Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Zgjidhja e çështjes së emrit, u hap rrugë bizneseve


Dyqan mishi në Athinë - Foto nga arkivi

Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se me zgjidhjen e kontestit që ka Maqedonia me Greqinë për më shumë se dy dekada e gjysmë për çështjen e emrit, jo vetëm që zhbllokon procesin e anëtarësimit të vendit në strukturat euroatlantike, por Maqedoninë e bën një vend atraktiv, si për investitorët e huaj, ashtu edhe për ata vendorë që ta zgjerojnë biznesin e tyre.

Këto komente vijnë pas qëndrimeve gjithnjë e më të zëshme të zyrtarëve të Athinës dhe Shkupit se zgjidhja e kontestit të emrit ndërmjet dy vendeve fqinje, hyn në fazën finale, me këtë dhe zhbllokohet procesi i integrimit në strukturat euroatlantike.

Visar Ademi, ekspert i ekonomisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se integrimi i vendit në NATO, njëherësh do të thotë se vendi do të ketë më tepër stabilitet, më tepër siguri, si dhe qëndrueshmëri të institucioneve dhe në këtë kontekst, kujton përvojën e vendeve, të cilat u integruan në strukturat veri-atlantike. Ndërsa, menjëherë pas kësaj kanë pasur një përmirësim të dukshëm edhe në aspektin ekonomisë.

“Për shembull, të marrim Shqipërinë si shtet, që tani ka katërfish më shumë investime të huaja krahasuar me kohën kur nuk ishte pjesë e NATO-s. Kjo ndodh për faktin se dihet që investitorët e huaj, përpos tregut kërkojnë edhe siguri për kapitalin e tyre, si dhe kërkojnë qëndrueshmëri të institucioneve”, thotë Ademi.

Për zhvillimin e mirëfilltë të ekonomisë i rëndësishëm është krijimi i një bashkëpunimi të shëndoshë me vendet fqinje, theksojnë biznesmenët.

Mirce Çekrexhi, ish drejtues i Odës Ekonomike të Maqedonisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se mbyllja e kontestit të emrit do t’i hapte më shumë dyer zhvillimit të kapitalit , veçanërisht tërheqjes së investimeve të huaja që do të vinin nga vendet e ndryshme të Evropës përmes kompanive që tanimë i kanë instaluar në Greqi.

“Nëse Maqedonia do të anëtarësohej në NATO dhe do të fillonte bisedimet për anëtarësim në BE, kjo do të nxiste investitorët e huaj të derdhin kapitalin e tyre në Maqedoni dhe e dyta Maqedonia, si shtet, do të kishte qasje më të drejtpërdrejtë në fondet evropiane sa i përket zhvillimit të biznesit”, vlerëson Çekrexhi.

Duke vënë në pah se në këtë gjendje, siç thotë ai, izolimi të Maqedonisë, të gjitha bankat në vend janë të huaja, madje kompanitë që sigurojnë profit më të lartë në industrinë e rëndë, janë të huaja, ndërkohë që asnjë kompani maqedonase nuk ka arritur të depërtojë me kapital serioz në tregun e vendeve evropiane.

Angell Ivanov, ligjërues në Fakultetin e Turizmit, i cili drejton dhe një agjenci turistike, thotë se zgjidhja e kontestit të emrit që ka Maqedonia me Greqinë, nuk do të ndikojë në ardhjen e turistëve grekë në Maqedoni. Sipas tij, përfitimi do të jetë në atë se një gjë e tillë do të krijojë mundësi që prodhimet e ndryshme bujqësore të gjinden në hotelet me renome që shërbejnë turistët nga e mbarë bota.

“Duke pasur më shumë kapacitet sa i përket prodhimeve bujqësore këtu në Maqedoni dhe nga ana tjetër, duke pasur një vend me turizëm aq të zhvilluar siç është Greqia dhe është vetëm kilometra larg, hapet mundësia që të frutat dhe perimet maqedonase të shkojnë në Greqi dhe jo bujqit maqedonas të bëjnë grevë në rrugë se s`kanë ku e plasojnë prodhim e tyre”, thotë Angell Ivanov.

Ai thotë se një pjesë e grekëve, edhe tani përmes agjencisë turistike që drejton, organizojnë shumë vizita një ditore në Maqedoni gjatë festave të ndryshme, sepse ushqimi dhe shërbimet në restorantet e ndryshme janë shumëfish më të lira.

Ndërsa, Zoran Ivanovski nga Fakulteti Evropian në Shkup, thotë se nëse Maqedonia në këtë periudhë nuk arrin të zgjidhë kontestin me Greqinë për çështjen e emrit do të bllokojë pothuajse në tërësi të gjitha investimet e huaja, veçanërisht ato që vijnë nga Greqia.

“Në atë rast, nacionalizmi ekonomikgrek do të jetë edhe më i theksuar dhe me këtë do të shënojnë rënie investimet e kompanive greke në Republikën e Maqedonisë”, konsideron Ivanovski.

Nga Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë kanë bërë të ditur se midis dy vendeve fqinje Maqedonisë dhe Greqisë, gjatë vitit 2016 është realizuar shkëmbim tregtar mbi gjysmë miliard euro, përkatësisht 598 milionë euro. Maqedonia ka eksportuar mallra në vlerë prej 148 milionë eurosh, ndërkohë që ka importuar mallra në vlerë prej 450 milionë euro.

Por biznesmenët thonë se Maqedonia si shtet që kufizohet me Greqinë, si anëtaretë Bashkimit Evropian ka mundësi që të realizojë bashkëpunim shumë më të lartë nga kjo vlerë, e cila është për momentin.

Investimet më të mëdha që vijnë nga Greqia në Maqedonijanë në sektorin bankar, industrinë e naftës, si dhe në industrinë e tekstilit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG