Ndërlidhjet

Pandemia ulë këmbimin tregtar në Maqedoninë e Veriut


Fotografi ilustruese.

Këmbimi tregtar i Maqedonisë së Veriut me shtetet tjera në periudhën janar-mars ka shënuar rënie në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2019. Kështu tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës.

Eksporti i mallrave ka arritur në 1 milion e 400 mijë euro duke shënuar një rënie prej 8.2 për qind, ndërkohë që importi arrin në 1 milion e 900 mijë euro, që gjithashtu paraqet ulje për 3.6 për qind në krahasim me tre muajt e parë të një viti më parë.Ndërkaq, deficiti tregtar sillet në rreth 500 mijë euro.

Sipas vëllimit të përgjithshëm të këmbimit të jashtëm tregtar, Maqedonia e Veriut më së shumti ka bërë tregti mallrash me Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe, pastaj vijnë shtetet fqinje Serbia, Bullgaria dhe Greqia si dhe Kina, Italia dhe Turqia.

Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës tregojnë se Maqedonia e Veriut është shtet i varur nga importit, pasi ulja prej 3 për qind e shpenzimeve nuk është edhe aq dramatike, thotë kryetari Konfederatës së bizneseve, Mile Boshkov.

“Shqetësues është fakti se kemi ulje prej 10 për qind të eksportit. Unë lirisht mund të them se nëse kriza vazhdon ose nëse përballemi me valë të re të sëmundjes COVID-19, atëherë do të kemi problem serioz pasi do të vazhdojë kriza me eksportin. Partnerët apo prodhuesit që i kemi ne ndoshta nuk do të jenë të nevojshëm në vendet ku ne eksportojmë”, thotë Boshkov.

Ekonomia e Maqedonisë së Veriut është ngushtë e lidhur me lëvizjet në tregjet e Bashkimit Evropian, pasi këmbimi tregtar mes shtetet anëtarë të unionit është me rëndësi të madhe për vendin, thonë ndërkohë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

“Pandemia ndikon në mënyrë direkte në kërkesën mbi këtë treg dhe kjo pa dyshim se do të reflektohet edhe në kapacitetet prodhuese, gjegjësisht në aktivitetet ekonomike të kompanive tona”, thonë nga kjo odë ekonomike.

Ndërkohë, Mile Boshkov nga Konfederata bizneseve, thotë se kompanitë vendore duhet të riorganizohen që me më pak pasoja të kapërcejnë krizën në të cilën ndodhet Maqedonia e Veriut.

“Ato duhet të bashkëpunojnë për të forcuar tregun e brendshëm, që të vijnë në shprehje konsumatorët e brendshëm sikur edhe kapacitetet prodhuese. Është vetëm një ide për realizimin e të cilës shteti duhet ta dijë sikur edhe bankat, por edhe organizatorët që të angazhohen në sigurimin e mjeteve, dhe jo gjithmonë të kërkojmë subvencione”, thotë Boshkov.

Ekspertët parashikojnë që kjo rënie të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm si pasojë e koronavirusit të ri.

Organizata Botërore e Tregtisë ka bërë të ditur se tregtia globale këtë vit do të shënojë ulje mes 13 dhe 33 për qind, shifër kjo më e lartë se në vitin 2008 kur bota u përballë me krizë financiare.

XS
SM
MD
LG