Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës.
Kuvendi i Kosovës.

“Kohë shtesë për bisedime”: Shtyhet konstituimi i Kuvendit

  • Seanca konstituive u shty për kohë të papërcaktuar nga kryesuesi Dehari
  • Deputetët bënë betimin, por mbeti në gjysmë zgjedhja e nënkryetarëve dhe kryetarit
  • Lideri LVV-së Albin Kurti nuk e propozoi kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe kërkoi kohë shtesë për bisedime
  • Bisedimet mes LVV-së dhe LDK-së nuk kanë sjellë fryt deri tani.
  • Partitë parlamentare kanë rreth dy muaj për ta zgjedhur presidentin, ose vendi shkon sërish në zgjedhje.
12:15 6.8.2026

Çfarë thotë Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit?

Në një vendim të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese tha se Kushtetuta e vendit i detyron deputetët ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve nga data e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i certifikoi rezultatet më 8 korrik, kjo nënkupton se 30 ditë mbushen të premten, 7 gusht.

Ja çfarë kishte thënë Kushtetuesja për këtë në qershor 2025:

Pika 124

Duke iu rikthyer përcaktimeve të paragrafit 1 të nenit 66 të Kushtetutës përmes të cilave specifikohet se: “Kuvendi i Kosovës zgjidhet më mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.”

Në versionin në gjuhën angleze të Kushtetutës, dispozita e nenit 66 është formuluar si vijon: “The Assembly of Kosovo shall be elected for a mandate of four (4) years, starting from the day of the constituive sesion, ëhich shall be held ëithin thirty (30) days from the oficial announcment of the election results”. (Gjykata sqaron se ky formulim në gjuhën angleze – “shall be held” – paraqet një normë me karakter detyrues, dhe jo fakultativ, sipas përdorimit të standardizuar të gjuhës normative dhe kushtetuese edhe në të drejtën anglo – saksone, sipas Black’s Law Dictionary, “shall” is “mandatory”, not “permissive”).

Pika 131.

Më tej, Gjykata duke iu rikthyer përcaktimeve në paragrafin 1 të nenit 66 të Kushtetutës thekson se vetë struktura e kësaj dispozite kushtetuese nënkupton se mbajtja e seancës konstituive brenda afatit tridhjetë (30) ditor, nuk është mundësi formale apo orientuese, por detyrim kushtetues që lidhet ngushtë me fillimin e mandatit të legjislaturës së re.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha për Radion Evropa e Lirë se ndonëse Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, mos realizimi i kësaj "nuk prodhon automatikisht pasoja juridike".

Kjo do të thotë se jo domosdoshmërisht duhet shkuar në zgjedhje të parakohshme.

19:19 6.8.2026

Lexues të nderuar,

Këtu po e përmbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të zhvillimeve rreth seancës konstituive të legjislaturës së njëmbëdhjetë të Kuvendit të Kosovës.

Më poshtë mund të gjeni të përmbledhur atë që ndodhi gjatë ditës së sotme:

Seanca u ndërpre nga kryesuesi, Avni Dehari, pasi kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për bisedime në mënyrë që të arrihej një marrëveshje për çështjen e krijimit të institucioneve, veçanërisht të zgjedhjes së presidentit.

Kurti nuk propozoi emrin e kandidatit të partisë së tij për kryekuvendar – të drejtë që ja jep Kushtetuta partisë fituese të zgjedhjeve.

“Është e nevojshme t’i kthehemi diskutimeve për ta zgjidhur çështjen e presidentit, dhe kur ta kemi një marrëveshje ta thërrasim vazhdimin e seancës konstituive”, tha Kurti para deputetëve.

Sipas një aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, deputetët kanë afat deri nesër në mesnatë të përmbyllin procesin e themelimit të Kuvendit, që do t’i hapte rrugë formimit të Qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit.

LVV-ja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po zhvillojnë bisedime për themelimin e institucioneve, por edhe pas tri takimeve, mes Kurtit dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, palët nuk kanë arritur ndonjë rezultat konkret.

Procesi negociues është ndërlikuar, pasi LDK-ja po e kërkon postin e presidentit, por LVV-ja insiston që presidenti i ri të jetë një figurë jopartiake dhe konsensuale. Ndërkaq, vëzhguesit politikë i thanë REL-it se LVV-ja dhe LDK-ja duhet të fokusohen më shumë në programin qeverisës, sesa në ndarjen e posteve.

Partia Demokratike e Kosovës e cilësoi si mungesë serioziteti nga LVV-ja shtyrjen e seancës. Ndërkaq, Aleanca e akuzoi Kurtin për “uzurpim” të pushtetit dhe “grusht shteti të brendshëm”. Këto dy parti kanë refuzuar ftesat e Kurtit për takim, duke deklaruar se do të qëndrojnë në opozitë.

Pas shtyrjes së seancës, organizatat joqeveritare në Kosovë bënë thirrje për respektimin e afatit kushtetues për formimin e institucioneve, teksa mirëpritën bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje politike.

Ndërkaq, ambasadat e akredituara në Kosovë bënë thirrje që Kosova sa më shpejt të ketë institucione me mandat të plotë, në mënyrë që të vazhdohet me agjendën e reformave evropiane.

Faleminderit që na ndoqët!

18:02 6.8.2026

Gjermania bën thirrje për krijimin e shpejtë të institucioneve të reja në Kosovë

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë tha se shpreson që Kosova të ketë sa më shpejt institucione të reja dhe me mandat të plotë.

Sipas Berlinit, Kosova “nuk ka kohë për të humbur”.

“Ne shpresojmë që institucionet e reja të formohen me kohë dhe me mandat të plotë, në mënyrë që të vazhdojmë punën tonë të përbashkët të agjendës evropiane me Kosovën”, tha Ambasada gjermane për Radion Evropa e Lirë.

Thirrje të ngjashme bëri më herët edhe Ambasada e Italisë, e cila inkurajoi partitë politike që të angazhohen në dialog konstruktiv për themelimin e institucioneve të reja të Kosovës.

Berlin. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Berlin. Fotografi ilustruese nga arkivi.
17:33 6.8.2026

Gjini: Kurti e ka uzurpuar pushtetin, ky është puç i brendshëm

Kreu i Aleancës, Ardian Gjini, në një konferencë për media e cilësoi si “grusht shteti të brendshëm” moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Ai e akuzoi udhëheqësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për “uzurpim” të pushtetit në vend.

“Sot, pa asnjë arsye logjike, pa asnjë arsye shtetformuese, prapë hyjmë në krizë institucionale. Nuk ka emër tjetër për këtë situatë përpos grusht shteti i brendshëm, grushtet që nuk organizohet nga falangat ushtarake por prej njerëzve të cilët në mënyrë më brutale e shfrytëzojnë legjitimitetin e brishtë demokratik për të uzurpuar institucionet e shtetit”, tha ai.

Sipas tij, Kurti po tenton që të krijojë “mjegull” dhe t’ia hedhë fajin partive të tjera politike për moskrijimin e institucioneve, teksa Kurti më herët gjatë ditës sërish i bëri thirrje Gjinit dhe kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, që të takohen me të për çështjen e krijimit të institucioneve.

“Po besoj që nuk ka qytetar që nuk e dinë që dy partitë që po negociojnë i kanë votat për të zgjedhur qeverinë, presidentin dhe për të konstituar kuvendin”, tha Gjini, duke shtuar se nuk është përgjegjësi e Aleancës nëse LVV-ja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë probleme të natyrave të tjera.

Ai tha se pas betimit si deputetë, Kurti dhe ministrat e zgjedhur deputetë janë “uzurpatorë” të zyrave qeveritare, duke e cilësuar si “shkelje të rëndë kushtetuese”.

Sipas Gjinit, Kosova aktualisht nuk ka as president, as ushtrues detyre të presidentit, as kryetar kuvendi, as kryeministër e ministra të ligjshëm. Sipas tij, Kosova ka “vetëm një person që e ka uzurpuar pushtetin”, duke iu referuar Kurtit.

Ardian Gjini gjatë konferencës për media më 6 gusht
Ardian Gjini gjatë konferencës për media më 6 gusht
17:11 6.8.2026

KDI i bën thirrje LVV-së që “pa vonesë” të propozojë kandidatin për kryeparlamentar

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) i bëri thirrje Lëvizjes Vetëvendosje, që si subjekti fitues i zgjedhjeve, pa vonesë të ushtrojë të drejtën dhe përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidaturën për kryetar të Kuvendit.

Përmes një reagimi, KDI shprehu keqardhje që sot nuk u konstituua organi ligjvënës, pasi LVV-ja nuk e propozoi kandidatin për kryetar, me arsyetimin se i duhet kohë shtesë për arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit.

KDI tha se mirëpret çdo përpjekje serioze për arritjen e një marrëveshjeje politike mes partive, por theksoi se “dialogu politik dhe respektimi i afateve kushtetuese nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin, por duhet të zhvillohen paralelisht”.

Takimet dypalëshe, konsultimet më të gjera dhe format e tjera të komunikimit politik, sipas KDI-së mund dhe duhet të vazhdojnë, veçanërisht për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

“Megjithatë, është e domosdoshme që fillimisht të përfundojë konstituimi i Kuvendit, në mënyrë që të nisin procedurat e tjera kushtetuese, përfshirë afatin 60-ditor për zgjedhjen e presidentit”, u tha në reagim.

KDI kujtoi se afati 30-ditor që skadon nesër, sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, është afat për konstituimin e Kuvendit, e jo për “arritjen e marrëveshjes për presidentin”.

Pas konstituimit të Kuvendit, KDI rikujtoi po ashtu, se janë edhe 60 ditë kohë për të zhvilluar negociata për çështjen e presidentit.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG