Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës.
Kuvendi i Kosovës.

“Kohë shtesë për bisedime”: Shtyhet konstituimi i Kuvendit

  • Seanca konstituive u shty për kohë të papërcaktuar nga kryesuesi Dehari
  • Deputetët bënë betimin, por mbeti në gjysmë zgjedhja e nënkryetarëve dhe kryetarit
  • Lideri LVV-së Albin Kurti nuk e propozoi kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe kërkoi kohë shtesë për bisedime
  • Bisedimet mes LVV-së dhe LDK-së nuk kanë sjellë fryt deri tani.
  • Partitë parlamentare kanë rreth dy muaj për ta zgjedhur presidentin, ose vendi shkon sërish në zgjedhje.
19:19 6.8.2026

Lexues të nderuar,

Këtu po e përmbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të zhvillimeve rreth seancës konstituive të legjislaturës së njëmbëdhjetë të Kuvendit të Kosovës.

Më poshtë mund të gjeni të përmbledhur atë që ndodhi gjatë ditës së sotme:

Seanca u ndërpre nga kryesuesi, Avni Dehari, pasi kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për bisedime në mënyrë që të arrihej një marrëveshje për çështjen e krijimit të institucioneve, veçanërisht të zgjedhjes së presidentit.

Kurti nuk propozoi emrin e kandidatit të partisë së tij për kryekuvendar – të drejtë që ja jep Kushtetuta partisë fituese të zgjedhjeve.

“Është e nevojshme t’i kthehemi diskutimeve për ta zgjidhur çështjen e presidentit, dhe kur ta kemi një marrëveshje ta thërrasim vazhdimin e seancës konstituive”, tha Kurti para deputetëve.

Sipas një aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, deputetët kanë afat deri nesër në mesnatë të përmbyllin procesin e themelimit të Kuvendit, që do t’i hapte rrugë formimit të Qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit.

LVV-ja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po zhvillojnë bisedime për themelimin e institucioneve, por edhe pas tri takimeve, mes Kurtit dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, palët nuk kanë arritur ndonjë rezultat konkret.

Procesi negociues është ndërlikuar, pasi LDK-ja po e kërkon postin e presidentit, por LVV-ja insiston që presidenti i ri të jetë një figurë jopartiake dhe konsensuale. Ndërkaq, vëzhguesit politikë i thanë REL-it se LVV-ja dhe LDK-ja duhet të fokusohen më shumë në programin qeverisës, sesa në ndarjen e posteve.

Partia Demokratike e Kosovës e cilësoi si mungesë serioziteti nga LVV-ja shtyrjen e seancës. Ndërkaq, Aleanca e akuzoi Kurtin për “uzurpim” të pushtetit dhe “grusht shteti të brendshëm”. Këto dy parti kanë refuzuar ftesat e Kurtit për takim, duke deklaruar se do të qëndrojnë në opozitë.

Pas shtyrjes së seancës, organizatat joqeveritare në Kosovë bënë thirrje për respektimin e afatit kushtetues për formimin e institucioneve, teksa mirëpritën bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje politike.

Ndërkaq, ambasadat e akredituara në Kosovë bënë thirrje që Kosova sa më shpejt të ketë institucione me mandat të plotë, në mënyrë që të vazhdohet me agjendën e reformave evropiane.

Faleminderit që na ndoqët!

XS
SM
MD
LG