Ndërlidhjet

Qeveria me program të ri për buxhetin e komunave


Një punëtor në një bankë në Maqedoninë e Veriut duke numëruar bankënotat.

Kryetarët e komunave në Maqedoninë e Veriut thonë se kriza e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit edhe më shumë e ka përkeqësuar gjendjen financiare të arkave të pushtetit vendor.

Pjesa më e madhe e komunave edhe pas 15 vjetësh që nga decentralizimi i pushtetit, thonë se kanë problem me stabilitetin financiar, përkatësisht ato mbeten të varura nga ndihma e qeverisë.

Ndërkohë, nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale kanë bërë të ditur se për t’i bërë komunat të qëndrueshme për sa i përket financave kanë përgatitur strategji për zhvillim të ekuilibruar rajonal dhe program të ri për decentralizim.

Goran Milevski, ministër i Vetëqeverisjes Lokale në Maqedoninë e Veriut, ka bërë të ditur se dikasteri që përfaqëson është duke punuar në hartimin e një programi të ri për decentralizimin e komunave gjatë periudhës 2021 – 2026, për të cilin siç ka theksuar, janë duke u bërë konsultime me përfaqësues të dikastereve përkatëse dhe me sektorin civil.

Milevski ka theksuar se në bazë të këtij programi do të mundësohet konsolidimi i komunave në aspektin financiar, duke vënë fokusin në përmirësimin e shërbimeve përmes zgjerimit të decentralizmit, përkatësisht duke ridefinuar bllok-dotacionet.

Pjesa më e madhe e komunave janë shprehur se kanë probleme serioze për sa i përket stabilitetit financiar.

“Parësore mbetet shkalla më e lartë e decentralizimit fiskal, dhe jo vetëm delegimi i kompetencave. Dhe, nëse vjen deri te delegimi i kompetencave, fillimisht duhet të decentralizohen mjetet në pjesën e investimeve kapitale”, thotë Maksim Dimitrievski, kryetar i Komunës së Kumanovës.

Ai shton se kriza e pandemisë ka pakësuar të ardhurat në arkën komunale, ndërkohë që janë rritur shpenzimet.

“Me vetë fillimin e krizës së pandemisë së koronavirusit, ne, si komunë, kemi ndarë mjete financiare në një vlerë serioze, që të jemi efikasë në luftën e frenimit të përhapjes së koronavirusit në shumë institucione komunale, siç është dezinfektimi masiv i objekteve, sigurimi i paketave ushqimore për kategoritë më të ndjeshme sociale”.

“Më duhet të theksoj se pandemia ka lënë gjurmë serioze në aspektin negativ ndaj ekonomisë, përkatësisht ka goditur shumë kompani që veprojnë në komunën tonë, të cilat prodhojnë për tregun e vendit po edhe atë evropian, siç është industria e këpucëve. Kështu që, edhe të ardhurat në arkën komunale dukshëm janë pakësuar”, shpjegon Dimitrievski

Alaudin Zeqiri, profesor universitar dhe ish-kryetar i Komunës së Studeniçanit në rrethinën e Shkupit, thotë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet e qeverisë, për të rritur efikasitetin e komunave, madje që ata të kenë një menaxhim efikas edhe në kushte pandemie, duhet të investojnë në profesionalizimin e kuadrit që është angazhuar si pjesë e administratës komunale dhe jo vetëm hartimin e programeve të reja për decentralizimin.

“Mungesa e ekipi të mirëfilltë të administratës, përkatësisht mungesa e kuadrit profesional në komuna, mungesa e nëpunësve të duhur, të cilët kanë bërë trajnimet e duhura që të dinë të implementojne në praktikë fazat e ndryshme të decentralizimit, ashtu siç është e paraparë me ligj”, thotë Alaudin Zeqiri.

Në këtë drejtim, kryetari i Komunës së Kavadarit, Mitko Jançev, thotë për Radion Evropa e Lirë se komuna e tij mbështet dy komuna fqinje rurale, të cilat kanë probleme financiare për të punësuar staf më të gjerë administrativ.

“Për shembull ne e ndihmojmë Komunën Rosoman, mbulojmë sektorin e zjarrfikësve si dhe në aspektin e kuadrit administrativ i mbulojmë këto komuna me inspektor për arsim dhe ndërtim etj. I ndihmojnë në këtë aspekt sepse buxheti i komunave është shumë i vogël dhe ata nuk arrijnë t’i mbulojnë harxhimet me mjetet, të cilat arrijnë t’i mbledhin në arkën komunale”, thotë Jancev, duke theksuar se faza e decentralizmit fiskal aplikohet me shumë vështirësi, veçanërisht në komunat e vogla dhe ato rurale.

Decentralizimi i pushtetit në Maqedoninë e Veriut ka filluar në vitin 2005, ndërkaq më 2011 të gjitha komunat hynë në fazën e dytë të decentralizimit përkatësisht decentralizimin fiskal duke marrë më shumë kompetenca në lëmin e arsimit, kulturës dhe mbrojtjes sociale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG