Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës.
Kuvendi i Kosovës.

“Kohë shtesë për bisedime”: Shtyhet konstituimi i Kuvendit

  • Seanca konstituive u shty për kohë të papërcaktuar nga kryesuesi Dehari
  • Deputetët bënë betimin, por mbeti në gjysmë zgjedhja e nënkryetarëve dhe kryetarit
  • Lideri LVV-së Albin Kurti nuk e propozoi kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe kërkoi kohë shtesë për bisedime
  • Bisedimet mes LVV-së dhe LDK-së nuk kanë sjellë fryt deri tani.
  • Partitë parlamentare kanë rreth dy muaj për ta zgjedhur presidentin, ose vendi shkon sërish në zgjedhje.
16:53 6.8.2026

Ende pa vendim për vazhdimin e seancës konstituive

Kryesuesi i seancës konstituive të legjislaturës së 11-të, Avni Dehari, tha shkurt për Radion Evropa e Lirë se ende nuk ka caktuar vazhdimin e kësaj seance.

Seanca u shty me kërkesë të kreut të LVV-së, njëherësh kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, i cili kërkoi kohë shtesë për arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, konstituimi i organit ligjvënës duhet të përmbyllet 30 ditë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor. Sipas këtij afati, deputetët kanë kohë të zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët e legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e qershorit, deri të premten në mesnatë.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha më herët për Radion Evropa e Lirë se ndonëse Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, mos realizimi i kësaj “nuk prodhon automatikisht pasoja juridike”.

Kjo do të thotë se jo domosdoshmërisht vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit më 8 korrik.

Sipas Miftarajt, kjo situatë “delegjitimon gjithçka”, ndërsa nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 5 tetor, vendi shkon në zgjedhje.

16:20 6.8.2026

Italia: Të gjitha partitë të angazhohen në dialog konstruktiv për themelimin e institucioneve

Ambasada e Italisë në Kosovë u bëri thirrje të gjitha partive në Kosovë që të angazhohen në “dialog konstruktiv” dhe të punojnë së bashku për themelimin e institucioneve të vendit.

“Është përgjegjësi e përfaqësuesve të zgjedhur të Kosovës të arrijnë kompromis në mënyrë që të sigurohen që institucionet demokratike të funksionojnë në mënyrë efektive dhe të përmbushin pritjet e qytetarëve”, tha Ambasada në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.

Thirrja e Romës vjen pasi seanca konstituive, e nisur paraditen e së enjtes, u shty me kërkesë të kreut të LVV-së, Albin Kurti.

Kurti tha se duhet kohë shtesë që partitë të arrijnë ujdi për çështjen e presidentit, teksa afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit përfundon mesnatën e 7 gushtit.

14:12 6.8.2026

Sa e mundshme është marrëveshja LVV-LDK?

Një marrëveshje politike mes partive për t’i shtyrë përpara proceset për formimin e institucioneve të reja të Kosovës ende nuk duket në horizont.

Vëzhguesit politikë thonë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të fokusohen më shumë në programin qeverisës, sesa në ndarjen e posteve. Çfarë peshe ka kërkesa e LDK-së që ta ketë postin e presidentit në arritjen e një marrëveshjeje?

Lexojeni të plotë Newsletter-in Në 3 minuta të Radios Evropa e Lirë:

13:29 6.8.2026

IKD: Ndërprerja e seancës cenon Kushtetutën, nuk arsyetohet me mungesën e marrëveshjes

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) tha se është e shqetësuar thellësisht për ndërprerjen e seancës konstituive në prag të përfundimit të afatit kushtetues për konstituimin e tij.

Ai theksoi në një deklaratë për media se mungesa e një marrëveshjeje politike nuk mund të shndërrohet në arsye “për bllokimin e Kuvendit dhe cenimin e rendit kushtetues”.

Sipas tij, kërkesa e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për kohë shtesë për bisedime me partitë parlamentare dhe vendimin e kryesuesit Avni Dehari për ndërprerjen e seancës, nuk mund të mbështetet në natyrën dhe qëllimin e seancës konstituive.

“Sipas nenit 9, paragrafit 3, të Rregullores së Kuvendit, në seancën konstituive nuk zhvillohet debat. Rrjedhimisht, kjo seancë nuk mund të përdoret për diskutime politike, kërkesa jashtë rendit të përcaktuar apo kushtëzimin e konstituimit me marrëveshje për çështje të tjera”, tha IKD-ja.

Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar qartë detyrimin e deputetëve që Kuvendi të konstituohet brenda afatit prej tridhjetë ditësh, tha ai.

“Ky nuk është afat orientues dhe as çështje e vullnetit politik, por detyrim kushtetues që duhet respektuar nga secili deputet dhe nga organet që drejtojnë seancën. Fakti se Kushtetuta dhe aktgjykimet e Gjykatës nuk kanë përcaktuar shprehimisht pasojën juridike për moskonstituimin brenda afatit nuk krijon leje për shkeljen e tij”, theksoi IKD-ja.

Sipas tij, edhe pse Kushtetuta nuk përcakton shprehimisht ndëshkim për mospërmbushjen e afatit të saj, kjo nuk e bën të ligjshme shkeljen e Kushtetutës .

“Kushtetuta nuk zbatohet vetëm kur parashikon ndëshkim, ajo duhet të respektohet sepse është akti më i lartë juridik i Republikës”.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG