Ndërlidhjet

Votimi për demarkacionin i varur nga marrëveshja me Listën Serbe


Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi
Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi

Edhe pas tri përpjekjeve në Kuvendin e Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, koalicioni qeverisës, me gjithë mbështetjen që mori nga partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme të votave në Kuvend për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.

Javën e kaluar, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe partia politike opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, kishin arritur një konsensus për votimin e demarkacionit.

Megjithatë, edhe pse ishte arritur kjo marrëveshje në seancën e fundit parlamentare nuk ishte siguruar numri i mjaftueshëm i votave, pavarësisht deklarimeve se është arritur shumica e nevojshme e votave.

Andaj, krahas marrëveshjes me LDK-në, analistët politikë thonë se koalicionit qeverisës është i shtrënguar të ketë edhe një marrëveshje tjetër, sidomos me Listën Serbe, si pjesë e Qeverisë, për ratifikimin e demarkacionit.

Përderisa Lëvizja Vetëvendjsje nuk shihet si subjekt i mundshëm për marrëveshje për shkak të qëndrimeve të saj kategorike kundër marrëveshjes aktuale të demarkacionit.

Për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, nevojiten së paku 80 vota të deputetëve nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës.

Analisti Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se përmes këtyre seancave ku po tentohet të hedhet në votim ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi po bëhet presion mbi deputetët, por edhe mbi qytetarët.

“Liderët e partive politike në pushtet vazhdimisht kanë deklaruar se janë duke punuar fort me qëllim që të sigurojnë përkrahjen e nevojshme prej dy të tretave të deputetëve me qëllim të ratifikimit të kësaj marrëveshjeje, dhe po duket që kjo punë e tyre nuk ka qenë efektive ose he nuk janë angazhuar siç janë deklaruar në publik, pasi që po rezulton se po mungojnë votat e nevojshme për të ratifikuar këtë marrëveshje. Më shumë po ja lënë rastësisë nëse dikush nga deputetët do ta ndërrojë mendjen dhe do ta përkrah këtë marrëveshje”, thotë Krasniqi.

Votat për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit koalicioni qeverisës është duke i kërkuar brenda grupit parlamentar të Vetëvendosje apo të Listës Serbe.

Lista Serbe edhe pse pjesë e koalicionit qeverisës deri tani ka kundërshtuar Marrëveshjen e demarkacionit. Kundër kësaj marrëveshje vazhdojnë të jenë edhe deputetët nga Vetëvendosje.

Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se koalicioni qeverisës nuk i ka dy të tretat e votave të Kuvendit të Kosovës për të ratifikuar çfarëdo marrëveshje që është e nevojshme në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve.

Koalicioni qeverisës, sipas tij, nuk është i përgatitur për seancë, ku do të ratifikohej marrëveshja.

"Disa parti politike koncentrohen në marrëveshjen në mes dy presidentëve, Thaçi - Vujanoviq, dhe në faktin se demarkacioni do të korrigjohet, derisa disa parti politike konsiderojnë se marrëveshja politike është e drejtë".

"Këto dallime shprehen në votim dhe shprehen në prolongimin e votimit të demarkacionit. Ekziston rreziku real që demarkacioni në procesin e votimit të dështojë dhe mandej të shihen procedurat se si do të veprohet nëse herën e parë dështon në Kuvendin e Kosovës ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi”, thotë Tahiri.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij nga Mali i Zi, Filip Vujanoviq më 16 shkurt nënshkruan një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës inkurajohet ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet dy vendeve.

Megjithatë, analisti Tahiri thotë edhe përkundër kësaj deklarate të përbashkët si dhe arritjes së konsensusit për votimin e demarkacionit ndërmjet partive në pushtet dhe Lidhjes Demokratike në opozitë, demarkacioni nuk mund të kalojë pa marrëveshje me deputetët e Listës Serbe.

“Pa marrëveshje me Listën Serbe nuk mund të kalojë demarkacioni. Lista Serbe edhe pse është pjesë e koalicionit, sheh interesin e saj partiak dhe e ndërlidhë me Asociacionin e komunave (me shumicë serbe), por edhe me situatën politike në Serbi dhe me pozitën e vet presidentit Aleksandër Vuçiq në dialogun e Serbisë me Kosovën dhe më atë që është një projekt i Serbisë për Kosovën që është paralajmëruar se deri në muajin prill do të nxirret një propozim nga presidenti Vuçiq”, thotë Tahiri.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Si e tillë, kjo marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës.

Komisioni Evropian e ka bërë të qartë se pa ratifikimin e demarkacionit, Kosova nuk do të mund të përfshihet në zonën e lëvizjes së lirë, brenda BE-së, pa viza.

XS
SM
MD
LG