Ndërlidhjet

De-radikalizimi u hap rrugën e lirisë të burgosurve marokenë


Saleh, një i burgosur maroken i cili ka vijuar një program të de-radikalizimit përmes së cilit shpreson të fitojë amnisti.
Saleh, një i burgosur maroken i cili ka vijuar një program të de-radikalizimit përmes së cilit shpreson të fitojë amnisti.

Ka 19 vjet që Saleh po qëndron në një burg në Marok nën akuzat për terrorizëm, por ai shpreson se do të lirohet së shpejti falë një programi të de-radikalizimit.

Saleh, një ish-islamist i vijës së ashpër, sot një i burgosur në të 50-tat, thotë se dikur kishte bindje që e arsyetonte dhunën.

"Unë besoja se myslimanët kishin për detyrë të luftonin sundimtarët shtypës që nuk zbatojnë ligjin islamik dhe të sulmonin shtetet që luftojnë myslimanët", tha ai për AFP në bibliotekën e burgut Kenitra, pranë Rabatit në Marok.

Por ato ide, sipas tij, u bazuan në një lexim sipërfaqësor të Kuranit dhe thënieve të Profetit Muhamed.

Ai thotë se nuk ishte i kualifikuar "që t'i kuptojë ato".

Sot, ai shpreson se do të amnistohet pasi ka vijuar programin “Moussalaha” (Pajtimi) të mbretërisë së Afrikës Veriore.

Ky program ka nisur në vitin 2017 nga shërbimi i burgjeve të Marokut në bashkëpunim me disa organizata partnere. Ai ka për qëllim që të ndihmojë të burgosurit për terrorizëm të cilët janë të gatshëm të vënë në dyshim bindjet e tyre.

Saleh thotë se rrugëtimi i tij drejt islamit radikal filloi pasi ai migroi në Itali në vitet 1990. Atje ai takoi një imam në një xhami të Torinos që i përkiste Jamaa Islamiya, grupit xhihadist egjiptian që vrau presidentin Anwar Sadat më 1981.

Në vitin 2001, ai filloi ta quante Italinë “vend i të pafeve" dhe bashkë me familjen u largua prej për të shkuar në Afganistan i cili atëbotë ishte nën sundimin e talibanëve.

Por, sulmet terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara (SHBA) e detyruan atë të ndryshojë planet e tij.

Pasi SHBA-ja kishte kërcënuar se do të pushtojë Afganistanin dhe do ta rrëzojë regjimin taliban, ai iku në shtëpi në Marok ku u arrestua menjëherë.

Në po atë vit Shtetet e Bashkuara pushtuan Afganistanin.

Ai thotë se që nga ajo kohë ai gjendet në burg edhe pse nuk ka gjak në duar e tij.

Qasje e re

Maroku është një vend që ka pasur përvoja të dhimbshme me xhihadizmin brenda dhe jashtë vendit.

Në vitin 2003, pesë sulme vetëvrasëse vranë 33 njerëz dhe plagosën shumë të tjerë në kryeqytetin ekonomik Kasablanka.

Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, dy turistë skandinavë u vranë nga militantët e lidhur me grupin ekstremist Shteti Islamik gjatë një udhëtimi shëtitjeje në malet e Marokut.

Sipas shifrave zyrtare të publikuara në muajin shkurt, që nga viti 2002, shërbimet e sigurisë së këtij vendi kanë shkatërruar më shumë se 2.000 celula ekstremiste dhe kanë kryer mbi 3.500 arrestime të lidhura me terrorizmin.

Shumë nga celulat e shkatërruara në vitet e fundit ishin të lidhura me grupin Shteti Islamik, i cili mori kontrollin e një pjesë të madhe të territorit në Siri dhe Irak dhe shpalli një "kalifat" në këto vende më 2014.

Grupi militant ishte shpallur i mposhtur në vitin 2019.

Një burim i sigurisë në Marok tha se më shumë se 1.500 luftëtarë marokenë kanë udhëtuar në ato zona gjatë dekadës së fundit.

Por, në vitin 2015, autoritetet marokene nisën programin e de-radikalizimit si pjesë e "një qasjeje të re" ndaj të burgosurve, tha zyrtari i shërbimit të burgjeve, Moulay Idriss Agoulmam.

Programi "përfshin monitorimin e pjesëmarrësve dhe ndihmën ndaj atyre që shprehin nevojën për udhëzim", tha ai.

Në kuadër të këtij program gjithashtu përfshihen studime mbi drejtësinë dhe ekonominë, si dhe një këshillim psikologjik tre-mujor.

Deri më tani programin e kanë vijuar 207 të paraburgosur, përfshirë tetë gra. Rreth 116 të burgosur kanë siguruar amnisti mbretërore dhe janë liruar, ndërsa 15 prej tyre iu është ulur periudha e dënimit.

Mohamed Damir, 47-vjeçar, është një ish-i burgosur që ishte dënuar me vdekje në vitin 2003 nën akuzat për terrorizëm.

Ai tha se shumë njerëz të radikalizuar "e kuptojnë se duhet të braktisin idetë e tyre ekstremiste sapo të gjenden vetëm në një qeli burgu”. Ai tha se vetë kishte arritur ta kuptonte këtë pas shtatë vjetësh në burg.

Ai filloi një proces të gjatë për të bindur autoritetet që të ndihmojnë të dënuarit tjerë që gjenden në një situatë të ngjashme. Në vitin 2011, dënimi i tij me vdekje u ndryshua në 30 vjet burg.

Pastaj, ai u lirua në vitin 2017 pasi vijoi programin për de-radikalizim.

Si pjesë e programin ishte edhe leximi i veprave të filozofëve Jean-Jacques Rousseau dhe Voltaire, disa ide të të cilëve "nuk janë larg nga fryma e Islamit".

"Kam zbuluar konceptin e kontratës sociale (v.j autor i së cilës është Jean-Jacques Rousseau), e cila u lejon të gjithëve të jetojnë në paqe, pasi ne jemi padyshim të gjithë të ndryshëm", tha ai.

Pas lirimit nga burgu, Damir iu bashkua një shoqate të dijetarëve islamë në qytetin e Mohamadia që mbikëqyr aspektin fetar të programit të de-radikalizimit. Sot, ai ndihmon në udhëzimin e të burgosurve përmes këtij programi.

"Nuk është gjithmonë e lehtë. Prej tyre, shumica nuk dinë shumë për fenë islame", tha ai.

Ai shtoi se i përdorë tekstet fetare për të ndryshuar pikëpamjet e tyre.

"Unë përpiqem t'i bind ata se ata nuk do të fitojnë shpërblimin e Zotit duke ndjekur rrugën e dhunës", tha ai.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG