Ndërlidhjet

Brukseli s’ka ende datë për takimin Thaçi - Vuçiq


Presidentët Hashim Thaçi(djathtas) dhe Aleksandar Vuçiq(majtas)

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka pushuar dhe kontaktet ndërmjet përfaqësuesve të të dyja vendeve kanë vazhduar, por ende nuk ka ndonjë datë të caktuar se kur do të mbahet takimi i ardhshëm në Bruksel, ndërmjet presidentëve të të dyja vendeve, Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiqit.

Se ende nuk është caktuar një datë për një takim të tillë, këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Ajo ka theksuar se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilin po e lehtëson zonja Mogherini, është në vazhdim e sipër dhe se dialogu i deritashëm, siç thotë ajo, ka sjellë deri te një normalizim i rëndësishëm i marrëdhënieve.

“Në hapin e ardhshëm ne do të punojmë që normalizimi i marrëdhënieve të sillet në nivelin gjithëpërfshirës. Në këtë kontekst, presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, kanë filluar të punojnë në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve dhe në këtë kontekst ata janë takuar disa herë. Por, datën e takimit të ardhshëm, tash për tash, nuk mund ta paralajmërojmë”, ka thënë Kocijançiq.

Ajo ka theksuar se pavarësisht se secili nga presidentët, veç e veç, Thaçi dhe Vuçiq, janë duke punuar për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve, Brukseli ende nuk mund të thotë se cila do të jetë tema e ardhshme specifike, për të cilën do të bisedojnë të dy presidentët, në takimin e ardhshëm në Bruksel.

“Sikurse çdo herë, temat e takimeve janë caktuar me pajtim ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Nuk mund ta paralajmëroj datën dhe në këtë kontekst as temat. Kur të caktohet data e takimit, atëherë edhe do ta paralajmërojmë”, theksoi Kocijançiq.

Presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë me kancelaren gjermane Angela Merkel në Samitin e Sofjes
Presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë me kancelaren gjermane Angela Merkel në Samitin e Sofjes

Takimi i fundit ndërmjet presidentit Thaçi dhe presidentit Vuçiq, si dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka ndodhur me 16 maj në Sofje të Bullgarisë, në Samitin e Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Po atë ditë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka theksuar se është arritur pajtimi që “faza përfundimtare e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të fillojë në një të ardhme të afërt, me një mbështetje unike të BE-së, SHBA-së dhe aktorëve tjerë”.

Dy ditë më vonë, presidenti Thaçi ka thënë se për procesin e dialogut, që sipas tij, do të vazhdojë shpejt, është duke u konsultuar me të gjitha subjektet politike, duke përfshirë edhe ato të opozitës. Ai e ka vlerësuar dialogun e ardhshëm, si “proces i vështirë”, i cili “ nuk do të jetë i lehtë, as për Kosovën, as për Serbinë”.

Në anën tjetër, presidenti serb, Vuçiq, më herët pati shprehur besimin se brenda “gjashtë muajsh apo një viti”, mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Kosovën.

Megjithatë, pas samitit të Sofjes, Vuçiq, ndonëse ka shprehur gatishmërinë për dialogun e mëtejmë, në drejtim të, siç ka thënë ai, “gjetjes së një kompromisi”, ai është shprehur jooptimist për arritjen e një zgjidhjeje.

"A do të vijë deri te zgjidhja? Shpresoj. Nuk jam optimist, do të bëj më të mirën dhe do të bëj shumë përpjekje për të arritur deri aty", pati theksuar Vuçiq.

Sidoqoftë, përderisa në Bruksel ende nuk është përcaktuar një datë për takimin e dy presidentëve, në Prishtinë vazhdojnë ende debatet e brendshme nëse Kosova ka nevojë që në fazën finale të dialogut me Serbinë, të përfshihet edhe opozita, duke krijuar kështu një platforme dhe ekip uniteti.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG