Ndërlidhjet

Maqedonia e V. përballet me problemin e deponive të egra


Një deponi e egër në afërsi të Shkupit.

Maqedonia e Veriut ka ngecur në shumë fusha që kanë të bëjnë me kujdesin e ambientit jetësor, është thënë në raportin e fundit të Komisionit Evropian, që ka të bëjë me ecjen e vendit drejt Bashkimit Evropian dhe plotësimit të rekomandimeve që kanë të bëjnë me mjedisin.

Në këtë raport është theksuar “mungesa e mjeteve financiare si dhe mungesa e kuadrit profesional në administratë, si pengesa kyçe për përmirësimin e kualitetit të ajrit”.

Si shumë problematike, në raportin e Komisionit Evropian është thënë të jetë edhe shfaqja e deponive të egra, veçanërisht të atyre që gjendet në afërsi të zonave urbane.

Organizatat joqeveritare theksojnë se deponitë e egra paraqesin një vatër të rrezikshme për përhapjen e sëmundjeve, veçanërisht gjatë sezonit të verës, ndonëse theksojnë se ndotja e truallit nga deponitë e egra, paraqet një pengesë të madhe për plotësimin e standardeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në familjen evropiane.

Filip Todorovski, aktivist për mbrojtjen e ambientit jetësor, thotë se ngritja e më shumë qendrave regjionale për menaxhimin e mbeturinave do të kontribuonte në uljen e numrit të deponive të egra. Ai njëherësh thekson se institucionet duhet të punojnë seriozisht për ta mbrojtur tokën nga mbeturinat.

“Deponitë duhet të vendosen në thellësi në bazene përkatëse, në mënyrë që të ruhet toka, ujërat dhe ajri nga ndotja e mbetjeve të ndryshme. Në këtë mënyrë si funksion menaxhimi i mbeturinave, jemi shumë larg plotësimit të standardeve që kërkohen nga BE-ja për mbrojtjen e ambientit jetësor”, thotë aktivisti Todorovski.

Aktualisht janë duke u zhvilluar dy fushata për mbrojtjen e ambientit, njëra ka sloganin “pastër si në shtëpi”, ndërkaq fushata tjetër e organizatave joqeveritare ka moton “mos u bë mbeturinë”.

Përmes fushatave synohet ngritja e vetëdijes së qytetarëve për kujdesin ndaj ambientit jetësor. Organizatat joqeveritare thonë se pakujdesia e institucioneve është shkaktari kryesor për krijimin e deponive të egra në një numër kaq të lartë.

“Duhet të ngritet vetëdija e qytetarëve, që ata të reagojnë të mos heshtin kur përballë ngriten deponi të egra, por edhe institucionet janë ato që duhet të veprojnë në mënyrë sistematike”, thotë Jashar Hirda, pjesë e iniciativës “pastër si në shtëpi”.

Përderisa autoritet higjienës komunale fajin e hedhin te mosveprimi i inspektorit përkatës, që të dënojë të gjithë ata që mbeturinat i hedhin jashtë vendeve të përcaktuara për grumbullimin e mbeturinave.

“Duhet të ndërmerren masa duke shqiptuar dënime nga inspektorati komunal ku krijohet ajo deponi ose inspektoratet përkatëse të Qeverisë. Sanksionimi i qytetarëve që ndotin ambientin duhet të jetë në përputhje me vendet e zhvilluara evropiane. Për momentin, më problematike mbetet shfaqja e deponive të egra në ato pjesë të qytetit të Shkupit, të cilat janë gjysmë urbane apo gjysmë rurale, ku frekuentimi i qytetarëve është më i vogël dhe ku qytetarët e papërgjegjshëm hedhin mbeturinat”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Abdulasamet Shabani, drejtor i higjienës komunale.

Ndryshe, në bazë të Entit shtetëror të Statistikave, gjatë vitit 2018 në Maqedoninë e Veriut janë hedhur mbi 850 mijë tonë mbeturina, përderisa janë mbledhur pak më shumë se 620 mijë tonë mbeturina, që del se mbi 200 mijë tonë kanë mbetur pa u grumbulluar, përkatësisht këto mbeturina përfundojnë në deponi të ndryshme të egra në territorin e Maqedonisë së Veriut.

Në raportin e Komisionit Evropian gjithashtu theksohet se ligjet që rregullojnë ndotjen e ajrit janë në harmoni të plotë me standardet e vendeve të zhvilluara të BE-së, po ato nuk zbatohen në praktikë.

Në raporti gjithashtu theksohet se autoritetet e shtetit nuk bëjnë mjaftueshëm sa i përket mbrojtjes së ambientit jetësor.

Në këtë drejtim nga Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor janë zotuar se do të jetësojnë praktikat e vendeve të zhvilluara evropiane, ndonëse pranojnë se për një gjë të tillë, ka mungesë të mjeteve financiare.

XS
SM
MD
LG