Ndërlidhjet

Njëzet vjet ecje për lirinë


Një person kalon pran një grafiti ku shkruan “Faleminderit SHBA” dhe “Faleminderit NATO”.
Një person kalon pran një grafiti ku shkruan “Faleminderit SHBA” dhe “Faleminderit NATO”.

Kosova shënon sot 20-vjetorin e hyrjes ushtarake të NATO-s, përkatësisht trupave shumëkombëshe të KFOR-it. Kjo ditë, shënohet edhe si Dita e Lirisë apo Çlirimit të Kosovës.

Si datë e cilësuar historike, autoritetet në Prishtinë kanë ftuar që të marrin pjesë në këtë jubile, edhe ish-presidentin amerikan Bill Clinton, ish-sekretaren e shtetit Madeline Albright, ish komandanti i NATO-s, gjenerali Wesley Clark dhe shumë personalitete tjera që ndihmuan në çlirimin e Kosovës.

Ndërhyrja e NATO-s, përkatësisht dislokimi i trupave paqeruajtëse të KFOR-it më 12 qershor, 1999, pasoi fushatën e sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi, që zgjati 78 ditë.

Sulmet ajrore, filluan më 24 mars, 1999, pas dështimit të bisedimeve në Rambuje të Francës, ku me ndërmjetësimin ndërkombëtar ishte zhvilluar konferenca paqësore atë kohë ndërmjet autoriteteve të atëhershme të Serbisë dhe përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës. Marrëveshjen e kompromisit e kishte pranuar pala nga Kosova, por jo edhe delegacioni nga Serbia, çka edhe solli më pas vendimin e shteteve perëndimore dhe NATO-s, për nisjen e fushatës ajrore kundër caqeve ushtarake serbe. Këto sulme, u ndërmorën për të ndalë krimet dhe spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës nga ana e forcave serbe nën komandën e Sllobodan Millosheviqit.

Me urdhrin e ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana, bombardimet patën nisur më 24 mars, 1999, pak para orës 20:00.

*Video nga arkivi: Një fushatë ajrore në mbrojtje të njerëzimit

Një fushatë ajrore në mbrojtje të njerëzimit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:14:37 0:00

Pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo Rezolutë, ishte një kompromis i pesë vendeve të përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit në bazë të së cilës, në Kosovë vendosej një administratë e Kombeve të Bashkuara – UNMIK, e cila administronte fazën tranzitore deri në ngritjen e institucioneve vendore dhe zgjidhjen e përhershme të statusit të Kosovës.

Sulmet ajrore të NATO-s mbi caqet e ushtrisë serbe. Beograd, 27 maj, 1999.
Sulmet ajrore të NATO-s mbi caqet e ushtrisë serbe. Beograd, 27 maj, 1999.

Një ditë më herët, ishte nënshkruar edhe Marrëveshja Teknike e Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë.

Në Kosovë, në kuadër të KFOR-it, më 12 qershor 1999 filloi vendoja e rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende, prej të cilëve 30.000 ishin nga vendet e NATO-s.

Sot, 20 vjet pas kësaj ndërhyrje, trupat e paqeruajtëse të KFOR-it (NATO-s) janë në numër më të vogël dhe numërojnë nga 6 deri në 7 mijë ushtarë, të cilët janë të dislokuar në pjesë të ndryshme të Kosovës me mision paqeruajtës.

Qytetarët duke përshëndetur trupat amerikane, teksa ata kalojnë përmes qytetit të Gjilanit. 30 qershor, 1999.
Qytetarët duke përshëndetur trupat amerikane, teksa ata kalojnë përmes qytetit të Gjilanit. 30 qershor, 1999.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se 20 vjet më parë, ish-presidenti serb, Sllobodan Millosheviqi dhe ushtria e tij, u dorëzuan para NATO-s.

“Për botën ishte një fitore e të drejtave të njeriut mbi çdo cenim në shekujt e mëparshëm. Me respektin më të madh e kujtojmë çdo sakrificë të çdo kombi që iu bashkua NATO-s në këtë luftë të drejtë”, ka deklaruar Thaçi.

Ndërkaq, në një deklaratë me rastin e 20-vjetorit të përfundimit të operacionit të NATO-s, që i dha fund spastrimit etnik në Kosovë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere, tha se “Prishtina dhe Beogradi duhet të dyfishojnë përpjekjet për të punuar drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, të përqendruar në njohjen reciproke dhe të heqin menjëherë pengesat ndaj përparimit”.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, më 12 qershor 1999, kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

XS
SM
MD
LG