Ndërlidhjet

Maqedoni e Veriut: Qeveria, pa masa kundër shtrenjtimit të produkteve bazë


Pas heqjes së marzhës tregtare më 1 qershor, në Maqedoninë e Veriut çmimi i bukës është rritur për 20 centë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ende nuk ka marrë masa konkrete për mbrojtjen e konsumatorëve nga rritja e çmimeve pas heqjes së marzhës tregtare dhe Tatimit të Vlerës së Shtuar për produktet bazë, por edhe për artikujt tjerë, përfshirë edhe derivatet e naftës.

Pas shfuqizimit të masave më 31 maj, vaji ka shënuar një rritje deri më 40 centë apo 25 denarë, buka për 20 centë, ndërsa rritje të konsiderueshme kanë shënuar edhe qumështi, sheqeri, mishi, e shumë prodhime tjera.

Sipas të dhënave të Entit të Statistikës, shpenzimet mujore për një familje prej katër anëtarëve janë më të larta për 4,600 denarë apo 75 euro në krahasim me vitin e kaluar.

“Inflacioni ka shënuar rritje të madhe, mes 20 dhe 30 për qind. Nëse më parë disa gjëra ushqimore i blija me 500 denarë (afër 9 euro) tani për të njëjtat duhet të shpenzoj 800 denarë (apo 13 euro)”, thotë Florina Temelis, pensioniste.

“Gjithçka është shtrenjtuar, p.sh. buka ishte 25, pastaj u bë 30, ndërsa tani 40 denarë (0.65 centë). Disa lloje të bukës kanë arritur edhe në 60 denarë apo një euro. Janë shtrenjtuar edhe artikujt tjerë. Rritje të tillë të çmimeve nuk mbahet mend të ketë pasur ndonjëherë”, thotë Miodrag Mitiq, banor i Shkupit.


Me rritjen e çmimeve pas heqjes së masave ishin “befasuar” edhe drejtuesit e Qeverisë, duke paralajmëruar kontrolle në treg dhe markete.

“Nuk mund të pranojmë që disa kompani të punojnë dhe të shesin me ndërgjegje, e disa të keqpërdorin me çmime. Ka kompani që shesin me marzhë prej zero për qind produkte, por ka të tjera që shesin me fitim prej 60 deri 70 për qind për të përfituar në kohë krize. Kjo është e patolerueshme, andaj edhe do të ketë kontrolle në terren ”, ka deklaruar zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyçi.

Nga Qeveria kanë bërë të ditur se së shpejti do të vendosin nëse do të ndërhyjnë në çmime, por pasi të analizojnë nëse rezulton se ka manipulime nga tregtarë të caktuar.

“Nëse ata nuk i kthejnë çmimet sipas një marzhi normal të prodhimit, atëherë Qeveria do të ndërhyjë që pasojat të mos i ndjejnë konsumatorët. Por, shteti mund të ndikojë vetëm në prodhimet vendase, të cilat pasohen nga çmimet e inputeve të lëndëve të para dhe çmimet e prodhimit, ndërsa te produktet e importuara nuk mund të ndikohen, përveç sa i përket detyrimeve”, ka bërë të ditur Ministria e Ekonomisë.

Ndërkohë, Inspektorati i Shtetëror i Tregut akoma nuk ka dalë në terren për t'i monitoruar çmimet dhe keqpërdorimet e mundshme nga tregtarët, edhe pse kjo ishte paralajmëruar që më 1 qershor kur nisën shtrenjtimet e produkteve ushqimore.

Drejtorja e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Aneta Simeska -Dimoska, thotë se ka rritje të çmimeve, madje të disa artikujve edhe deri më 70 për qind, por pa sqaruar nëse janë marrë masa apo çfarë do të bëhet për normalizimin e çmimeve.

“Kemi informata se ka rritje të çmimeve. Kompanitë dhe tregtarët kanë të drejtë t'i caktojnë çmimet, por ato duhet të jenë në kuadër të normales, por disa tregtarë kanë bërë rritjen e disa artikujve deri në 70 për qind. Ne do t'i regjistrojmë të gjitha rastet dhe më pas do të analizojmë se mbi çfarë baze janë ngritur çmimeve dhe nëse janë në përputhje me tregun real”, thotë Dimoska.

Mile Boshkov, drejtues i Konfederatës së bizneseve thotë se kompanitë po përballen me vështirësi dhe humbje të mëdha për shkak të krizës, andaj edhe kërkon masa nga Qeveria për ndihmë të kompanive që të mund të ketë edhe kontroll të çmimeve.

“Kriza e shkaktuar nga lufta në Ukrainë seriozisht është reflektuar në punën e bizneseve, por edhe në fuqinë e konsumatorëve, të cilët përballen me probleme në furnizimin me ushqime për shkak të rritjes së çmimeve. Ne duhet të ndërgjegjësohemi dhe të mendojmë mirë se si do të përballemi me krizën e shkaktuar. Ne duhet të mendojmë për kapacitetet tona prodhuese, në bujqësi, në prodhimin e pijeve dhe ushqimit, në kultivimin e drithërave, por edhe të kapaciteteve tjera ushqimore”, thotë Boshkov.

Për shkak të ngritjes së çmimeve dhe mosrritjes së pagave, sindikatat kanë paralajmëruar protesta dhe grevë të përgjithshme.

Facebook Forum

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG