeveria propozon një largim më të hershëm” në mënyrë që Britania të mos jetë pjesë e zgjedhjeve evropiane.

Të premten BBC ka raportuar se presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk ka propozuar bërjen e një oferte që përfshin një shtyrje “fleksibile” prej 12 muajve, duke u bazuar në një burim në Bashkimin Evropian.

Pasi plani i kryeministres britanike, Theresa May është refuzuar tri herë nga ligjvënësit, ajo ka ftuar liderin e laburistëve opozitarë, Jeremy Corbyn për të biseduar me qëllim të zgjidhjes së krizës në të cilën gjendet aktualisht Britania sa i përket Brexitit.

Prokurori i Përgjithshëm britanik, Geoffrey Cox, i ka thënë BBC-së, se nëse dështojnë bisedimet në mes të Qeverisë dhe Partisë Laburiste, shtyrja e Brexitit “ka mundësi të jetë e gjatë”.

Kryeministrja britanike ka thënë se një shtyrje e datës për Brexit është e nevojshme nëse Britania dëshiron të shmangë një largim pa marrëveshje, skenar për të cilin të dyja palët besojnë se do të krijonte probleme biznesore dhe do të shkaktonte vështirësi kufitare.

Qëndrimet në Evropë për Brexit

Në rast se bisedimet mes Qeverisë dhe opozitës dështojnë në Britani, atëherë zyrtarët në pushtet do të përballen me një tjetër formë të bllokadës, çka do të detyronte kryeministren May të kërkonte një tjetër shtyrje.

Pas një takimi me kryeministrin irlandez, Leo Varadkar në Dublin, kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se Gjermania ende beson se Brexiti do të përfundojë me marrëveshje.

Ne do të bëjmë gjithçka për të parandaluar që Britania të rrëzohet kundrejt Bashkimit Evropian”, është shprehur ajo.

“Mirëpo këtë gjë duhet ta bëjmë bashkë me Britaninë dhe me qëndrimin që do të na e prezantojë ajo”.

Për dallim nga Merkel, kancelari austriak, Sebastian Kurz ka thënë se nuk ekziston “absolutisht asnjë arsye” për shtyrje tjetër të Brexitit, sepse situata në Parlamentin britanik nuk ka ndryshuar rrënjësisht.

“Nga pikëpamja e ditës së sotme, nuk ekziston asnjë arsye për shtyrje pasi kaosi në Britani nuk ka ndryshuar. Nuk ka ndonjë plan të dytë që siguron mbështetjen e parlamentit britanik”, ka thënë Kurz në një konferencë për media.

“Le të lutemi për kryeministren britanike dhe përpjekjet e saj, le të lutemi se ajo do të bindë anëtarët e Parlamentit dhe të gjejë një rrugë për ta anashkaluar Brexitin pa marrëveshje”, ka deklaruar mes tjerash ai.

Vendimi për Brexit ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG