Ndërlidhjet

Maqedonia dhe Greqia në kërkim të marrëveshjes historike për emrin


Ministri i jashtëm grek Nikos Kotzias dhe homologu i tij maqedon Nikola Dimitrov, gjatë një takimi në Athinë. 14 qershor, 2017
Ministri i jashtëm grek Nikos Kotzias dhe homologu i tij maqedon Nikola Dimitrov, gjatë një takimi në Athinë. 14 qershor, 2017

Të mërkurën në Nju Jork rikthehen bisedimet për kontestin mes Shkupit dhe Athinës për emrin e Maqedonisë. Negociatat e reja me ndërmjetësimin e diplomatit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Mejtu Nimic, vijnë pas takimeve intensive mes zyrtarëve të dy shteteve dhe gatishmërisë së tyre për gjetjen e një kompromisi për mbylljen e kontestit, i cili daton që nga pavarësia e Maqedonisë, në vitin 1991.

Greqia ka refuzuar ta njohë emrin e saj për shkak të pretendimeve të maqedonasve se janë pasardhës të maqedonasve antikë, që kanë dominuar dhe jetuar në pjesët e Greqisë së sotme. Athina vlerëson se maqedonasit janë sllavë dhe se nuk kanë asgjë të përbashkët me të kaluarën antike të këtij territori.

Pozicionet nuk kanë ndryshuar në këto 27 vjet, ndërsa Maqedonia në OKB është pranuar në vitin 1993, por me referencën Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. Pala greke gjatë gjithë kësaj periudhe ka bllokuar integrimin e Maqedonisë në NATO dhe Bashkim Evropian, duke kërkuar ndryshimin e emrit të saj.

E ndodhur përballë bllokimit grek, Qeveria e re e Maqedonisë, e drejtuar nga social-demokrati, Zoran Zaev ka dhënë sinjale të vazhdueshme se është e gatshme për kompromis, gjetjen e një emri me një përcaktim gjeografik.

“Në takimin që do të zhvillohet në Nju Jork ka paralajmërime dhe pritje se duhet të konkretizohen disa çështje. Mendoj se kjo është e pashmangshme, pasi pala jonë veç më ka bërë të ditur se është e gatshme për koncesione, të cilat mendoj se janë joparimore, historikisht të gabuara rreth emrit të ri të shtetit tonë. Në një situatë të këtillë, mendoj se ndërmjetësi Nimic e ka më lehtë dhe besoj se ai tashmë e ka propozimin ndërsa dy shteteve u mbetet se si të përgatisin opinionin që sa më lehtë të kalojnë një propozim të tillë”,thotë njohësi i çështjeve ndërkombëtare, ish-diplomati Risto Ristovski, duke shtuar se çfarëdo zgjidhje që do të pranonte Maqedonia do të ishte kapitullim, pasi kjo do të nënkuptonte edhe ndërrimin e identitetit.

Ai beson se pala greke ka gjasa që të refuzojë një propozim të tillë që do të përmbante emrin Maqedoni, pasi kjo do të shkaktonte krizë Qeverisë, dhe në një situatë të tillë, siç thotë ai, do të shpëtojë edhe Maqedonia nga heqja dorë nga identiteti.

Në media tanimë kanë qarkulluar edhe modele për zgjidhjen e emrit ndërsa më i përfoluri është ai që vendi të quhet “Maqedonia e Re”. Kjo do të nënkuptonte edhe ndryshimin e gjuhës maqedonase, në gjuhë të maqedonishtes moderne, të maqedonasve në maqedon etnik për ndërkombëtarët dhe sllavo-maqedonas për grekët. Sipas mediave që kanë transmetuar një propozim të tillë të mundshëm, edhe kisha do të quhet si “Kisha e re ortodokse” dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me termin maqedonas do të merrte prapashtesën “e re”.

Analisti Albert Musliu thotë se është në interes të të dyja vendeve që të mbyllet ky kontest dhe të gjejnë një zgjidhje të pranueshme, e cila nuk do të dëmtonte interesat e asnjërit shtet.

“Besoj se kësaj radhe ka gatishmëri edhe prej palës greke që të arrihet një kompromis, i cili do të ishte me dinjitet për të dyja palët. Kësaj radhe vlerësoj se të gjithë faktorët relevantë janë të inkuadruar dhe angazhuar që kësaj çështjeje t’i gjendet zgjidhja. Besoj se kjo do të ndodhë në gjysmën e parë të vitit 2018. Ndoshta jo i gjithë kontesti, por të paktën ajo që do të zhbllokojë procesin e integrimit euroatlantik të Maqedonisë”, thotë Musliu

Megjithatë, njohësit e çështjeve politike thonë se asnjë zgjidhje nuk do të mund të arrihet pa një kompromis të gjithë, apo pa mbështetjen edhe të opozitës, sikur edhe propozimi të nxirrej në referendum. Analisti Petar Arsovski thotë se propozim për emrin gjithsesi se do të ketë, por ai nuk do të mund të kalojë pa mbështetjen edhe të VMRO-së opozitare.

“Zgjidhje apo çdo propozim që mund të paraqitet nuk do të mund të marr epilog pa mbështetjen e VMRO-së, pavarësisht nëse do të shkohet në modelin politik apo në referendum. Dy të tretat e votave në Kuvend nuk mund të sigurohen, sikur nuk mund të sigurohet as mbështetja në referendum pasi, që të ketë sukses në referendum duhet të dalim 900 mijë qytetarë, apo gjysma e trupit votues që vështirë të ndodhë pa mbështetjen e VMRO-së. Kështu që, konsensusi është vendimtar nëse do të ketë ose jo zgjidhje të problemit”, thotë Arsovski.

Krahas vizitës në Nju Jork mes dy delegacioneve, të mërkurën për vizitë në Maqedoni pritet të arrijë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, vizitë kjo që shihet si mbështetje për inkuadrimin e Maqedonisë në aleancën veriatlantike.

XS
SM
MD
LG