Ndërlidhjet

Bujqit maqedonas kërkojnë rregullimin e çmimit të grurit


Një fushë e mbjellë me grurë. Fotogrfi nga arkivi.

Për të përballur rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe mungesës së grurit për shkak të luftës në Ukrainë, autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë prezantuar një plan për të nxitur prodhimin e produkteve bujqësore, veçmas të drithërave. Por, disa përfaqësues të bujqve kërkojnë që ekzekutivi të bëjë më shumë, përfshirë edhe ndërhyrjen në çmimin e grurit.

Sipas planit të Qeverisë, toka bujqësore nga tre hektarë do t’u ndahet me koncesion për 15 vjet për fermerët e rinj nëse ata mbjellin kultura bujqësore si drithëra dhe ushqim për kafshët dhe për 30 vjet atyre që merren me vreshtari apo duan të mbjellin pemë të caktuara.

Nga Ministria e Bujqësisë kanë thënë se deri më tani kanë pranuar 235 aplikacione.

Petar Stojkovski, kryetar i Asociacionit të Bujqve në Maqedoninë e Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se mirëpret planin e Qeverisë për ndarjen e tokës bujqësore për fermerët e rinj, pasi sipas tij, në këtë mënyrë do të nxitet prodhimi i produkteve bujqësore.

Megjithatë, ai thotë se një masë e tillë mund të sjellë efektet e duhura vetëm nëse shoqërohet me rritjen e subvencioneve, posaçërisht për drithërat, pasi konsiderohen si kulturë me interes strategjik.

“Ne si Republikë e Maqedonisë së Veriut nuk e kemi sasinë e mjaftueshme të grurit për këtë vit, pra do të jemi të varur nga importi. Do të thotë se ajo që Qeveria ka siguruar si subvencion plotësues duhet të shfrytëzohet në tërësi për të rritur sipërfaqet e mbjella me drithëra”, thotë Stojkovski.

“Megjithatë, pasi që janë rritur shpenzimet për prodhimin e grurit, përfshirë çmimi i plehrave artificiale, naftës dhe lëndëve të para janë me çmim më të lartë, stimulimi i gjertanishëm nuk do të jetë i mjaftueshëm për mbjelljet vjeshtore, aq më pak për rritjen e kapaciteteve të prodhimit. Prandaj, nevojiten subvencione më të larta dhe që bujqit t’i marrin me kohë këto ndihma”, thotë Stojkovski.

Ndërkaq, nënkryetari i Federatës së Fermerëve të Maqedonisë së Veriut, Memet Sinai, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria duhet të garantojë çmimin e grurit në përputhje me shpenzimet që kanë bujqit për prodhimin e drithërave. Pra, sipas tij, çmimi të jetë në përputhje edhe me rritjen e çmimeve të plehrave dhe naftës.

Ai kritikon Qeverinë se ka ndërmarrë me vonesë masat e reja, pasi Sinait, tashmë shteti ka mungesë të fuqisë punëtore.

“Me sjelljen e masës për ndarjen e tokave bujqësore për fermerët e rinj, Qeveria ka bërë mirë, por kjo masë është dashur të aplikohet shumë më herët. Pse e them këtë? Pasi të rinjtë nuk merren më me bujqësi dhe pasi nuk shohin përfitim nga bujqësia, ata janë larguar jashtë shtetit. Në vendet evropiane mbase janë angazhuar në bujqësi, por jo në tokat e tyre”, thotë Sinai.

“Po ashtu, edhe të moshuarit i kanë lënë pa punuar tokat sepse nuk kanë asnjë lloj përfitimi, pasi duhet të paguajnë tatime dhe për ta bërë këtë iu duhen para të gatshme, naftë dhe plehra, të cilat po ashtu blihen me para të gatshme, e ndërkohë që mullisët neve grurin na e marrin në veresi. Pra, shteti duhet të intervenojë në çmimin e grurit dhe pagesën me kohë”, shton ai.

Bujqit, ndërkaq, kërkojnë që shteti të thjeshtojë procedurat e mbledhjes së dokumentacione për aplikim për subvencione. Për këtë çështje, Ministria e Bujqësisë ka theksuar se po punon që aplikimi të bëhet në formë elektronike. Megjithatë, nga ky institucion thonë se bujqit preferojnë që fizikisht të shkojnë në sportele për të dorëzuar aplikimet e tyre.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, teksa ka mbrojtur rishikimin e buxhetit, që këtë javë po debatohet në Kuvend, ka theksuar se mjetet shtesë, që janë ndarë për bujqit, do të nxisin prodhimin e produkteve bujqësore.

“Pesëdhjetedy milionë euro shtesë janë paraparë për bujqit përmes Programit Kombëtar për rritjen e prodhimit të ushqimit. Tashmë 5,000 hektarë janë ndarë për fermerët për prodhimin e kulturave strategjike, përveç 6,000 hektarëve tokë që do të ndahen përmes ankandit për prodhimin e kulturave strategjike. Është rritur niveli i subvencioneve për prodhimin e drithit, farërave të lulediellit, që janë edhe kultura strategjike dhe parashihet paradhënie në frutikulturë, të subvencioneve, për t'i vënë në dispozicion mjetet financiare bujqve”, ka thënë Kovaçevski.

Ai ka shtuar se edhe një program i financuar nga Bashkimi Evropian ka dyfishuar shumën për ndihmën në sektorin e bujqësisë.

Masat e reja të paralajmëruara vijnë në kohën kur Maqedonia e Veriut po përballet me rritje të vazhdueshme të produkteve bazë. Për të ndaluar rritjen e çmimeve, Qeveria këtë javë mori vendim për rivendosjen e marzhës (çmimit maksimal) për produktet bazike ushqimore.

Në bazë të dhënave të Entit shtetëror të Statistikave, gjatë muajit maj vaji për gatim ka shënuar rritje për 6.7 për qind krahasuar me një muaj më herët. Përderisa buka dhe prodhimet drithërat kanë shënuar rritje për 3.7 për qind, përderisa çmimet e perimeve të freskëta janë rritur për 1.7 për qind.

Indeksi i shpenzimeve gjatë muajit maj të këtij viti është rritur për 11.9 për qind krahasuar me po të njëjtin muaj të vitit 2021.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG