Ndërlidhjet

Deputetët pro ndryshimeve kushtetuese thonë se po kërcënohen


Kuvendi i Maqedonisë, foto nga arkivi
Kuvendi i Maqedonisë, foto nga arkivi

Vetëm disa ditë para fillimit të fazës së tretë të ndryshimeve kushtetuese që pritet të nisë të martën me debatin mbi amendamentet kushtetuese në Komisionin parlamentar për Çështje Kushtetuese, deputetët e pavarur të VMRO-DPMNE-së thonë se janë të ekspozuar ndaj presioneve të ndryshme, duke vënë theksin mbi kërcënimet përmes rrjeteve sociale.

Edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Samuel Zbogar ka shprehur shqetësim lidhur me presionin ndaj deputetëve që kanë votuar ndryshimet kushtetuese, që janë të nevojshme për zbatimin e Marrëveshjes për emrin me Greqinë.

Ndryshe, pasi të përfundojë debati Komisionin parlamentar për Çështje Kushtetuese, do të vazhdojë seanca plenare në leximin e tretë, që është caktuar të mbahet më 9 janar. Ndërkaq, votimi i ndryshimeve kushtetuese pritet të bëhet më 15 janar.

Për miratimin e ndryshimeve kushtetuese nevojiten shumica prej dy të tretave të votave në Kuvendin e Maqedonisë.

Nolla Ismaillovska-Starova, e cila është pjesë e grupit të deputetëve të pavarur të VMRO-DPMNE-së, thotë se në forma të ndryshme vazhdojnë presionet për të gjithë deputetët e VMRO-së që votuan pro ndryshimit të Kushtetutës.

“Kërcënimet kryesisht vijnë përmes rrjeteve sociale. Më duket se gjithë kjo është paksa e orkestruar sepse kërcënimet një herë paraqiten në profilet anonime dhe pastaj ato shpërndahen nga personat që i njohim”, thotë për Radion Evropa e Lirë Ismaillovska-Starova, e cila është pjesë e grupit të deputetëve të pavarur të VMRO-DPMNE-së, pasi njëjtit u përjashtuan nga partia menjëherë pas votimit për hapjen e Kushtetutës.

Ditë më parë edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Samuel Zbogar, pasi është takuar me tetë deputetët e pavarur të VMRO-së, ka shprehur shqetësimin e tij për sigurinë e deputetëve, të cilët votuan ndryshimet kushtetuese.

“Seriozisht jam i shqetësuar për shkak të informacioneve se ka presione të vazhdueshme ndaj tyre dhe familjeve të tyre”, ka shkruar Zbogar në rrjetin social Twitter.

Në pyetjen e Radios Evropa e Lirë drejtuar dikasterit të policisë nëse ka pasur denoncime për kërcënimin e deputetëve kohën e fundit, nga Ministria e Punëve të Brendshme shkurt janë përgjigjur se po ndërmerren veprime për të garantuar sigurinë e deputetëve.

“Masat do të vazhdojnë derisa të jetë e nevojshme”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga dikasteri i policisë.

Deputetët e pavarur, si kërcënim të drejtpërdrejtë e shohin edhe deklaratën e liderit të VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski, i cili gjatë një proteste të dielën në qytetin e Velesit, u shpreh se deputetët që kanë votuar ndryshimet kushtetuese, do t’i takojnë anës së errët të historisë maqedonase.

“Mund ta dëgjoni fjalimin e kryetarit të VMRO-DPMNE-së gjatë ditës së djeshme, ku ai thotë se ‘do ta shihni se çka do t`ju ndodh. Do tu çojmë në anën e errët të historisë’. Këto deklarata rrisin presionin ndaj neve, për shkak se ne morëm vendim që të votojmë pro ndryshimit të Kushtetutës”, thotë Ismaillovska-Starova.

Ajo bashkë me deputetët e tjerë të VMRO-DPMNE-së që votuan për hapjen e Kushtetutës si :Kërsto Mukovski Sasho Vasilevski, Luben Arnaudov, Vladanka Aviroviq, Emililja Aleksandrova Elizabeta Kamceska Mileska dhe Zeqiqr Ramcilloviq .Pas votimit, para shtëpive të një pjese të këtyre deputetëve u organizuan protesta si dhe u drejtuan kërcënime përmes rrjeteve sociale.

Ndërkaq, lideri i opozitës maqedonase Hristijan Mickovski ka theksuar se pushteti po ushtron presion ndaj deputetëve dhe zyrtarëve të partisë në forma të ndryshme, dhe siç ka theksuar ai, shumë prej anëtarësisë pa ndonjë arsye po merren në pyetje informative në stacione policore.

Por nga Ministria punëve të Brendshme e Maqedonisë kanë hedhur poshtë këto pretendime të Mickovskit.

“Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë i demanton dezinformatat e shprehura nga zoti Hristijan Mickovski”, theksohet në përgjigjen me shkrim të dikasterit ët policisë së Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG