Ndërlidhjet

Sytë kah Kuvendi


Kuvendi i Kosovës, foto arkiv

Ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është shndërruar një çështje mjaft dramatike që po përcillet me interesim jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë, këto javët e fundit, u kanë adresuar deputetëve dhe institucioneve të Kosovës disa herë thirrje që ta kalojnë Demarkacionin dhe ta nxjerrin vendin nga izolimi. Shqetësimet e ndërkombëtarëve, ndërlidhen me faktin se përkundër një marrëveshje që partitë e koalicionit kanë me një pjesë të opozitës, ende nuk janë siguruar 80 votat e nevojshme për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion.

Në ditën e mbajtjes së seancës, të mërkurën, në Prishtinë pritet që të vijë edhe delegacioni i lartë nga Bashkimi Evropian, kryesuar nga presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mohgerini dhe Komisionari për Zgjerim, Johannes Hahn.

Ndërkohë, të martën, ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie dhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova kanë realizuar takime të ndara me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli për t’u informuar rreth përgatitjeve që po bëhen në prag të seancës së caktuar për 28 shkurt.

Të dy përfaqësuesit ndërkombëtarë, nuk i kanë kursyer thirrjet drejtuar deputetëve që ta mbështesin Marrëveshjen, për t’u mundësuar qytetarëve të Kosovës që t’u hapet perspektiva e liberalizimit të vizave.

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalia Apostolova ka bërë thirrje që nesër deputetët të votojnë Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Ajo pas një takimi të zhvilluar me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se ka mirëpritur marrëveshjen në mes partive politike për të votuar Marrëveshjen për demarkacion.

"Kemi pas dy hapa shumë të rëndësishëm drejt përparimit për çështjen e Demarkacionit. Hapi i parë, deklarata e përbashkët në mes të presidentëve dhe hapi dytë marrëveshja në mes të pothuajse të gjitha partive politike gjatë fundjavës", tha Apostolova.

Ajo tha se është shumë e rëndësishme që votimi i Demarkacionit të ndodhë nesër.

"Ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit është një hap i rëndësishëm në rrugën e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Kosova ende duhet të vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Mirëpo ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin na ofron shumë në procesin e liberalizmit të vizave", tha ajo.

Apostolova tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të mendojnë për qytetarët dhe të ardhmen e Kosovës drejtë Bashkimit Evropian.

Ndërkaq pas takimit që Veseli zhvilloi me ambasadorin amerikan, Greg Delawie, të dy i kanë inkurajuar deputetët që në seancën e të mërkurës të votojnë për ratifikimin Demarkacionit.

Votimi për Demarkacionin, sipas tyre, do t’i hapte rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se Kosova nuk do të humbë më raste për liberalizim të vizave për qytetarët e vendit. Sipas tij, qytetarët presin lajme të mira të mërkurën.

“Jemi të orientuar drejt BE-së dhe do të përmbushim çdo kriter. Liberalizimi duhet të ndodhë, në të njëjtën kohë edhe Demarkacioni do të votohet. Qytetarët presin dhe ne do ta sjellim lajmin e mirë nesër duke e votuar Marrëveshjen. Kemi bërë shumë për të arritur konsensusin. Kur t'i përmbushim obligimet tona presim përkrahjen e BE-së. Nuk duhet të vonohemi as të humbim raste ", tha Veseli.

Përfaqësuesja e BE-së në Prishtinë ka folur edhe për vizitën që do të realizojë të mërkurën në Kosovë, delegacioni i nivelit të lartë nga Bashkimi Evropian, kryesuar nga presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mohgerini dhe Komisionari për Zgjerim, Johannes Hahn.

Apostolova tha se kjo vizitë paraqet mbështetje për aspiratat e Kosovës për integrimi në BE.

“Na ndihmoni neve, që edhe ne t’ju ndihmojmë juve”, tha Apostolova.

Të tre zyrtarët e BE-së që do të qëndrojnë të mërkurën në Kosovës, kanë bërë thirrje që të ratifikohet Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, duke theksuar se kjo marrëveshje është një kusht për liberalizim të vizave.

Spektri politik në Kosovës, sipas analistëve, duhet ta kuptojë rëndësinë e ratifikimit të Demarkacionit, jo vetëm pse është një kusht për liberalizimin e vizave, por edhe si marrëveshje e cila definon kufirin mes dy shteteve, Kosovës dhe Malit të Zi.

Partitë politike në koalicionin qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re, por edhe partia politike opozitare Lidhja Demokratike Kosovës, javë e kaluar kanë arritur një konsensus për votimin e Demarkacionit. Megjithatë, edhe pse është arritur kjo marrëveshje nuk është siguruar numri i mjaftueshme i votave që duhet të kalohet kjo marrëveshje.

XS
SM
MD
LG